Delegacionet e Kosovës dhe Serbisë në Uashington me nga katër zyrtarë, udhëhiqen nga presidentët

Aktuale

Delegacionet e Kosovës dhe Serbisë në Uashington me nga katër zyrtarë, udhëhiqen nga presidentët

Më: 22 qershor 2020 Në ora: 14:23
Hashim Thaçi ,Aleksander Vuçiq

Më 27 qershor është konfirmuar takimi i parë i delegacioneve nga Kosova dhe Serbia në Shtëpinë e Bardhë në Uashington.

Ndonëse ishte e paqartë përbërja e këtyre delegacioneve, tashmë nga burime diplomatike mësohet se është qartësuar çdo gjë dhe në Uashington do të marrin pjesë në takim presidentët dhe kryeministrat e të dyja vendeve, me nga një shoqërues të tyre.

Këto delegacione, sipas protokollit, do të kryesohen nga presidentët e të dyja vendeve.

Bashkë me presidentin Thaçi do të jetë kryeministri Hoti, të cilët në krah të tyre do ta kenë edhe nga një bashkëpunëtor të afër.

Media vendore  ka mësuar se shoqërues i presidentit Thaçi do të jetë shefi i stafit të tij, Bekim Çollaku, kurse shoqërues i kryeministrit Hoti pritet të jetë njëri prej zëvendëskryeministrave.

Përballë tyre do të jenë delegacioni serb në përbërje të presidentit Vuçiq si kryesues, kryeministres serbe Bërnabiq dhe drejtorit Marko Gjuriq, si dhe një këshilltar i Vuçiqit.

Formati i bisedimeve do të jetë 1+1, që nënkupton 1 lider me një shoqërues me veti, që gjithsej të dyja delegacionet pritet të kenë në përbërje nga 4 zyrtarë shtetërorë.

Me ndërmjetësimin amerikan, Kosova dhe Serbia po ulen pas dy vitesh në tavolinë të dialogut, në fazën e fundit të bisedimeve drejt marrëveshjes së paqes në mes të dy shteteve.

Pas takimit të Uashingtonit, më 17 korrik pritet të ndodhë edhe në Paris një takim i nivelit të lartë, me nikoqir Presidentin e Francës, Emmanuel Macron, si dhe Kancelaren e Gjermanisë, Angela Merkel, i cili do të jetë si vazhdimësi e Samitit të Berlinit.

Ndërsa, pas këtij samiti që do të mbahet në kryeqytetin e Francës, pritet të pasojë edhe organizimi i një takimi me të njëjtën përbërje në kryeqytetin e BE-së në Bruksel, ku parashihet të finalizohet edhe marrëveshja përfundimtare ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat