UNDP ndihmon me pajisje Agjencinë për Menaxhimin e Emergjencave kundër COVID-19

Aktuale

UNDP ndihmon me pajisje Agjencinë për Menaxhimin e Emergjencave kundër COVID-19

Më: 24 qershor 2020 Në ora: 15:42
Pamje nga takimi

Programi i Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP) në Kosovë, si reagim të menjëhershëm ndaj COVID-19 dhe në përputhje me mandatin për të zhdukur varfërinë dhe për të zvogëluar pabarazitë, i dhuroi sot 230 kuti me maska, 1300 dorëza dhe 10000 mantilë mbrojtës Agjencisë për Menaxhimin e Emergjencave (AME).

Pajisjet do t'i mundësojnë ekipeve në terren të AME-së si Qendrat Lokale Operative të vazhdojnë punën e tyre në mënyrë më efektive dhe të sigurt.

Hasan Kodra, ushtrues detyre i drejtorit të Përgjithshëm të Agjencisë për Menaxhim të Emergjencave, Xheva Berisha, projekt menaxhere në UNDP dhe zyrtarë të tjerë të AME ishin të pranishëm në dorëzimin që u mbajt në lokalet e Agjencisë për Menaxhim të Emergjencave.

Gjatë pranimit të këtij donacioni, Kodra në emër të stafit shprehu mirënjohje dhe falënderim për përkrahjen e vazhdueshme nga UNDP në të gjitha periudhat e më hershme, por në veçanti edhe në procesin e menaxhimit me pandeminë COVID -19.

Ndërsa Berisha tha se UNDP është e përkushtuar që në vazhdimësi të mbështesë institucionet e Kosovës që edhe në kohë pandemie të vazhdojnë me ofrimin e shërbimeve në mënyrë sa më efikase dhe që të jenë në gjendje që në mënyrë efikase të mbrojnë jetët e njerëzve.

Ndryshe, që nga shpërthimi i COVID-19, UNDP në Kosovë, si Agjenci kyçe e Ekipit të OKB-së në Kosovë (UNKT), është duke mbështetur qytetarët dhe institucionet e Kosovës që të përgatiten, t'i përgjigjen dhe të rimarrin veten nga pandemia duke u përqendruar veçanërisht në më të prekurit. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat