Bardhyl Mahmuti i reagon Lutfi Hazirit për deklaratën rreth dialogut: Kosova do të jap diçka...

Aktuale

Bardhyl Mahmuti i reagon Lutfi Hazirit për deklaratën rreth dialogut: Kosova do të jap diçka...

Nga: N.Sh. Më: 23 qershor 2020 Në ora: 08:42
Bardhyl Mahmuti dhe Lutfi Haziri

Politologu dhe veprimtari i çështjes kombëtare, Bardhyl Mahmuti përmes një postimi në Facebook, i ka reaguar Lutfi Hazirit i cili ka thënë se në dialogun Kosovë – Serbi, Kosova do të jap diçka.

Mahmuti thotë se kërkesa për t’i dhënë diçka Serbisë është për t’i kënaqur xhelatët që kryen gjenocid në Kosovë.

Ai thotë së çasja e Lutfi Hazirit është e në harmoni me çasjen e Aleksandër Vuçiqit dhe Ivica Daçiqit.

“Për pavarësinë e vet Kosova ka dhënë shumë gjak dhe sakrifica dhe nuk ka çka jep asgjë më shumë. Përkundrazi, në kontekst të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve ndërshtetërore”, shkruan ai, përcjell gazeta “Bota sot”.

Prandaj, kërkesa për t’i “dhënë diçka Serbisë”, sipas tij, që shpesh ambalazhohet “si kompromis”, që të na njohë pavarësinë e shtetit tonë është kërkesë për të kënaqur xhelatët që kryen gjenocid në Kosovë.

“Aleksandar Vuçiqit, Ivica Daçiqit, Lutfi Hazirit dhe të gjithë atyre që mendojnë si ata, u themi se çështja e njohjes së pavarësisë së Kosovës nga ana e Serbisë është çështje politike, që varet edhe nga vullneti i saj. Ndërsa pranimi i krimit të gjenocidit në Kosovë është çështje e drejtësisë dhe duhet t’i imponohet Serbisë!”, potencon ndër tjera ai.

Postimi i plotë:

NË PRAG TË DIALOGUT NË UASHINGTON

Kërkesa për t’i “dhënë diçka Serbisë”, që ambalazhohet “si kompromis”, është kërkesë për të kënaqur xhelatët që kryen gjenocid në Kosovë.

Në prag të takimit të 27 qershorit të delegacionit të Kosovës dhe të Serbisë në Uashington gjithnjë e më tepër përsëritet deklarata e Nënkryetarit të LDK-së Lutfi Haziri, se “në procesin e dialogut me Serbinë, Kosova do të jep diçka, Kosova duhet të ofrojë diçka për të përballuar këtë proces, sepse ne nuk mund të themi se po shkojmë atje dhe do të kapitalizojmë 100 për qind kërkesat tona”.

Kjo qasje e neveritshme është në harmoni të plotë me qasjen e Aleksandar Vuçiqit dhe Ivica Daçiqit, të cilët vazhdimisht trumbetojnë se Serbia nuk mund të humbë çdo gjë dhe se asaj duhet t’i jepet diçka nga Kosova.

Aleksandar Vuçiqit, Ivica Daçiqit, Lutfi Hazirit dhe të gjithë atyre që mendojnë si ata, u themi se që nga okupimi i Kosovës nga Serbia, për realizimin e pavarësisë nga ky shtet, populli shqiptar i Kosovës KA DHËNË:

- Qindra mijëra viktima të spastrimit etnik të territoreve shqiptare që përpara okupimit serbe hynin në atë që quheshin Sanxhak i Nishit dhe Vilajet i Kosovës

- Dëbimi i 1/3 së popullsisë shqiptare në Turqi me qëllim të realizimit të spastrimit etnik;

- Dhjetëra mijëra të vrarë dhe qindra mijëra të burgosur përpara se të shpërthente lufta e vitit 1998-1999;

Vetëm gjatë luftës së fundit kur u zbatua politika e gjenocidit të shtetit serb mbi popullin shqiptar, KOSOVA KA DHËNË:

- 1392 fëmijë të vrarë

- 1739 gra të vrara

- Mbi 10 mijë civilë tjerë të të gjitha moshave

- Mbi 20 mijë gra të dhunuara

- Mbi 1 milion njerëz të dëbuar me qëllim të spastrimit etnik të Kosovës

- Shkatërrimin e 100589 shtëpive të shqiptarëve

- Shkatërrimin e 358 objekteve shkollore shqipe

- Shkatërrimin e 30 shtëpive kulturore shqiptare

- Shkatërrimin e 93 bibliotekave në vendbanimet shqiptare

- Shkatërrimin e 123 institucioneve shëndetësore

- Shkatërrimin e 220 objekteve të kultit fetar (215 xhami, teqe, tyrbe dhe 5 kisha katolike).

Për pavarësinë e vet Kosova ka dhënë shumë gjak dhe sakrifica dhe nuk ka çka jep asgjë më shumë. Përkundrazi, në kontekst të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve ndërshtetërore:

- Serbia DUHET TË JEP LLOGARI PËR GJENOCIDIN QË KREU NË KOSOVË!

- Serbia duhet t’i jep drejtësisë ndërkombëtare tërësinë e njerëzve të zinxhirit që kreu këtë gjenocid;

- Serbia duhet të ndriçojë fatin e mbi 1600 njerëzve që janë zhdukur gjatë procesit të fshehjes së gjurmëve të gjenocidit;

Prandaj, kërkesa për t’i “dhënë diçka Serbisë”, që shpesh ambalazhohet “si kompromis”, që të na njohë pavarësinë e shtetit tonë është kërkesë për të kënaqur xhelatët që kryen gjenocid në Kosovë.

Aleksandar Vuçiqit, Ivica Daçiqit, Lutfi Hazirit dhe të gjithë atyre që mendojnë si ata, u themi se çështja e njohjes së pavarësisë së Kosovës nga ana e Serbisë është çështje politike, që varet edhe nga vullneti i saj. Ndërsa pranimi i krimit të gjenocidit në Kosovë është çështje e drejtësisë dhe duhet t’i imponohet Serbisë!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat