Selimi takohet me ambasadoren e Mbretërisë së Holandës, zotohet për luftim të korrupsionit

Aktuale

Selimi takohet me ambasadoren e Mbretërisë së Holandës, zotohet për luftim të korrupsionit

Më: 23 qershor 2020 Në ora: 16:22
Selim Selimi

Ministri i Drejtësisë, Selim Selimi, ka pritur sot në takim Ambasadoren e Mbretërisë së Holandës në Kosovë, Gerrie Willems.

Gjatë takimit, Selimi e informoi ambasadoren për progresin e Ministrisë së Drejtësisë, duke theksuar se ka në prioritet, veçanërisht luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, procesin e Rishikimit Funksional të Sundimit të Ligjit dhe krijimin e Gjykatës Komerciale.

Ministri Selimi dhe ambasadorja Willems u pajtuan se forcimi i shtetit të së drejtës, përpos impaktit juridik që ka, është thelbësore për zhvillimin ekonomik të vendit dhe për përmirësimin e klimës biznesore, e cila do të promovojë bizneset vendore si dhe investimet e huaja.

Ambasadorja Willems tha se është e vetëdijshme për punët dhe sfidat që e presin Ministrinë e Drejtësisë, por sipas saj Holanda është e gatshme të vazhdoj me ofrimin e mbështetjes së plotë në fuqizimin e sundimit të ligjit në Kosovë me synim të konsolidimit të një sistemi të pavarur dhe efikas të drejtësisë, që është në interes të qytetarëve të Kosovës.

Në fund, Selimi falënderoi ambasadoren Willems, ndërsa vlerësoi lartë përkrahjen e madhe të Mbretërisë së Holandës në të gjitha proceset që ka kaluar Republika e Kosovës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat