Vjosa Osmani flet sërish lidhur me shkarkimin e saj nga LDK-ja

Aktuale

Vjosa Osmani flet sërish lidhur me shkarkimin e saj nga LDK-ja

Më: 22 qershor 2020 Në ora: 11:14
Vjosa Osmani

(E plotësuar) - Në kuadër të vizitave për një ambient të pastër, kryetarja e Kuvendit, Vjosa Osmani bashkë me deputetë sot kanë vizituar KEK-un.

Aty nga afër panë furnizimin me thëngjill, deponinë e mbeturinave dhe liqenin artificial.

Për këtë të fundit, i cili është shndërruar në atraksion për qytetarët, u bë thirrje të mos vizitohet dhe të izolohet përmes shenjave të rrezikut.

Osmani tha se është e domosdoshme që të mbrohet jeta e qytetarëve nga vende të tilla. Ajo kërkoi që të evitohet sa më shumë ndotja e ajrit nga KEK-u.

Osmani: KEK-u t’i vendosë shenjat e rrezikut në liqenin artificial

“Qysh nesër do të ishte e domosdoshme që ju si KEK t’i vendosni komplet shenjat rrezikut, sepse nuk po më duket që thjesht të ndalohet hyrja. Nganjëherë vetë fakti të ndalohet dikujt mund t’i duket si atraktive. Kështu që është e domosdoshme që t’i mbrohet jeta e qytetarëve që çdo kund në këtë vend të rrezikshëm të vendosen shenjat...Shpresoj që përmes kësaj vizite të sotme do të përçohet mesazhi që ky vend është i rrezikshëm dhe KEK-u do t’i trajtojë të gjitha kërkesat e qytetarëve të Obiliqit”, tha Osmani.

Shqetësimin e njëjtë për vizitat e shumta të qytetarëve në liqenin e shndërruar në atraksion, e ndau edhe ushtruesi i detyrës së kryeshefit në KEK, Luigj Imeri. Por, ai theksoi se do të marrin masat e duhura për të parandaluar këto frekuentime të qytetarëve në këtë hapësirë.

Imeri: Shqetësimin e ndajmë bashkërisht

“Shqetësimin e ndajmë, është njëra prej pikave që nuk është për t’u lavdëruar për KEK-un. Por është një sfidë e jashtëzakonshme që realisht, meqenëse jam në KEK më herët, një periudhë e gjatë prioritet ka qenë stabilizimi me energji elektrike. Të jemi të vetëdijshëm, të gjithë se një periudhë nuk është diskutuar çështja e ambientit nga ajo që sot është në rend të parë”, tha ai.

Osmani gjatë ditës vizitoi edhe komunën e Obiliqit, ku mori pjesë në diskutimin me të rinjtë e kësaj komune për ruajtjen e ambientit.

***

Dy ditë pas shkarkimit të saj nga pozitat udhëheqëse në LDK, kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani nuk ka treguar se a do të vazhdojë të jetë anëtare e thjeshtë e partisë së Isa Mustafës.

E pyetur për këtë çështje, Osmani duke mos dashur të përgjigjej ka thënë se e rikonfirmon secilën fjalë që e ka shkruar të shtunën në Facebook.

Osmani: Rikonfirmoj fjalët që kam thënë

“Nuk kam asgjë për të shtuar nga ajo që e kam thënë, vetëm e rikonfirmojmë secilën fjalë që e kam thënë”, tha ajo.

Kështu u shpreh kryeparlamentarja pas vizitës që bëri në Obiliq.

***

Diskutimi për mjedisin sot i ka bërë bashkë zyrtarët institucional në Obiliq. Kryeparlamentarja, Vjosa Osmani bashkë me deputetë të Kuvendit të Kosovës dhe Avokatin e Popullit, kanë nisur këtë të hënë vizitat e gjelbërta në komuna. Të parit të komunës, Xhafer Gashi dhe shumë të rinjve iu premtua plotësimi me akte nënligjore i Ligjit të Obiliqit dhe ndërhyrje emergjente në përmirësimin e ambientit në këtë komunë.

Duke kërkuar vënien e ambientit top-prioritet në politikën kosovare, kryetarja e Kuvendit, Vjosa Osmani tha se çështja e ambientit duhet të shihet si potencial për zhvillim ekonomik në të ardhmen.

Osmani: Ambienti duhet të shihet si potencial për të ardhmen

“Çështjen e ambientin nuk duhet të shohim si brengë të së sotmes por si potencial për zhvillim ekonomik në të ardhmen...ne duhet të fillojë si buxhetin ambientor, kemi dol në të kaluarën për buxhetimin femror, por tani duhet të shohim se secili buxhetim që do të bëhet të jetë edhe ambientor”, tha ajo.

Se qyteti i Obiliqit është dëmtuar më së shumti për shkak të ndotjes së ambientit, e tha edhe kryesuesja e grupit të Gjelbërve, deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusuari-Lila.

Ajo tha se mënyrë urgjente duhet të bëhet një strategji e mjedisit para çdo investimi.

Kusari-Lila: Faturën më të rëndë e ka paguar Obiliqi

“Faturën më të rëndë e ka pagu Obiliqi dhe qytetarët qe jetojnë këtu. Ne nuk mundem të merremi me strategjinë e energjisë dhe zhvillimit të qëndrueshëm dhe të harrojmë ose të themi hajt se me mjedis merremi ma vonë. Nëse nuk është strategji të mjedisit nuk ka zhvillim fare”, tha ajo.

Ndërsa, kryetarja e komisionit për shëndetësi, Albena Reshtiaj tregoi se nga cilat sëmundje mund të atakohen qytetarët e Obiliqit.

Reshitaj: Qytetarët e Obiliqit janë më të rrezikuarit në sëmundje të ndryshme

“Qytetarët e Komunës së Obiliqit janë më të rrezikuarit në sëmundje të ndryshme. Duke filluar nga sëmundjen respiratore, frymëmarrje, kardiovaskulare dhe sëmundjeve malinje. Është një përgjegjësi qytetarë dhe obligim i neve që bëjmë politika për të vepruar në mënyrë urgjente. Shëndeti i qytetarëve mbi të gjitha”, tha ajo.

Ndërkaq, kryetari i Obiliqit, Xhafer Gashi kërkoi që Ligji për qytetin që udhëheq të plotësohet me akte nënligjore.

Gashi: Ligji nuk është plotësuar me akte nënligjore

“Ka shumë për të bërë për ligjin sepse nuk është plotësuar me akte nënligjore, por prezenca zyrtarëve institucional tregon se ne edhe më tutje duhet të punojmë bashkë për ndaljen e ndotjes në qytetin tonë”, tha ai.

Pjesë e këtij paneli të diskutimit ishte edhe avokati i popullit, Hilmi Jashari, i cili kërkoi nga Kuvendi i Kosovës të trajtojë gjithë autoritetet që bëjnë shkelje të rregullave mjedisore.

Jashari: Kuvendi të trajtojë këto tema

“Të jetë Kuvendi ai që trajton këto tema, pasi ka mandat kushtetues dhe ligjor për t’i mbajtur përgjegjës dhe llogaridhënës të gjithë ato autoritete që bëjnë shkelje që i kemi të konstatuara në Obiliq”, tha ai.

Në këtë panel, mes tjerash u theksua se Kuvendi i Kosovës brenda dy javëve do të iniciojë një debat parlamentar për liqenin artificial të krijuar në Obiliq

***

Kryetarja e Kuvendit të Kosovës Vjosa Osmani viziton Komunën e Obiliqit, ku së bashku me kryetarin e kësaj komune Xhafer Gashi, do të zhvillojnë një takim me qytetarët dhe të rinjtë për sfidat lidhur me mjedisin. 

***

Kryeparlamentarja Vjosa Osmani sot ka vizituar Komunën e Obiliqit.

Osmani ka thënë se që nga sot po fillojnë vizitat nëpër komuna, në saje të një një nisme të cilën e ka quajtur “Vizitat tona të gjelbra”.

Ajo ka thënë se kanë zgjedhur si komunë të parë Obiliqin, pasi që është më e ndotura.

“Nga sot po fillojmë vizitat tona të gjelbra. Po fillojmë me vizitën tonë të parë në komunën e Obiliqit, që është ndër më të afektuarat dhe më të ndotura, do të takohemi me kryetarët e komunave dhe deputetët tjerë dhe me qytetarë të zonave të afektuara për të diskutuar lidhur me rëndësinë e ambientit”, ka thënë Osmani.

Kryeparlamentarja ka bërë thirrje për qytetarët që të komentojnë për atë se ku të organizohet vizita e ardhshme.

“Nuk ka gjë më të rëndësishme se shëndeti, i mirëpresim komentet tuaja lidhur me atë se ku do të duhej të ishte vizita jonë e ardhshme”, tha ajo.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat