Zëvendëskryeministri i Republikës së Kosovës, Besnik Tahiri, ka njoftuar se tashmë ka filluar hartimin e Strategjisë kundër korrupsionit 2021-2025.
Tahiri ka thënë se një strategji e tillë do të përfshijë për sektorin politik publik, administratën shtetërore, zbatimin e ligjit dhe gjyqësorit dhe menaxhimin e financave publike.
Ai ka thënë se një proces i tillë do të jetë gjithëpërfshirës.
Postimi i plotë:
Nis hartimi i Strategjisë kundër korrupsionit 2021-2025
Sot, filluam procesin e hartimit të Strategjisë kundër korrupsionit për periudhën 2021-2025. Në takim me Drejtorin e Agjencisë Kundër Korrupsionit, z. Shaip Havolli, theksova se ky proces është një nga prioritetet e mia kryesore të cilit do t’i përkushtohem dhe do të mbështes në drejtimin strategjik të këtij procesi me rëndësi për vendin.
Strategjia e re Kundër Korrupsionit do të mbështetet në katër shtylla: 1) Sektorin politik publik; 2) Administratën shtetërore (nivelin qendror dhe lokal); 3) Zbatimin e ligjit dhe gjyqësorit; si dhe 4) Menaxhimin e financave publike.
Në fund u zotova se ky proces do të jetë gjithëpërfshirës, duke përfshirë institucionet qendrore dhe lokale, shoqërinë civile, mediat dhe ekspertë vendorë dhe ndërkombëtarë, për të siguruar mbështetjen, por edhe konsensusin shoqëror dhe politik në luftimin e korrupsionit në nivel të vendit.