Mbyllet për publikun dhe mediat gjykimi për vrasjen në AKI

Aktuale

Mbyllet për publikun dhe mediat gjykimi për vrasjen në AKI

Më: 30 qershor 2020 Në ora: 11:11
Foto ilustrim

Gjykata Themelore në Prishtinë e ka mbyllur për publikun dhe mediat seancën e së martës, për rastin e vrasjes që kishte ndodhur në objektin e Agjencisë Kosovare për Inteligjencë (AKI) në shtator të vitit 2018, ku i akuzuari është Valon Ibërdemaj.

Ibërdemaj akuzohet se kishte privuar nga jeta Isa Sejdiun, e më pas, sipas prokurorisë, për të ikur nga vendi i ngjarjes kishte rrëmbyer një punëtore tjetër.

Në fillim të seancës, kryetarja e trupit gjykues, Shpresa Hasaj–Hyseni bëri të ditur se ka pranuar një kërkesë për mbyllje të shqyrtimit gjyqësor dhe përjashtim të publikut, duke u bazuar në nenin 294 dhe Ligjin e AKI-së, neni 16.1, 16.2 dhe 32.

Pas këtij njoftimi, ajo u ka dhënë mundësinë palëve që të deklarohen lidhur me këtë kërkesë.

Prokurori Ilaz Beqiri deklaroi se, duke pasur parasysh vendin ku ka ndodhur ngjarja, konsideron se ka të bëjë me një organ të cilit i dihet natyra dhe pa dashje gjatë shqyrtimit gjyqësor do të mund të dilte ndonjë informacion që nuk janë të interesuar të dal.

Prandaj, i njëjti tha se e jep pëlqimin e tij që shqyrtimi gjyqësor të mbahet i mbyllur.

Mirëpo, përfaqësuesi i palës së dëmtuar, avokati Skender Musa ka kërkuar që seanca të jetë publike.

Sipas tij, për shkak se vepra është kryer brenda objekteve të AKI-së dhe kryesit të veprës penale i ka mundësuar që përmes skanerëve ta fus armën në mënyrë ilegale dhe ta vras tani të ndjerin, nuk mund të fshehët AKI ndaj shkeljeve që i ka bërë,, raporton betimi për drejtësi.

“Për palën e dëmtuar pjesë e akuzës është dashur të jetë edhe shefi i sigurimit dhe punëtorët e sigurimit që atë ditë kanë qenë përgjegjës për kontroll. Prandaj, Kushtetuta e vendit, Kodi i Procedurës Penale i japin të drejtë opinionit publik që të ketë njohuri dhe dijeni se çka po ndodh në sallat e gjykimit dhe çfarë drejtësie po vendoset në vendin tonë. Unë kërkoj seanca të jetë publike”, ka thënë Musa.

Në anën tjetër, mbrojtësi i të akuzuarit Ibërdemaj, avokati Besnik Berisha ka deklaruar se institucioni i AKI-së nuk është i akuzuar dhe nuk mund të jetë subjekt i njollosjes nga askush dhe për asnjë arsye.

Sipas tij, në qoftë se provohet se veprimet e klientit të tij janë ato që përshkruhen në aktakuzë, dihet se ato janë individuale, ashtu si përgjegjësia e tij eventuale.

“Janë plotësu kushtet nga neni 294, paragrafi 1, pika 1.1 sepse shumica e dëshmitarëve që do të dëgjohen në këtë shqyrtim gjyqësor janë zyrtar të një institucioni vital të shtetit dhe nëse për asgjë tjetër, e kemi në borxh tua mbrojmë identitetin e tyre para publik sikurse ruajtjen e fshehtësisë zyrtare për shkak se historiku i klientit tim në këtë institucion patjetër që na detyron të shtrojmë pyetje dhe marrim përgjigje për një varg çështjes që për publikun janë fshehtësi”, ka thënë Berisha.

Edhe i akuzuari Ibërdemaj e ka përkrahur fjalën e mbrojtësit të tij.

Pas këshillimit me trupin gjykues, gjykatësja Hasaj- Hyseni mori vendim që në kuptim të nenit 294, paragrafi 1, nën paragrafi 1.1,1.2, 1.3 dhe 1.4 të përjashtohet publiku gjatë shqyrtimit të së martës.

“Andaj, do jetë i mbyllur për publikun mediat e të tjerat. Duke pas parasysh vendin ku ka ndodh ngjarja, ruajtjen e fshehtësisë zyrtar dhe mund të rrjedh gjatë deklarimit të zyrtarëve ndonjë informacion i fshehtë, të rrezikohet shqyrtimi i hapur, ruajtja e rendit, respektimi i ligjit dhe ekziston mundësia që mund të përmenden emra e ngjarje të ndryshme që në një far forme mund të jenë të mbyllura për publikun”, ka thënë ajo.

Sipas aktakuzës së ngritur më 21 mars 2019, Valon Ibërdemaj akuzohet se më 4 shtator 2018, rreth orës 09:31, në bufenë e objektit të AKI-së në Prishtinë, ka privuar nga jeta tani të ndjerin Isa Sejdiu, siç thuhet për shkak të xhelozisë, pasi që tani i ndjeri një ditë më parë në kohën e drekës, duke bërë shaka u ka thënë zyrtarëve të AKI-së se gjoja do të bëhet i madh, pasi ato ditë pritej të emërohej zëvendësdrejtori i AKI-së.

Aktakuza thotë se duke rrezikuar edhe jetën e tani të dëmtuarës F.B, derisa i ndjeri ishte në vendin e tij të punës, si menaxher kuzhine, ka shkuar i pandehuri në kuzhinë me revole në dorë, e ka thirrur në emër “Isa”, e tani i ndjeri është përgjigjur duke thënë “Urdhno xhaxh”, dhe i pandehuri menjëherë ka shtënë dy herë në distancë prej rreth tre metrash, e ka goditur në pjesën e majtë të gjoksit dhe i ka shkaktuar plagë vdekjeprurëse, e më pastaj me revole në dorë ka dal në oborr, i është afruar të dëmtuarës, ia ka vendosur revolen në kokë dhe e ka dërguar deri te vetura e tij, që ndodhej në parkingun e AKI-së.

Me këtë akuzohet se ka kryer veprën penale “Vrasje e rëndë”.

Kurse, në dispozitivin e dytë të aktakuzës, thuhet se pasi ka kryer veprën penale të vrasjes së rëndë, i pandehuri ka rrëmbyer F.B, në atë mënyrë që derisa e dëmtuara ka qenë duke pirë kafe në oborrin e objektit të AKI-së, papritmas ka dal i pandehuri nga objekti me armë në dorë dhe i është afruar asaj dhe nën kanosje të armës e ka detyruar që të shkojë te vetura e të pandehurit, e cila ishte e parkuar në parkingun e AKI-së dhe e i ka vënë armën në kokë.

Pastaj, sipas aktakuzës, e ka urdhëruar të shkojë në drejtim të portës kryesore të daljes nga oborri i AKI-së, e posa ka mbërritur te porta kryesore, aty i ka kanosur me armë edhe pjesëtarët e sigurimit, duke iu drejtuar me fjalët “e vrava, shkoj çika”.

Në aktakuzë thuhet se ai ka dal nga vetura, ka marrë të dëmtuarën dhe vazhdimisht ka mbajtur armën nga ajo, ndërsa tjetrën dorë ia ka mbajtur rreth qafe, ka ecur për të dalë jashtë objektit dhe kur është afruar te dera ka shkuar te komanda për ta hapur derën dhe aty është penguar nga zyrtari Sh.Sh, ndërsa zyrtari E.B, duke e parë atë gjendje, ka rënë në gjunjë para të pandehurit dhe i është drejtuar me fjalën “nëse dëshiron të vrasësh dikënd, më vrit mua”, e i pandehuri në ato çaste thuhet se i është drejtuar atij me fjalët “vetëm ty ta dha armën”, e më pas ia ka dhënë armën ku edhe është liruar e dëmtuara.

Më këtë, ai akuzohet se ka kryer veprën penale “Rrëmbimi”.

E në pikën e tretë të aktakuzës thuhet se nga koha e pa përcaktuar e deri më 4 shtator 2018, i pandehuri pa autorizim ka poseduar armën e llojit të lartcekur, me të cilën ka kryer veprën penale, ndërsa gjatë bastisjes nga ana e pjesëtarëve të Policisë së Kosovës, në banesën e tij është gjetur edhe sekuestruar edhe revolja e tipit “Colt Amadeous ROSSI S.A 38 special” dhe një thikë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat