​Qeveria parashihet t’i ketë 3 zëvendëskryeministra, 15 ministri dhe rreth 40 zëvendësministra

Aktuale

​Qeveria parashihet t’i ketë 3 zëvendëskryeministra, 15 ministri dhe rreth 40 zëvendësministra

Më: 1 korrik 2020 Në ora: 18:35
Avdullah Hoti

Zëvendëskryeministri i parë Besnik Tahiri ka prezantuar sot Projektligjin për Qeverinë, i cili do të publikohet në platformën e diskutimeve publike. Përmes këtij projektligji parashihet që qeveria të ketë tre zëvendëskryeministra, 15 ministri me diskrecion të shtimit të dy të tjerave dhe rreth 40 zëvendësministrave.

Tahiri, tha se qëllimi kryesor i këtij projektligji është organizimi dhe funksionimi më i mirë dhe më efikas i qeverisë.

Po ashtu, ai tha se ky projektligj mundëson kompetenca ligjore dhe përgjegjësi të qarta për Zyrën e Kryeministrit, në frymën e kompetencave kushtetuese të kryeministrit, ndarje të saktë të punëve ndërmjet anëtarëve të Qeverisë dhe koordinim më i mirë ndërmjet tyre dhe institucioneve të tjera, saktësim dhe llogaridhënie të anëtarëve të Qeverisë, si dhe funksionimi i Qeverisë mbi bazën e parimit të respektimit të ligjit, përgjegjshmërisë, transparencës si dhe parimi i efikasitetit dhe efektshmerisë.

Tahiri: Kemi menduar që 15 është numri më adekuat i ministrive

“Kemi menduar që 15 është numri më adekuat, mirëpo ajo çka kemi mësuar prej Qeverisë Kurti e qe besa edhe tash prej Qeverisë Hoti, kemi punuar t’ia lëmë në diskrecion kryeministrit, me qenë numri 15, por për t’ia lënë mandatarit mbi bazën e programit edhe dy ministri, në mënyrë që të vendosë. MEPTINIS-i në kohën e Kurtit ka qenë jo super-ministri, por diçka e pamundshme të menaxhohet prej një ministri. Ministria që është sot e Ekonomisë dhe Ambientit e ka ndërmarrësin, e ka një pjesë të inovacionit, e ka krejt qeverisjen korporative, edhe si është tash është goxha e madhe. Në këtë kuptim e kemi parë që kur të fillojë të lëvizë numri 15 është shumë i ngushtë dhe ideja është që kushdo që është mandatar t’i lihet mundësia me diskrecion që t’i ketë edhe dy ministri. Mirëpo, nuk do të ketë ministri pa portofolio, pra ideja është me ligj që mos me lënë ministri e cila krijohet për individin”, tha ai.

Sa i përket numri të zëvendëskryeministrave dhe zëvendësministrave, Tahiri tha se në disa ministri edhe po të jenë pesë të tillë kanë punë mjaftueshëm. Mirëpo, ai tha se në projektligj është paraparë që numri të mos kalojë mbi 40.

Tahiri: Në ministri kanë punë sa të duash

“Çka duhet në drejtësi më shumë se një zëvendësministër? Por, janë disa ministri që sikur të jenë edhe 5 zëvendësministra. Sot kushdo që është në Ministrinë e Ekonomisë dhe Ambientit janë 5, nëse i kanë sektorët kanë punë sa të duash...Te zëvendëskryeministrat prapë po vij tek ajo që unë e kam nxjerrë si mësim, një zëvendëskryeministër nëse i jep punë kryeministri, ka shumë punë vetë, ka shumë trupa që duan koordinim në emër të kryeministrit”, tha ai.

Sa i përket të emëruarve, Tahiri tha se është paraparë që në çdo ministri të jenë 6 këshilltarë dhe 5 nëpunës në kabinete, e te kryeministri dhe te zëvendëskryeministrat numri më i madh i tyre.

Në këtë projektligj janë paraparë edhe kufizimet e qeverisë në dorëheqje, ku nuk miraton projekt-amandamente kushtetuese, projektligje, strategji dhe koncept-dokumente. Po ashtu, nuk bën propozimin e kandidatëve për pozita për të cilat kërkohet emërimi nga Kuvendi, nuk miraton nismën për lidhjen e marrëveshjeve ndërkombëtare për të cilat kërkohet ratifikimi nga Kuvendi, si dhe nuk bën propozime dhe nuk inicion emërime të zyrtarëve të lartë për të cilët kërkohet bashkëvendosje me Kuvendin e Kosovës.

E të njëjtat kufizime për qeverinë në dorëheqje vlejnë edhe për anëtarin e qeverisë në dorëheqje.

Në projektligjin për Qeverinë është paraparë edhe parandalimi i konfliktit të interesit, ku anëtarët e qeverisë dhe zëvendësministrat nuk mund të ushtrojnë funksion tjetër publik, përveç kur ai ushtrohet sipas detyrës zyrtare. Po ashtu, nuk mund të ushtrojnë asnjë funksion në pushtetin lokal dhe nuk mund të mbajnë asnjë marrëdhënie tjetër të punës në sektorin privat.

Zëvendëskryeministri Tahiri, tha se do ta shtyjnë përpara që ky projektligj të hyjë në fuqi këtë vit dhe të vlejë edhe për Qeverinë Hoti.

Tahiri: Ideja është me hy në këtë qeveri

“Ideja është me hy në këtë qeveri, mundet me ndodh që duhet dhënë dorëheqje. Ajo që unë dua të them është qëndrimi ynë, mirëpo ne jemi në konsultim publik dhe arsyeja pse jam ngutur ta hedhim në konsultim publik është që kjo të përmbyllet në korrik. Ne e kemi shumicën dhe unë po synoj që për këtë ligj dhe atë të pagave të kemi mbështetjen e të gjithëve”, tha ai.

I pyetur se a është paraparë në këtë projektligj lidhur me kohën se sa do të kompensohen ish-kryeministri, ish-presidenti, ish-kryetari i Kuvendit, ish-ministrat, Tahiri tha se të gjithë këta persona mund të kenë informacione kofidenciale dhe se duhet pasur një periudhë të caktuar kohore të pagesës.

Tahiri ka folur edhe sa i përket ligjit për paga, ku tha se është i shokuar me vendimin e Gjykatës Kushtetuese, por që tha se atë vendim nuk e diskuton.

Tahiri: Ligji për pagat do të dërgohet në Kuvend

“Nuk ekziston sindikatë as nuk ekziston organizatë vendore e ndërkombëtare që është marrë me këtë punë, e cila nuk është konsultuar për këtë ligj. Cent për cent, prej 1 janarit 2020 e deri në fund të këtij viti, u kanë i buxhetuar ligji i pagave në buxhet. Unë i rri mbrapa ligjit që e kemi dërguar ne si qeveri dhe është një padrejtësi e madhe që iu është bërë një numri të madh të njerëzve që janë prekur... Zotohem se qeveria do ta merr ligjin e pagave me prioritetin më të madh dhe do të bëjë çmos ta dërgojë në Kuvend”, tha ai.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat