Mobilizohet PDK, paralajmëron nisma për vënien e kriminelëve serbë para drejtësisë

Aktuale

Mobilizohet PDK, paralajmëron nisma për vënien e kriminelëve serbë para drejtësisë

Më: 27 qershor 2020 Në ora: 16:27
PDK

Partia Demokratike e Kosovës, sot, ka mbajtur takimet me Kryesinë, Grupin e saj Parlamentar dhe kryetarët e degëve.

PDK me anë të një komunikate për media thotë se publikimi i paprecedent i pretendimeve për aktakuzë për dy nga themeluesit e UÇK-së, dy personalitetet kryesore të lirisë dhe pavarësisë së Kosovës, kryetarit të partisë, Kadri Veseli dhe presidentit të vendit, Hashim Thaçi, është veprim kundërthënës.

“Veprimi i tillë është shumë negativ dhe shqetësues për mungesën e paanësisë së domosdoshme dhe abuzim i pushtetit nga Zyra e Prokurorit të Specializuar duke lëshuar deklaratën para se Gjykata t’i konfirmojë ose rrëzojë akuzat e ngritura që ai pretendon”, thuhet tutje në njoftim.

PDK është e bindur se populli shqiptar ka qenë në anën e duhur të historisë, se lufta e popullit tonë e udhëhequr nga UÇK-ja ka qenë e drejtë, e pastër dhe një luftë mbrojtëse çlirimtare, prandaj edhe fitoi zemrat e gjithë botës perëndimore që u bashkuan në përpjekjet e popullit tonë për liri e pavarësi. 

“Nuk mund dhe nuk do të lejohet të ndryshohet historia. Serbia ka qenë agresore dhe kryese e krimeve makabre dhe gjenocidit në Kosovë”, thuhet tutje aty.

PDK shton se ky është një moment vendimtar për të siguruar një mbështetje gjithëpërfshirëse në realizim të nismës së Kryetarit Veseli për riaktivizimin dhe intensifikimin e përpjekjeve të Kosovës për drejtësinë tranzicionale, forcimin e memories kolektive dhe gjetjen e vënien para përgjegjësisë ligjore të kriminelëve që kanë masakruar civilët shqiptarë.  

Kjo sfidë nuk do të lejohet as ta ndalë, as ta ndajë, as ta dobësojë Kosovën dhe të ardhmen e saj. Orientimi euroatlantik i Kosovës dhe miqësia e përhershme me SHBA-në, do të mbesin prioritetet e përhershme të shtetit tonë dhe angazhimi i përditshëm i PDK-së. 

“Ne ju bëjmë thirrje strukturave drejtuese të partisë, anëtarësisë, qytetarëve dhe të gjitha partive politike që të shfaqin maturi dhe solidaritet, në mënyrë që së bashku ta mbrojmë luftën tonë të drejtë dhe interesin e shtetit tone”, thuhet në komunikatë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat