​Avokatja e Hagës: Thaçit dhe Veselit iu bë gjyqi i opinionit publik

Aktuale

​Avokatja e Hagës: Thaçit dhe Veselit iu bë gjyqi i opinionit publik

Më: 28 qershor 2020 Në ora: 19:46
Ilustrim

Avokatja e njohur botërore, Nevenka Tromp, njëherësh ligjëruese në studimet evropiane të Universitetit në Amsterdam dhe ish-hulumtuese e Tribunalit të Hagës për 12 vjet me radhë, ka thënë në emisionin ‘Novi dan’ për televizionin N1, se pretendimet ndaj Hashim Thaçit dhe Kadri Veselit nuk janë ende aktakuzë.

„Ajo çfarë është krijuar tani në publik është një lloj ideje se në fakt janë ngritur aktakuzat kundër Thaçit, Veselit dhe disa personave të tjerë të cilët ishin bashkëpunëtorë të tyre të afërt gjatë kohës së luftës. Kjo nuk është e saktë, ky është vetëm publikim i Prokurorisë se punojnë në aktakuza të cilat përfshijnë edhe Thaçin dhe Veselin“, ka thënë Tromp.

Ajo ka thënë se prej kur merret me drejtësinë dhe prej ku ka punuar në Tribunalin e Hagës, një precedent i tillë i publikimit të një aktakuze të pakonfirmuar nuk ka ndodhur kurrë.

„Vetë akti i dorëzimit të draftit të aktakuzës është çështje e reputacionit të atij ekipi, të tërë prokurorisë, sepse nëse ti i dorëzon gjykatësve draftin e aktakuzës dhe nuk i ke dorëzuar argumente të cilat janë mjaftueshëm të forta në mënyrë që të emërohet, kjo quhet Prima facie në zhargonin ligjor, dhe nëse kjo aktakuzë del e pasuksesshme atëherë kjo është një turp absolut për tërë Zyrën e Prokurorit“, ka thënë Tromp.

E pyetur nëse ekziston lidhja apo ndërhyrja e politikës, pasi që momenti kur është publikuar ishte kur Thaçi ishte nisur dhe ishte dy ditë para takimit në Uashington, Tromp ka thënë se kur bëhet fjalë për gjykimet apo hulumtimet për krime të motivuara politikisht apo për qëllime politike, atëherë as institucioni ligjor nuk mund të shkëputet nga politika.

„Të gjithë që kemi punuar në raste të tilla do ta kishim të pamundshme që pas aq shumë vitesh të paralajmërimit të këtyre aktakuzave, sikur Zyra e prokurorit punën e vet mos ta kishte kuptuar aq seriozisht sa të dorëzoj draftin e aktakuzës, pra jo aktakuzën, e cila është e tillë vetëm nëse e konfirmojnë gjykatësit. Është e pamundshme që ata do të bënin diçka të tillë, pa u siguruar që kanë bërë gjithçka që është e mundshme në atë moment, sepse këtu bëhet fjalë jo vetëm për reputacionin e Kryeprokurorit Jack Smith, jo vetëm për prokurorinë e kësaj Gjykate, por këtu bëhet fjalë për gjithë konceptin e Gjykatës, a ka kjo gjykatë të drejtë të ekzistojë. Është e pabesueshme, dhe për atë është interesante dhe e rëndësishme të shikohet nga këndi normativ se çka është duke u bërë. Ta lëmë politikën në këtë moment të presë si temë, sepse kjo është një moment vendimtar“, ka thënë ajo.

Ajo ka thënë se këto akuza që rëndojnë mbi Thaçin e Veselin as vetë Millosheviqi nuk i kishte përdorur sa kishte qenë në gjykim për pothuajse 4 vite gjatë marrjes në pyetje të dëshmitarëve kosovarë dhe të tjerëve.

“Për mua kjo është një pikëpyetje e madhe, se si pas vdekjes së tij, ne flasim për njëfarë krimi të madh e të tmerrshëm dhe shumë dëshmi, të cilat Millosheviqi kurrë nuk i ka përdorur në gjykatë dhe ai kishte të gjitha të drejtat ti përdorte. Për mua e gjithë kjo histori, nga fillimi i publikimit të librit nga Karla Del Ponte nga viti 2008, nga rasti i Martit, nga rapori i Mart Williamsonit, e deri tek konstituimi i kësaj Gjykate, absolutisht është e politizuar, vetë ekzistimi i Gjykatës për mua është politizim“, ka thënë ajo, duke thënë se këtë bindje ia forcon edhe më shumë sjellja e Prokurisë së kësaj Gjykate, e cila nuk është në gjendje të lëshoj një aktakuzë dhe se tani përnjëherë prokuroria nuk thotë që ne nuk kemi dëshmi, ne nuk e dimë se çka po bëjmë, nuk e dimë si do të jetë ekstrakti, por thotë që ne nuk mundemi sepse Thaçi dhe Veseli po punojnë fshehtas për të na penguar. Pyetja ime është, çka saktësisht ata po punojnë në fshehtësi, na e thoni, pastaj ne që kemi punuar me raste të ngjashme ndoshta do të mund të ju ndihmojmë, nëse ata ju pengojnë që të vini deri tek dëshmitë.

Avokatja e njohur Nevnka Tromp, konsideron se Thaçi e Veseli simbolikisht janë vendosur në listën e parë, sepse suksesi i Gjykatës absolutisht varet prej asaj se sa lart shkon dhe cili i akuzuar është më i rëndësishmi dhe më lart i pozicionuar.

Nga ana tjetër, ajo ka thënë se mendon se në këtë rast shihet edhe ndikimi i Serbisë dhe shtetit të Serbisë që insiston në atë që të kriminalizohet e gjithë udhëheqësia politike e Kosovës së pavarur, pasi që të njejtën gjë e kanë bërë me Limajn, me Haradinajn të cilët që të dy janë liruar.

Sipas saj, tani është tentativa që kjo garniturë në pushtet, e cila ka të kaluar të luftës dhe Thaçi ka pushtetin më të madh në Kosovë, të sulmohet duke e kriminalizuar gjithë gjeneratën UÇK-së, e cila në fakt e ka gjunjëzuar Serbinë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat