Sabotimi dhe shfuqizimi i Speciales, çfarë tha Thaçi mbrëmë kur foli për aktakuzën

Aktuale

Sabotimi dhe shfuqizimi i Speciales, çfarë tha Thaçi mbrëmë kur foli për aktakuzën

Më: 30 qershor 2020 Në ora: 12:43
Hashim Thaçi

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi mbrëmë në paraqitjen e parë që nga lajmi për aktakuzë nga Specialja e ka bërë të qartë se do të përballet me drejtësinë, e se nëse akuzat ndaj tij konfirmohen. Presidenti i ka hedhur poshtë zërat se në Kosovë do të tentohet shfuqizimi i ligjit për Dhomat e Specializuara.

I pari i shtetit të Kosovës mbrëmë përmes një video mesazhi iu është drejtuar qytetarëve, për herë të parë pas njoftimit se Prokurori i Specializuar ka dorëzuar për konfirmim aktakuzën ndaj tij dhe kreut të PDK’së, Kadri Veselit nën dyshimin për kryerje të krimeve gjatë luftës.

Thaci ka bërë të ditur se është i gatshëm të përballet me drejtësinë, duke shtuar se në momentin kur ndaj tij konfirmohen akuzat, ai do të dorëhiqet nga posti i presidentit të Kosovës.

Ai ka hedhur poshtë zërat për shfuqizim të ligjit për Dhomat e Specializuara, duke thënë se mbi dy dekada ka mbështetetur iniciativat për ngritjen e gjykatave me përfshirje apo mbikëqyrje ndërkombëtare.

“Ky parim mbetet i njëjtë edhe sot, kur jam unë, Hashim Thaçi, që personalisht do të mund të përballem me një gjykatë për të cilën kam dhënë mbështetjen time politike, me fjalë e me votë. Në atë kohë, kishim përballë vetëm dy rrugë. Njëra të cilës i kam besuar tërë jetën e i besoj edhe sot – ecjes përpara në aleancë të ngushtë me Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimin Evropian; Dhe e dyta që kjo çështje t’i lihet në dorë Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara ku kanë ndikim të fuqishëm vendet që e kundërshtojnë shtetin e Kosovës. Vendimi im ishte strategjik në përputhje me vizionin për të ardhmen e Kosovës. Dhe nuk kam shikuar për përfitime ditore e politike”, tha dje presidenti duke shtuar se kushdo që thotë se ai ka qenë pengesë e sabotues i gjykatës është keqinformuar dhe është tendencioz.

“Sot, kush thotë se qenkam bërë pengesë, madje edhe sabotues i kësaj gjykate, në rastin më të mirë është i keqinformuar dhe në rastin”, ka thënë presidenti.

Me këtë deklaratë, presidenti e ka mohuar mundësinë e angazhimit për shfuqizim të Speciales, tash kur një gjë e tillë është diskutuar në publik dhe është kërkesë e përsëritur e organizatave të dala nga lufta.

Për të njejtën ka folur pas publikimit të lajmit për aktakuza edhe Raportuesi i Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, Peter Beyer.

Deputeti gjerman ka bërë thirrje për Kosovën që të mos e tërheqin bazën ligjore të Gjykatës Speciale.

“Nuk mund të përjashtohet mundësia që në Parlamentin e Republikës së Kosovës do të bëhen përpjekje për tërheqjen e bazës ligjore për Gjykatën Speciale. Përpjekjet e tilla duhet të kundërshtohen me gjithë qartësi në qasje. E njëjta vlen edhe për heqjen dorë nga imuniteti i Parlamentit. Çdo gjë më pak do të ishte fundi i besueshmërisë së elitave politike kosovare në rrugën drejt Evropës. Qytetarët e Kosovës nuk e kanë merituar këtë. E vërteta dhe vërtetësia është ajo që kanë pritur për një kohë të gjatë njerëzit në Kosovë”, ka deklaruar ai.

Se në Kosovë do të tendohet shfuqizimi i ligjit për Specialen, është raportuar tash e disa ditë në media. Madje, sipas disa raportimeve, kryeparlamentarja Vjosa Osmani këtë shqetësim ia ka ngritur edhe ambasadorëve të QUINT’it, në takimin që e pati me ta pas lajmit për aktakuza.

Sidoqoftë një raportim i tillë është mohuar nga zyra e kryeparlamentares, që në ditën e publikimit të njoftimit nga Specialja ka thënë se drejtësia duhet të kryejë punën e saj në mënyrë të pavarur e pa presion.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat