KMDLNJ: Specialja shkeli në mënyrë flagrante të drejtat e njeriut

Aktuale

KMDLNJ: Specialja shkeli në mënyrë flagrante të drejtat e njeriut

Më: 25 qershor 2020 Në ora: 17:27
Veseli dhe Thaçi

Pas publikimit të lajmit për aktakuzë nga Gjykata Speciale ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit dhe disa personave të tjerë, ka reaguar Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut.

KMDLNJ thotë se rregullorja e brendshme e punës së Zyrës së Prokurorit të Specializuar nuk ka të drejtë, pa pëlqimin e palës, as të tregojë identitetin e personit apo personave të ftuar qoftë në cilësinë e të dyshuarit apo të dëshmitarit.

“Bërja publike e emrave të Hashim Thaçit dhe Kadri Veselit, pa u konfirmuar aktakuza nga gjykatësi i procedurës paraprake, është shkelje e paskrupullt e rregullores së punës, veprim joprofesional dhe tendencioz sikur që paraqet shkelje të rëndë të të drejtave të njeriut”, thuhet në reagim.

Përmendja vetëm e emrave të Hashim Thaçit dhe Kadri Veselit, sipas KMDLNJ-së, paraqet diskriminim ndaj tyre duke i vënë në pozitë të pabarabartë me të tjerët.

Argument shtesë që dëshmon se iu është bërë e padrejtë Thaçit dhe Veselit, sipas KMDLNJ-së, është se në lajmërimin për aktakuzë është përmendur edhe përpjekja e Thaçit dhe Veselit për të pengua punën e Gjykatës Speciale.

“Nëse Kuvendi i Kosovës e ka votuar ligjin për themelimin e Dhomave të Specializuara dhe nëse kjo vazhdimisht theksohet nga ndërkombëtarët se këto Dhoma të Specializuara janë pjesë e sistemit të drejtësisë të Kosovës, atëherë është krejtësisht normale që këta deputetë apo ky Kuvend, ashtu siç e ka votuar Ligjin për themelimin e Dhomave të Specializuara, sipas së njëjtës procedurë edhe mund të votojnë për zhbërjen e saj”, thotë KMDLNJ, ndërsa shton se “është fakt se kjo gjykatë nuk ka asnjë lidhje me sistemin e drejtësisë në Kosovë, nuk i nënshtrohet ligjeve të Kosovës dhe nuk e pranon autoritetin kosovar prandaj edhe nuk mund të zhbëhet, as nga Hashim Thaçi, as nga Kadri Veseli dhe as nga askush në Kosovë”.

Kjo për faktin se “në një aneks marrëveshje është rregulluar se në muajin gusht 2020 kur i skadon mandati kësaj gjykate, për vazhdimin e saj nuk ka nevojë fare të kërkojë pajtimin e autoriteteve kosovare por se mandati i vazhdohet me automatizëm”, potencon KMDLNJ.

“Prandaj, nuk është aspak profesionale dhe etike, që në këto rrethana të dezinformohet opinioni se në gusht deputetët e Kuvendit të Kosovës mund ta zhbëjnë këtë gjykatë. Absolutisht kjo është e pamundur në bazë të marrëveshjes së nënshkruar midis Kosovës dhe Holandës”, ka theksuar KMDLNJ-ja.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat