Serwer: Thaçi duhet të japë dorëheqje nëse i vërtetohet aktakuza nga Specialja

Aktuale

Serwer: Thaçi duhet të japë dorëheqje nëse i vërtetohet aktakuza nga Specialja

Më: 28 qershor 2020 Në ora: 23:21
Daniel Serwer

Eksperti amerikan për çështjen e Ballkanit, Daniel Serwer, në një shkrim të tij në Peace Fare ka thënë se presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi duhet të japë dorëheqje nga posti i tij, nëse aktakuza e tij nga Gjykata Speciale konfirmohet në korrik.

Sipas tij, këtë duhet ta bëjë me dinjitet dhe të shkojë në Hagë për ta mbrojtur vetën. Shembuj thotë Serwer, ka mjaftueshëm, duke nisur nga ish-kryeministri Ramush Haradinaj.

Si rrjedhojë, ai gjykon se në krye të shtetit duhet të vijë një kandidat jopolitik e ngjashme me ish-presidentin Atifete Jahjaga.

“Nëse padia konfirmohet në korrik, presidenti Thaçi duhet të jep dorëheqje me dinjitet dhe të shkojë në Hagë për të mbrojtur veten. Për këtë, ka precedent të mjaftueshëm: ish-kryeministri Haradinaj dy herë dha dorëheqje për të mbrojtur veten në Hagë, me sukses. Atëherë Parlamenti do të duhet të zgjedhje një kryesues të ri të shtetit, apo të rrezikon zgjedhje të reja brenda 45 ditëve. Një kandidat i spikatur, i pakomprometuar, dhe jo politik, i ngjashëm me ish-Presidenten Atifete Jahjaga, është drejtimi i duhur. Kosova ka bollëk të njerëzve shumë të kualifikuar, e posaçërisht gra. Shumë pak nga ato mund të akuzohen për krime lufte dhe shumica janë të pastra nga korrupsioni dhe keqbërje tjera”, ka thënë ai.

Serwer thotë se aktakuza e Speciales i ka bërë disa të mendojnë se evropianët e kanë planifikuar pasi nuk u pajtuan me nismën e amerikanëve, porse sipas tij, amerikanët ia bënë vetës pasi erdhën në përfundim se takimi kisha pak gjasa për sukses.

“Lajmërimi këtë javë që prokurori i Gjykatës Speciale në Hagë ka kërkuar paditjen e Presidentit të Kosovës Hashim Thaçi dhe të ish kreut të Parlamentit, shkatërroi mundësinë e një mbledhjeje ‘ekonomike’ në mes Kosovës dhe Serbisë që duhej të mbahej në Uashington këtë fundjavë. Kjo ka bërë që disa të mendojnë se evropianët e kanë zier këtë gjë, ngase nuk u pajtuan më këtë nismë të amerikanëve, dhe disa prej tyre e kanë kritikuar Thaçin me vite. Un mendoj më shumë se amerikanët ia bënë këtë gjë vetes, sepse erdhën në përfundim që takimi kishte pak gjasa për sukses”, ka thënë ai.

Serwer thotë se “sidoqoftë, është vështirë të besohet që nisma, disa do të thonin e paligjshme, që të publikohet aktakuza, nuk është ditur nga Brukseli apo Uashingtoni para se të ndodhte. E që nuk e kanë ndalur. Rezultati është një termet cili e ka shkundur shtetin e Kosovës”.

Sipas tij, Kosova do të ketë nevojë për një qeveri me një shumicë më të madhe në Parlament, dhe një president të ri.

Ai thotë se asnjë kryeministër i Kosovës nuk duhet të shkojë në Uashington apo Bruksel, për të rinisur dialogun me Beogradin, pa një shumicë që i afrohet asaj të Presidentit Vuçiq, i cili fitoi më shumë se 75% të ulëseve në Parlament në zgjedhjet e fundjavës së kaluar në Serbi, gjersa opozita i bojkotoi ato.

“Për të arritur këtë, kryeministrit Hoti, i cili e mori pozitën para më pak se dy muajve, do t’i duhet të përfshijë ose Partinë Demokratike të Kosovës (PDK), ose Vetëvendosjen (VV), të cilët e udhëhoqën qeverinë jetëshkurtër para Hotit. Për t’i thënë të dy partive që të bashkohen në një qeveri do të ishte e tepërt, ngase e përbuzin njëra tjetrën. PDK-ja do t’i lëpij plagët, ngase Presidenti është themeluesi i saj, ndërsa ish kreu i parlamentit është kryetari i partisë, dhe me siguri do të ketë edhe të akuzuar tjerë nga udhëheqësia e tyre. VV-ja do të udhëheqë një pazar të vështirë, por do të ishte një shtesë e majmë për koalicionin e dobët”, ka thënë ai.

Sipas tij, zgjedhjet e reja do të sillnin VV-në sërish në fuqi me një përfaqësim edhe më të fuqishëm në parlament.

“Por koha dhe gara politike që kërkojnë zgjedhje e reja do ta lënë Kosovën pezull në një moment shumë të rëndësishëm. Një shtet i dobësuar do të jetë i brishtë ndaj lloj-lloj marifeteve, nga evropianët, amerikanët, ruset e tjerët. Do të ishte shumë më mirë nëse fuqia e dukshme që ka VV-ja të njihet pa i përsëritur zgjedhjet e tetorit të 2019”, ka thënë ai.

Serwer deklaron se Kosova duhet ta stabilizojë vetën, së pari duke i përfunduar sulmet ndaj serbëve dhe pronave të tyre dhe duke iu dhënë fund grindjeve të brendshme brenda popullatës shqiptare.

Sipas tij, sulmet ndaj serbëve i japin fuqi Beogradit të thotë se grupet etnike duhen ndarë dhe territori i okupuar nga serbët t’i jepet Serbisë njëjtë si shumica e popullatës që janë në jug të lumit Ibër.

“Një transfer i tillë i territorit dhe njerëzve është një kërcënim i jashtëzakonshëm ndaj Kosovës si shtet i pavarur dhe sovran, ngase do të hiqte një pengesë të madhe për bashkimin me Shqipërinë: popullatën serbe”, ka thënë ai.

Ai ka shtuar se takimi në Uashington nuk shihej si i mirë dhe anulimi i saj nuk është humbje për askënd.

“Edhe Kosova edhe Serbia duhet të përmirësojnë marrëdhëniet e tyre politike dhe ekonomike. Dialogu i udhëhequr nga BE-ja ka qenë pa ndonjë rezultat të rëndësishëm që nga 2013, por Brukseli ende mbanë stimulet kryesore për të bërë realitet normalizimin e marrëdhënieve në mes këtyre dy shteteve, përfshirë edhe premtimin e bërë Kosovës se do të njihet nga pesë shtetet e BE-së që nuk ia njohin pavarësinë. Roli i drejtë i SHBA-së është që të përkrahë BE-në, gjë që është e vështirë tani ngase administratës së Trumpit nuk i pëlqen as Evropa e as Unioni. Do të ishte gjë më e lehtë në një administratë të Bidenit, gjë që duket edhe e mundur gjersa Covid-19 po ndizet sërish në shtetet e kuqe republikane në jug dhe perëndim. Por kjo çështje nuk do të zgjidhet deri më 3 nëntor. Për momentin, më e rëndësishmja është baraspesha e fuqisë në Ballkan. Serbia tashmë është e fortë. Fuqizimi i shtetit të Kosovës është parakusht për një rezultat më të mirë”, ka thënë Serwer.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat