Caktohet ekspertizë e re financiare në gjykimin për korrupsion ndaj Pal Lekajt dhe të tjerëve

Aktuale

Caktohet ekspertizë e re financiare në gjykimin për korrupsion ndaj Pal Lekajt dhe të tjerëve

Më: 29 qershor 2020 Në ora: 14:18
Pal Lekaj

Të hënën, në Gjykatën Themelore në Gjakovë, është vendosur që të bëhet edhe një ekspertizë e re financiare, në rastin ku për vepra penale që lidhen me korrupsionin po akuzohet ish-kryetari i Komunës së Gjakovës, Pal Lekaj dhe të tjerët.

Pal Lekaj akuzohet për keqpërdorim të pozitës zyrtare, për kohën sa ka qenë në krye të kësaj komune.

Bashkë me Lekajn, për keqpërdorim pozite po akuzohet edhe Ismet Isufi dhe Gani Rama, ndërsa për mashtrim me subvencione dhe shmangie nga tatimi po akuzohet Veli Hajdaraga, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Pas administrimit të provave materiale, kryetari i trupit gjykues, gjykatësi Shaqir Zika deklaroi se ka shumë kundërthënie në mes të ekspertizave të propozuara nga prokuroria, ekspertizave private si dhe ekspertizës së ekspertit financiar të caktuar nga gjykata Riza Blakaj, andaj dhe tha se kanë vendosur që të caktojnë një grup ekspertësh për përpilimin e një ekspertize të re.

Ai shtoi se do t’i drejtohet dekanit të Fakultetit Ekonomik në Prishtinë, i cili më pas do të caktojë një grup eskpertësh për përpilimin e ekspertizës sipas detyrave që do t’ia caktojë gjykata.

Ndryshe, në fillim të seancës mbrojtësi i të akuzuarit Gani Rama, avokati Ndrecë Dodaj deklaroi se kanë vërejtje në të gjitha provat e aktakuzës, pasi që sipas tij asnjëra provë nuk e vërteton se i mbrojturi i tij ka marrë pjesë në alokimin e atyre subvencioneve sipas aktakuzës.

Ndërsa, mbrojtësi i Pal Lekajt, avokati Arianit Koci deklaroi se eskpertiza e ekspertit financiar Riza Blakaj e ka qartësuar gjendjen dhe ka vërtetuar pa mëdyshje se klienti i tij nuk ka përgjegjësi penale.

Edhe mbrojtësi i të akuzuarit Ismet Isufi, avokati Bajram Morina deklaroi se eksperti Blakaj ka vërtetuar se i akuzuari Isufi nuk e ka dëmtuar buxhetin e Komunës, apo të ketë realizuar ndonjë përfitim personal.

Seanca e radhës pritet të caktohet pas pranimit të ekspertizës financiare.

Ndryshe, në gusht të vitit 2019 lënda e të akuzuarit Gani Rama ishte bashkuar me lëndën e Pal Lekajt dhe të tjerëve pas propozimit që kishte bërë prokurori special, Atdhe Dema që këto dy lëndë të bashkoheshin me arsyetimin se këto çështje janë të njëjta dhe të ndërlidhura.

Kjo është hera e dytë që rasti ndaj të akuzuarit Rama është kthyer në rigjykim, pasi që Gjykata Themelore në Gjakovë, atë dy herë e kishte liruar nga akuza.

Gjykata Themelore në Gjakovë më 13 shkurt 2017, e kishte liruar nga akuza të akuzuarin Rama, me arsyetimin se nuk është arritur të provohet se ai ka kryer veprën penale për të cilën akuzohet.

Mirëpo, pas ankesës së Prokurorisë Speciale të Kosovës, Gjykata e Apelit rastin ndaj të akuzuarit Rama e kishte kthyer në rigjykim.

Pas rigjykimit, Gjykata Themelore në Gjakovë, me aktgjykimin e 9 shkurtit të vitit 2018, e kishte liruar përsëri nga akuza të akuzuarin Rama, me arsyetim se nuk është arritur të provohet se ai e ka kryer veprën penale për të cilën akuzohet.

Mirëpo, më pas, Gjykata e Apelit më 1 nëntor 2018, e ka kthyer rastin përsëri në rigjykim, duke  e aprovuar kështu ankesën e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës.

Sipas aktvendimit të Gjykatës së Apelit, aktgjykimi i Gjykatës Themelore në Gjakovë ishte i përfshirë në shkelje esenciale të dispozitave të procedurës penale.

Në arsyetim Apelit thuhet se gjykata e shkallës së parë aktgjykimin e ka mbështetur tërësisht në mendimin e ekspertit financiar, mirëpo sipas Apelit, eksperti nuk ka dhënë mendim të qartë dhe konkret lidhur me pozitën që ka mbajtur dhe kompetencat që ka ushtruar i akuzuari Rama.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, e ngritur më 26 maj 2016, Gani Rama, po akuzohet për veprën penale “keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”.

Sipas aktakuzës, gjatë periudhës kohore 2008 – 2012, Gani Rama, në cilësinë e personit zyrtar, financiar në Komunën e Gjakovës, me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore për vete ose për personin tjetër, apo që t’i shkaktojë dëme personit tjetër, kishte lejuar alokimin dhe aprovimin e mjeteve monetare.

Sipas aktakuzës, kjo kishte të bënte me pagesat që i janë bërë biznesit “DPT Union-VL”, me pronar Veli Hajdaraga, për shpërndarjen e subvencioneve pa asnjë procedurë, pa kontratë si dhe pa pasur fatura të rregullta.

Sipas prokurorisë shuma e keqpërdorur pretendohet të jetë  218.956.67 euro.

Ndërkohë, Prokuroria Speciale e Kosovës aktakuzën ndaj Pal Lekajt dhe të tjerëve e kishte ngritur më 10 prill 2016.

Para se aktakuza pjesërisht të hudhej poshtë, Pal Lekaj së bashku me Ismet Isufin, Pashkë Sylën, Bekim Sylën, Teuta Mejzinin dhe Dafina Thaqin akuzohen se duke vepruar si zyrtarë të Komunës së Gjakovës, kanë keqpërdorur pozitat e tyre zyrtare gjatë shpërndarjes së subvencioneve.

Pal Lekaj dhe Ismet Isufi, akuzohen se gjatë periudhës 2008-2014, duke vepruar në cilësinë e personave zyrtarë, i pari në cilësinë e kryetarit të Komunës së Gjakovës, ndërsa i dyti si drejtor i Drejtorisë për Bujqësi, kanë shpërndarë subvencione, përmes kompanisë “UNION-VL”, në kundërshtim me Ligjin për Menaxhimin e Financave Publike.

“Vendimet që i ka lëshuar i pandehuri Pal Lekaj, mbulojnë vetëm shumën prej 235.400 euro, ndërsa vendimet e tjera nuk kanë asnjë lloj baze juridike e që shkojnë deri në shumën prej 631.671.82 euro”, thuhet ndër të tjerash në aktakuzë.

Sipas aktakuzës, subvencionet janë autorizuar nga të akuzuarit pa mbikëqyrje nëse pagesat janë bërë ndaj fermerëve dhe duke mos pasur fare kontratë me kompaninë “UNION-VL” me ç’rast rreth 40% e mbi tre mijë fermerëve nuk kanë pranuar fare pagesat që janë autorizuar ndaj tyre.

Gjithnjë sipas aktakuzës, të akuzuarit kanë kaluar edhe kompetencat ligjore, sepse përveç fondit për subvencione, ata për subvencione kanë përdorur edhe linjat tjera buxhetore të Komunës së Gjakovës, duke i shkaktuar asaj një dëm të mundshëm deri rreth 250 mijë euro.

Ndërsa, të pandehurit Pashk Syla, Bekim Syla, Teuta Mejzini dhe Dafina Thaqi, akuzohen se duke e qenë në cilësinë e kryetarëve dhe anëtarëve të komisioneve për mbikëqyrjen e shpërndarjes së subvencioneve, kanë përpiluar raporte se kinse shpërndarje në teren e subvencioneve është bërë ashtu siç duhet, megjithëse rreth 40% e aplikuesve nuk kanë pranuar subvencionet.

Gjashtë të pandehurit akuzohen se me këto veprime, në periudha të ndryshme nga viti 2008 e deri në vitin 2014, në vazhdimësi kanë kryer veprat penale të përvetësimit gjatë ushtrimit të detyrës dhe keqpërdorimit të pozitës apo autoritetit zyrtar.

Në këtë rast, akuzohet dhe Veli Hajdaraga, i cili, sipas organit të akuzës, gjatë periudhës 2008-2015, ka dhënë informacione të pasakta se kinse të gjithë aplikuesit për subvencione kanë pranuar subvencionet dhe se ka lejuar që në vend të fermerëve që kanë qenë në lista për të marrë subvencione, të marrin persona tjerë që nuk kanë pasur të drejtë.

I akuzuari Hajdaraga, përveç veprës penale të mashtrimit me subvencione, akuzohet edhe për shmangie të tatimit në shumë prej rreth 35 mijë eurosh, sepse sipas prokurorisë, ai me qëllim të shmangies së pagesave të tatimit, ka deklaruar të ardhura më të vogla se ato në realitet për kompaninë e tij, “UNION-VL”.

Prokuroria Speciale në aktakuzë ka treguar se numri i fermerëve që është dashur të intervistoheshin është mbi tre mijë, andaj me një numër të të intervistuarve është fituar trendi se 40% e përfituesve të subvencioneve nuk i kanë pranuar fare ato.

Andaj, shuma e saktë e dëmit të shkaktuar që është mundur të vërtetohet nga fermerët e intervistuar, sipas aktakuzës, është rreth 70 mijë euro.

Ndryshe, Gjykata e Apelit, në mars të vitit 2019, e kishte lënë në fuqi aktvendimin e Gjykatës Themelore në Gjakovë, të marr me 10 janar 2019, e cila kishte konfirmuar aktakuzën e ngritur nga ana e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës (PSKR), me të cilën aktakuzë, Lekaj dhe Isufi akuzohen për keqpërdorim të pozitës zyrtare, kurse Hajdaraga për mashtrim në subvencione dhe shmangie nga tatimi.

“Gjykata e Apelit, njësoj si gjykata e shkallës së parë, konsideron se nuk ekzistojnë kushtet ligjore për hudhjen e aktakuzës dhe se provat që i janë bashkëngjitur asaj nga ana e Prokurorisë, janë të pranueshme. Qëndrueshmëria e tyre do të vërtetohet në seancën e shqyrtimit kryesor, ndërsa në këtë fazë të procedurës penale fajësia nuk mund të supozohet as nga gjykata, e as nga palët”, thuhej në komunikatën e Apelit.

Po ashtu, Gjykata e Apelit kishte refuzuar si të pabazuar edhe ankesën e prokurorisë në raport më të akuzuarit tjerë të këtij rasti, Pashk Syla, Bekim Syla, Teuta Mejzini, Dafina Thaqi, të cilët akuzoheshin për shkak të veprës penale të keqpërdorimit të pozitës zyrtare, ndaj të cilëve shkalla e parë kishte hudhur poshtë aktakuzën.

Ndryshe, edhe në nëntor të vitit 2018, Gjykata e Apelit kishte vendosur në lidhje me ankesat e mbrojtësve në këtë rast.

Kështu, Apeli e kishte kthyer në rivendosje rastin ndaj Lekajt dhe të tjerëve për sa i përket veprës penale të keqpërdorimit të pozitës zyrtare, për të cilën pikë, Gjykata Themelore në Gjakovë e kishte konfirmuar aktakuzën.

Sipas vlerësimit të Apelit, gjykata e shkallës së parë nuk ka dhënë arsye të mjaftueshme kur e kishte konfirmuar akuzën për veprën penale të keqpërdorimit të pozitës ndaj të akuzuarve dhe kishte refuzuar ankesat e mbrojtësve të tyre.

Kurse, sa i përket veprës tjetër të përvetësimit në detyrë, për të cilën edhe Themelorja kishte hudhur këtë pikë të aktakuzës, të njëjtën gjë e kishte vërtetuar edhe Apeli.

Ish-kreu i Komunës së Gjakovës dhe aktualisht ministri i Ministrisë së Infrastrukturës, Pal Lekaj dhe të tjerët ishin deklaruar të pafajshëm për të gjitha pikat e aktakuzës në seancën e shqyrtimit fillestar të mbajtur me 31 maj të vitit 2018. /BetimipërDrejtësi

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat