Britania e Madhe vazhdon mbështetjen për Kosovën për rekrutime në pozita udhëheqëse

Aktuale

Britania e Madhe vazhdon mbështetjen për Kosovën për rekrutime në pozita udhëheqëse

Më: 2 korrik 2020 Në ora: 07:22
Nicholas Abbott, Vjosa Osmani

(E plotësuar) - Kuvendi i Kosovës dhe Ambasada britanike në Prishtinë kanë nënshkruar sot një memorandum mirëkuptimi për të siguruar emërime profesionale të udhëheqësve të institucioneve dhe organeve publike, nëpërmes proceseve të drejta dhe transparente të rekrutimit.

Ky projekt i cili ka qenë edhe në të kaluarën, këtë herë do të jetë për 10 pozita udhëheqëse që përfshin borde dhe disa pozita të kryeshefave.

Ambasadori Nicholas Abbott, tha ka kënaqësinë që nënshkruan memorandumin e mirëkuptimit për vazhdimin e mbështetjes britanike për rekrutime meritore në Kosovë, një fushë e cila sipas tij, ka nevojë për përmirësim të mëtejmë.

Ai tha se nepotizmi dhe korrupsioni si probleme të mëdha në Kosovë shfaqen shumë dukshëm në rastin e rekrutimeve publike.

Abbott: Projekti ynë ofron mbështetje, mirëpo emërimet iu takojnë institucioneve të Kosovës

“Nepotizmi dhe korrupsioni si probleme të mëdha në Kosovë rrallë shfaqen aq dukshëm sa në rastin e rekrutimeve publike. Këto probleme nuk mund të zgjidhen nga jashtë, por vetëm me vullnet politik të pathyeshëm dhe me punë profesionale dhe me integritet. Jam i vetëdijshëm se kjo nuk është një ndërmarrje e lehtë, por është parakusht për zhvillim. Siç është e ditur tani projekti ynë ofron mbështetje, mirëpo emërimet iu takojnë institucioneve të Kosovës dhe të zgjedhurve të saj në pajtim të plotë me legjislacionin në fuqi”, ka thënë Abbott.

Ai ka ripërsëritur fjalët e ish-ambasadorit të Britanisë së Madhe në Kosovë Ruairi O'Conell se suksesi i këtij projekti do të jetë sukses i Kosovës, por edhe dështimi i ndonjë procesi rekrutues, emërimet jo meritore do të jenë dështime të Kosovës dhe të institucioneve të saj.

Ambasadori Abbott tha se bashkëpunimi me institucionet e Kosovës për rekrutimin dhe emërime meritore e profesionale në pozita të larta drejtuese në të kaluarën ka dhënë rezultate të përziera, ku tha se krahas asaj që ka pasur procese rekrutuese të suksesshme, kanë edhe përvojën kur përkundër punës së panelit vet Kuvendi ka emëruar individ që nuk i kanë përmbushur kriteret.

Në raste të tilla ai tha se do të reagojnë siç kanë bërë edhe në të kaluarën, sepse për të një sjellje e tillë institucionale është tejet e dëmshme për Kosovën, por ai tha se është edhe e pandershme në raport me miqtë. Ai tha se uron që kësaj radhe të mos ketë raste të tilla.

Abbott: Korrupsioni nuk luftohet vetëm një ditë apo një javë, por çdo ditë

“Korrupsioni nuk luftohet vetëm një ditë apo një javë, por çdo ditë dhe një kohë të gjatë gjithmonë. Lufta më e mirë është kur profesionistët e fushave përkatëse dhe njerëzit me integritet vendosin të aplikojnë dhe të kontribuojnë me njohuritë e tyre në udhëheqjen e institucioneve. Kosova e meriton një të ardhme më të ndritur, e cila vjen vetëm duke punuar në mënyrë të drejtë”, tha ai.

Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani, tha se përmes këtij partneriteti synojnë që të rrisin transparencën në procesin e përzgjedhjes së personave në pozita udhëheqëse në bordet dhe agjencitë e pavarura dhe të rrisin meritokracinë në këtë proces.

Ajo tha se përmes një procesi transparent e meritor vlerësojnë se do të ketë efekt zinxhiror në rritjen e efikasitetit të këtyre institucioneve të pavarura.

Kryetarja e Kuvendit bëri të ditur se pozitat e parapara janë kryesisht në përgjegjësinë e Kuvendit të Kosovës, ku trupat e tyre udhëheqëse dhe menaxheriale zgjidhen nga Kuvendi dhe disa që iniciohen nga Qeveria, por që lista finale votohet në Kuvend.

Osmani: Në këtë memorandum janë të përfshira fillimisht 10 institucione

“Në këtë memorandum mirëkuptimi janë të përfshira fillimisht 10 institucione, ku disa përfshijnë bordet e tyre e disa pozitat e kryeshefave. E kemi mundësinë e hapur që pastaj të shtojmë edhe agjenci të tjera në listën që do të mbikëqyren nga ana e kompanisë dhe ekspertëve të përzgjedhur nga Ambasada britanike. Puna e kompanisë së përzgjedhur do të varet edhe nga gjendja pandemike në vend, që nënkupton që herë pas here do të kemi prezencë fizike të ekspertëve, por nganjëherë edhe proces të monitorimit të përzgjedhjes në mungesë të prezencës fizike nëpërmjet komunikimit në distancë. Por, do të sigurohemi që këta ekspertë që do të ndihmojnë në rritjen e transparencës, të profesionalizmit dhe meritokracisë të jenë gjithnjë prezentë. E mbi të gjitha ajo që duhet ne si përfaqësues të popullit ta bëjmë, është të sigurohemi që profesionistët, njerëzit që përzgjidhen në bazë të meritokracisë ta marrin votën e deputetëve të Kuvendit”, tha Osmani.

Memorandum bashkëpunimi me Ambasadën britanike për pozita të larta drejtuese ka nënshkruar edhe kryeministri Avdullah Hoti.

Kuvendi i Kosovës dhe Qeveria britanike nënshkruajnë memorandum mirëkuptimi

Kuvendi i Kosovës dhe Qeveria e Britanisë së Madhe, e përfaqësuar nga Ambasada britanike në Prishtinë, sot do të nënshkruajnë një memorandum mirëkuptimi, në hollin e Kuvendit të Kosovës, në orën 12:00.

Memorandumi në fjalë reflekton përpjekjet e përbashkëta për të siguruar emërime profesionale të udhëheqësve të institucioneve dhe organeve publike, nëpërmes proceseve të drejta dhe transparente të rekrutimit, thuhet në njoftimin e Kuvendit të Kosovës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat