Loshi: Duhet t’i kërkohet falje Vetëvendosjes dhe popullit

Aktuale

Loshi: Duhet t’i kërkohet falje Vetëvendosjes dhe popullit

Nga: A.Zh Më: 2 korrik 2020 Në ora: 15:14
Liri Loshi

Ish-mjeku i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës Liri Loshi, ka thënë se shqiptarët që ishin viktima të agresorit serb, janë duke marrë mësime nga kultura e “çoroditur” e tij.

Ai ka thënë se sikurse Serbia që ka kryer krime ndaj shqiptarëve të Kosovës, njëjtë edhe partitë politike në Kosovë po veprojnë kundër Lëvizjes Vetëvendosje, përcjell Bota sot.

Sipas tij, ato kanë masakruar votën e lirë të popullit kur rrëzuan qeverinë Kurti dhe kur krijuan një qeveri të pakicës që është e varur nga Lista serbe.

Loshi ka thënë se popullit dhe Vetëvendosjes duhet t’i kërkohet falje fillimisht dhe pastaj të kërkohen modelet e bashkëpunimit për një qeveri të re.

Postimi i plotë i Loshit në Facebook:

Nuk mund t’i grabisësh dikujt një gjë dhe të kërkosh pajtimin me të. Së pari duhet ta kthesh gjenë e grabitur, së dyti të kërkosh falje dhe tek së treti të kërkosh pajtimin. Është pra një kornizë normash etike dhe morale që e përdor e tërë bota për t’i sjell në vend raportet e çrregulluara mes palëve.

Ne shqiptarët që ishim viktima të agresorit serb, me dashje a pa dashje, jemi duke marrë mësime nga kultura e çoroditur e agresorit.

Serbia na ka masakruar mijëra njerëz, nuk ka kërkuar falje asnjëherë, mban Kosovën nën juridiksionin e vet dhe bëhet sikur kërkon pajtim me shqiptarët! Kështu po bëjnë edhe partitë politike shqiptare që krijuan unitet kundër Vetëvendosjes. Ata masakruan votën e lirë të popullit kur rrëzuan qeverinë Kurti, krijuan një qeveri të pakicës që është e varur nga Lista serbe dhe tash kërkojnë unitet që fituesi legjitim i zgjedhjeve t’i subordinohet një qeverie jolegjitime. E jo.

Së pari gjerat e zhvendosura në mënyrë joparimore duhet të kthehen në vend sipas parimit. Duhet t’i kërkohet falje Vetëvendosjes dhe popullit dhe në fund të kërkohen modelet e bashkëpunimit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat