Likaj siguron deputetët: Politika nuk do të ndërhyjë në arsimin e lartë - Bota Sot
Likaj siguron deputetët: Politika nuk do të ndërhyjë në arsimin e lartë

Aktuale

Likaj siguron deputetët: Politika nuk do të ndërhyjë në arsimin e lartë

Më: 25 qershor 2020 Në ora: 15:52
Pamje nga takimi

Gjendja në arsimin e lartë ka qenë temë e diskutimit në mbledhjen e sotme të Komisionit për Arsim, Shkencë, Teknologji, Inovacion, Kulturë, Rini dhe Sport. Aty pyetjeve të deputetëve iu është përgjigjur ministri i Arsimit dhe Shkencës, Ramë Likaj, i cili ka premtuar se nuk do të lejojë ndërhyrje në arsimin e lartë.

Deputetët kanë pasur ankesa sa i përket Këshillit Shtetëror të Cilësisë, ndërsa ministri Likaj tha se nuk e di a ka ndërhyrje, por që ka premtuar se ai nuk do të lejojë ndërhyrje në këtë institucion.

Likaj: A ka ndikim në KSHC nuk e di, por po politika nuk ka kurrfarë ndikimi

“A ka ndikim në KSHC nuk e di, por po ju garantoj që në ministri politika nuk ka kurrfarë ndikimi, as nuk mundet me pas ndikim gjersa unë jam në krye të këtij resori, nuk ka me pas. Për atë ju mund të më mbani për fjale”, tha ai.

Deputetët e Komisionit të Arsimit, kanë pasur ankesa sa i përket KSHC-së, derisa kanë paralajmëruar se këtë çështje mund ta ngritin edhe në nivel të Kuvendit të Kosovës.

Deputetja e AAK-së Teuta Haxhiu, tha se është shqetësuese mospërfillja e Komisionit për Arsim nga ana e KSHC-së. Ajo bëri të ditur se kanë kërkuar një raport nga ky institucion, por që për më shumë se tri javë nuk kanë marrë përgjigje.

Haxhiu: Duke u ndarë në dy grupe skajshmërisht dhe duke shpërfillur në plotni komisionin Parlamentar

“Shqetësuese ngase po flitet për akreditim të programeve të arsimit të lartë dhe të institucioneve dhe problemet brenda KSHC-së duke u ndarë në dy grupe skajshmërisht dhe duke shpërfillur në plotni komisionin Parlamentar KSHC-ja. Ngase ne kemi kërkuar një raport nga KSHC-ja për shkak se në takimin e parë kur ata ishin këtu kanë ardhur me dy raporte dhe unë i kam disa shkresa që në fund ajo që neve kërkuam ishte që ta kërkojmë prapë edhe një herë një raport të tyre, kanë kaluar më shumë se tri javë dhe ende nuk kemi raport, secili nga ne mund të kemi informata të brendshme që individ të caktuar, që kanë pasur apo edhe kanë interesa të tyre personale po e bllokojnë siç e kanë bllokuar edhe procesin me listën e ekspertëve për muaj të tërë”, tha ajo.

Edhe deputeti i PDK-së, Sejdi Hoxha, tha se arsimi i lartë mund të jetë në krizë për shkak të egove të disa personave që janë në KSHC.

Hoxha: Arsimi i lartë mund të jetë në krizë të thellë si pasojë e egove personale të 5 personave

“Situata është shumë shqetësuese në KSHC, sinqerisht duhet urgjentisht një komunikim i mirëfilltë mes Qeverisë, komisionit Parlamentar, Kuvendit, anëtarëve të bordit, sepse i tërë arsimi i lartë mund të jetë në krizë të thellë si pasojë e egove personale të 5 personave që mund të jenë aty. Nëse nuk ka një rregullim të raporteve neve nuk na mbetet gjë tjetër përveç këtë çështje ta ngritim në nivel të Kuvendit”, tha ai.

Sa i përket KSHC-së, ministri i Arsimit dhe Shkencës Ramë Likaj, tha se procesi i akreditimit nuk bënë të dëmtojë institucionet dhe as studentët.

Likaj: Procesi i akreditimit nuk bënë me dëmtua institucionet

“Raporte të ndara, probleme kanë në komunikim, unë nuk i kap pru ata, nuk i kam emëruar, nuk i kam dërguar tek ju për ratifikim, por ata janë aty. Procesi i akreditimit nuk bënë me dëmtua institucionet, me i dëmtua studentët, të gjithë janë qytetarë të Republikës së Kosovës, kështu që trajtimi duhet të jetë i barabartë. Inatet personale na duhet me i lënë dhe me vazhdua me punë”, tha ai.

Deputeti i Vetëvendosjes Fitim Uka, ka kërkuar përgjigje nga ministri Likaj lidhur me emërimin e zëvendësministrit Driton Bardheci i cili nuk ka përfunduar studimet.

Uka: Çfarë lloj përgjegjësish do të ketë ky zëvendësministër

“Një zëvendësministër që të paktën aq sa neve dimë është pa një CV të pastër dhe vazhdon të jetë student dhe më intereson të di perspektivën tuaj në raport me këtë. Çfarë lloj përgjegjësish do të ketë ky zëvendësministër dhe cili është plani e programi i punës së tij”, tha ai.

Likaj tha se zëvendësministri Driton Bardheci do të orientohet në zgjidhjen e problemeve të të rinjve të vendit, derisa ka thënë se ai është në përgatitje të temës së diplomës në dy universitete, një publik dhe një privat.

Likaj: Ai studion në dy kolegje, njërin prej tyre e ka notën mesatare 9

“Sa i përket zëvendësministrit të Arsimit, Dritonin unë e kam pasur student, ai studion në dy kolegje, studion në kolegjin privat, njërin prej tyre e ka notën mesatare 9 edhe në universitetin publik. Në të dyja është në temë të diplomës, në universitetin publik e di saktë se është në temë të diplomës. Nuk është rast i shkëlqyeshëm, por është person shembullor, ka punuar shumë me rini. Është i nominuar politik, është një djalë i mirë, i cili i njeh problemet e rinisë”, tha ai.

Sa i përket shtyrjes së mbajtjes së testit të maturës, ministri Likaj u shpreh se do të organizojnë këtë testim vetëm për studentët të cilët janë regjistruar në universitete jashtë Kosovës.

Likaj: Dinamika e regjistrimit të studentëve duhet me u përshtat pa u dëmtuar publiku dhe privati

“Dinamika e regjistrimit të studentëve duhet me u përshtat pa u dëmtuar publiku dhe privati. Por, e kemi një problem tjetër që duhet me e zgjidh, është problemi i nxënësve të cilët kanë aplikuar me u regjistrua në universitete jashtë ku iu kërkohet. Unë kam kërkuar edhe ndihmë, kam analizuar edhe cka kanë bërë shtetet tjera të regjionit edhe në Evropë për me e zgjidh këtë çështje. Ekziston një zgjidhje që e kam menduar unë, zgjidhja është sot e kam pasur udhëheqësin e divizionit për vlerësim, standarde dhe ka marrë rekomandim që me e organizua provimin e maturës për të gjithë ata që kanë vërtetim që janë pranuar në universitete jashtë dhe ajo të bëhet në javën e parë të muajit gusht, në mënyrë që këta fëmijë mos me u dëmtua”, tha ai.

Kurse, sa i përket EQAR-it, ai tha se janë duke e pritur ftesën për EQAR, derisa tha se një pengesë që e kanë është funksionalizimi i komisionit të ankesave. Ai tha se pa u bërë ky funksionalizim nuk mund të pritet kthimi në EQAR. 

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat