Gucati: Ngritja e aktakuzave para takimit në Uashington është e qëllimshme

Aktuale

Gucati: Ngritja e aktakuzave para takimit në Uashington është e qëllimshme

Më: 25 qershor 2020 Në ora: 13:26
Hysni Gucati

Një ditë më parë, Gjykata Speciale ngriti dy aktakuza ndaj të parit të shtetit dhe kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës. Hashim Thaçi e Kadri Veseli akuzohen për një sërë krimesh kundër njerëzimit dhe krimesh lufte ndër të cilat, vrasje e paligjshme, zhdukje e detyruar e personave, përndjekje dhe tortura. Të gjitha këto kryetari i OVL-UÇK-së vlerëson se janë të papranueshme, ndër të tjera thekson se kjo gjykatë është politike.

Hysni Gucati thotë se është bërë gabim i madh në 2015 kur ishte votuar pro themelimit të Gjykatës Speciale. Megjithatë, ai thotë se beson në pafajësinë e Thaçit, Veselit, e gjithë pjesëtarëve të tjerë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

“Unë besoj në pafajësinë e tyre, jo vetëm në këta dy persona, por do të besoj në të gjithë pjesëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës të cilët do të ftohen nga Gjykata Speciale, do të besoj në pafajësinë e tyre. Do të besoj në punën e tyre të drejtë që e kanë bërë edhe luftën e tyre të drejtë që e kanë bërë”, deklaron ai.

Kryetari i OVL-UÇK-së thekson se dje i është dhënë një grusht i fortë Kosovës me ngritjen e këtyre dy aktakuzave. Meqë sipas tij, këta të fundit kanë pozita të larta në vend.

“Neve na është dhënë një grusht shumë i fortë dje me këto dy aktakuza. Sepse do të thotë është ftuar presidenti i vendit dhe një lider i një partie siç është z.Veseli. Apo një lider i UÇK-së siç ka qenë Hashim Thaçi, kupola e UÇK-së, ka qenë përfaqësues politik i UÇK-së, dhe Z.Veseli ka qenë një nga komandantët apo një ndër themeluesit e UÇK-së. Kështu që për Kosovën do të thotë shumë edhe në imazh edhe në të gjitha”, thekson Gucati.

Veç tjerash, Gucati thotë se kjo gjykatë është politike, këtë e lidh edhe me kohën kur u ngritën aktakuzat para shkuarjes në Uashington.

“Kjo është gjykatë politike, puro-politike. Pasi që pikërisht tri ditë para shkuarjes në Uashington është zgjedh që të ngritën këto dy aktakuza, vet fakti të len me kuptu që është politikë”, shton Gucati.

Gucati tregon se deri më tani kanë ardhur më shumë se 270 ftesa nga dhomat e specializuara për intervistim, e që numri më i madh është në cilësinë e dëshmitarit.

“Kanë ardhur mbi 270 ftesa kanë ardhur. Prej tyre shumica janë në cilësinë e dëshmitarit edhe të tjerët janë të dyshuar. Por, numri më i madh është në cilësinë e dëshmitarit”, deklaron Gucati.

Lajmin për ngritjen e aktakuzave, presidenti Hashim Thaçi e mori derisa po udhëtonte drejt Uashingtonit për një takim me palën serbe në Shtëpinë e Bardhë. Pjesëmarrjen e tij në këtë takim presidenti e anuloi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat