Historia që fshihet prapa fotografisë së infermieres Shqipe Kadriu, që e rraskapitur pushon në korridorin e Infektivës

Aktuale

Historia që fshihet prapa fotografisë së infermieres Shqipe Kadriu, që e rraskapitur pushon në korridorin e Infektivës

Më: 30 qershor 2020 Në ora: 14:18
Foto ilustrim

Një fotografi e infermieres Shqipe Kadriu u shpërnda në rrjetet sociale dhe në shumë media në Kosovë. Por cila është historia e saj?

Kadriu punon si infermiere në Klinikën Infektive që 21 vite dhe krahas profesionit të saj mjekësor, ka studiuar edhe dramaturgjinë. Ajo ka shkruar tekstin e disa serialeve dhe filmave në Kosovë ku ka bashkëpunuar me disa regjisorë të njohur.

Tani infermierja po kujdeset për pacientët e sëmurë me Covid-19, punë kjo të cilën ajo e bën me shumë zell por edhe mundim e lodhje për shkak të fluksit të madh të pacientëve.
Shqipja nuk ka pranuar të flas për mediat duke thënë se nuk e dëshiron famën në këtë kohë të vështirë me të cilën po përballen qytetarët e Kosovës.

Ajo ka thënë se do të jap intervistë pasi të përfundojë pandemia, ndërsa tani është e përkushtuar për kujdesin ndaj pacientëve. Publikimi dhe shpërndarja e fotografisë në rrjetet sociale nuk ishte gjëja që e dëshironte ajo.

Këtë fotografi infermierja ia ka dërguar një miku të saj, pasi ky i fundit e ka pyetur se si po ndihej në këto ditë me shumë pacientë dhe me temperatura të larta. Si përgjigje, ajo ia kishte dërguar fotografinë. Miku i saj i kishte kërkuar lejen që ta publikonte me qëllim që t’i njoftonte miqtë për punën e madhe që po bëjnë infermierët.

Por fotografia mori dhen dhe ndonëse kishte shumë komente pozitive, pati edhe të tillë të cilët e shqetësuan Shqipen dhe familjen e saj. Andaj ajo ka thënë se nuk dëshiron të bëhet më e famshme sesa fotoja që është publikuar e cila sipas saj flet shumë për punën e madhe që po e bëjnë me pacientët.

Infermierja është ulur në dysheme për të pushuar disa momente, pasi nuk mund të ulet në karrige nga frika se mund ta kontaminojë atë dhe në këtë mënyrë të infektoje ndonjë përcjellës të pacientëve ose kolegë të saj.

Infermierët e Klinikës Infektive janë duke e parë gazepin me fluksin e madh të pacientëve të infektuar me Covid-19. Ata janë të obliguar të mbajnë veshur pajisjet mbrojtëse kundër infeksionit në temperatura të larta dhe për orë të tëra derisa të kryhen të gjitha terapitë e pacientëve.

Sikurse Shqipja, edhe kolegët e saj në Klinikën Infektive, Pulmologji, Emergjencë, etj, ndodh shpesh të marrin infuzione pasi të kryejnë terapinë, për shkak të lodhjes së madhe, vështirësisë në frymëmarrje nga maska, dhe temperaturat e larta.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat