(E plotësuar) - Kryeministri Hoti pritet edhe nga presidenti Meta
Në kuadër të vizitës së par zyrtare në Shqipëri, kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti ka takuar presidentin, Ilir Meta.
Takimi u mbajt i mbyllur për medie, ndërsa kryeministri pritet të vazhdojë takimet me liderët institucional dhe politikë në Shqipëri.
Kryeministri Avullah Hoti në konferencën e përbashkët me kryeministrin Edi Rama, është pyetur edhe për protestën e paralajmëruar nga organizatat e dala nga lufta e UÇK-së dhe për mundësinë e zhbërjes së Gjykatës Speciale.
Tha se është e drejtë elementare e cdo njeriu për të protestuar, ndërsa shtoi se nuk do të tentojnë të zhbëjnë Gjykatës Speciale.
Hoti: Do të tregojmë kulturë politike edhe kësaj radhe
“E drejta për protestë është e drejtë elementare, por ne si kemi treguar në të kaluarën kulturë politike dhe institucionale edhe kësaj radhe do të sillemi njësojë”, tha ai.
Hoti nga Tirana: Kosova ka institucione legjitime, jam i gatshëm për rifillim të dialogut
Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti pritet të vazhdojë dialogun me Serbinë. Përkundër propozim aktakuzës për krime lufte ndaj presidentit, Hashim Thaçi dhe kryetarit të PDK-së, Kadri Veseli, shefi i ekzekutivit kosovar ka thënë se vendi ka institucione legjitime dhe do t’i marrë përgjegjësitë që i takojnë në dialog.
Këtë i pari i qeverisë e theksoi të premten në Tiranë, përmes një konference të përbashkët me kryeministrin Edi Rama.
Ai tha se kanë biseduar me emisarin e ShBA-së për dialogun, Richard Grenell që së shpejti do caktohet data për rifillim të negociatave.
Hoti: Jam i gatshëm për të caktuar një datë për të rifilluar dialogun
“Kosova ka institucione legjitime Kushtetuese për të marrë përgjegjësit që i takojnë. Unë jam i gatshëm me Grenell për të caktuar një datë për të rifilluar dialogun. Duke caktuar një agjendë fillimisht ekonomike, më pas politike. Por me parime të qarta që hymë për njohje reciproke”, tha ai.
Për mundësitë e përfshirjes së PDK-së në koalicionin qeverisës, kryeministri Hoti tha se nuk përgjigjet në pyetje hipotetike, por që shtoi se qeveria është stabile dhe se nëse vjen një ofertë e tillë do ta shqyrtojnë.
Hoti: Qeveria është stabile, nëse ndodh një ofertë do të ulemi ta shqyrtojmë
“Ju e dini qasjen time se si i trajtojë këto gjera, nuk përgjigjem në pyetje hipotetike. Qeveria është stabile dhe nëse vjen kjo ne do të ulemi të shqyrtojmë.
Pas takimit me kryeministrin Rama, udhëheqësi i qeverisë kosovare shpalosi edhe tri projektet që sipas tij do të realizohen me Shqipërinë.
Hoti: Tri projekte madhore që për neve kanë qenë strategjike
“Tri projekte madhore që për neve kanë qenë strategjike, e para është porti i Durrësit, e dyta në sistemin e energjisë për t’u kujdesur në afat gjatë për të zgjedhur këtë problem, duke konsideruar ndërtimin edhe një hidrocentrali të Kosovës në territorin e Shqipërisë. Ndërsa e treta është bashkimi përmes hekurudhave”, tha ai.
Rama: Specialja të mos deformohet në një padrejtësi ndaj Kosovës dhe UÇK-së
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama edhe gjatë takimit me homologun e tij, Avdullah Hoti i ka dalë në krahë presidentit, Hashim Thaçi dhe liderit të PDK-së, Kadri Veseli pas propozim-aktakuzave për krime lufte.
Rama në një konferencë të përbashkët për medie me Hotin theksoi se Gjykata Speciale nuk duhet të deformohet në një padrejtësi ndaj Kosovës dhe luftës së UÇK-së.
Rama: Specialja të mos deformohet në një padrejtësi ndaj Kosovës dhe UÇK-së
“Ajo fletërrufe duhet të përbëjë një motiv të fortë nxitës për të gjithë aktorët dhe faktorët politikë shqipfolës. Qofshin këta në Kosovë, Shqipëri, apo Maqedoni të Veriut për të qenë të njëzëshëm që drejtësia të jetë e drejtë dhe procesi gjyqësor i mundshëm si rezultat i angazhimit të Kuvendit të Kosovës në miratimin e një Gjykate Speciale për të zbardhur akuzat për krime lufte të mos deformohet në një padrejtësi ndaj Kosovës dhe Luftës Çlirimtare të Kosovës”, tha ai.
Derisa shtoi se ky qëndrim i tij nuk ka të bëjë me ndonjë përpjekje për të penguar politikisht Gjykatën Speciale.?
Rama: Specialja bëri diskreditim publik përmes shpalljes publike të aktakuzës
“Ky qëndrim nuk ka të bëjë me ndonjë përpjekje për të penguar politikisht një proces të drejtë ligjor. Por ka të bëjë me diskreditimin publik të këtij procesi përmes një shpallje mediatike të panjohur në sistemin e drejtësisë...kam pa deklaratat e ndërkombëtare që ky është një hap pozitiv, por aty vetëm hap pozitiv nuk ka. Aty është një hap shumë shqetësues”, tha ai.
Rama e Hoti dakordohen për implementimin e marrëveshjeve dhe mbledhjen e ardhshme të dy qeverive
Mbledhjet mes dy qeverive shqiptare pritet të rikthehen. Muaji shtator është vënë si afat i ri për takim në Shkodër mes dy ekzekutiveve shqiptare.
Kjo u bë e ditur në konferencën e përbashkët për medie ndërmjet kryeministrit shqiptar, Edi Rama dhe homologut të tij, Avdullah Hoti.
I pari i qeverisë shqiptare, Edi Rama tha se në takimin me kryeministrit kosovar janë dakorduar për realizim të marrëveshjeve që kanë mbetur pezull.
Rama: Jemi dakorduar për të përcaktuar një afat të ri për mbajtjen e mbledhjes së Shkodrës
“Jemi dakorduar për të përcaktuar një afat të ri për mbajtjen e mbledhjes së Shkodrës mes dy qeverive. Me shpresën që situata jo e lehtë në lidhje me Covid-19 të na lehtësojë më gjysmën e shtatorit. Ashtu dhe jemi dakorduar edhe për një event të parë mesnesh, në Tiranë në nëntor dëshirojmë që dy qeveritë të sponsorizojmë kongresin e parë të autoriteteve vendore që dëshirojmë të kthehet në një kongresë tradicional që bashkitë apo komunat të ndajnë sfidat dhe praktikat e përbashkëta.Sot kemi folur për doganën e Kosovës në Durrës, që në zbatim është jo e plotë”, tha ai.
Derisa ritheksoi qëndrimin e tij pro një shengeni rajonal.
Rama: Shengeni rajonal mbetet në këndvështrimin tim
“Shengeni rajonal mbetet në këndvështrimin tim ku shqiptarët këndej dhe andej kufirit duhet të shohin interesin e tyre si strategji”, tha ai.
Hoti nis vizitën në Shqipëri, shtyhet për në shtator takimi në Shkodër
Kryeministri Edi Rama dhe kryeministri i Kosovës Avdullah Hoti ndodhen në konferencë për medien pas takimit zyrtar kokë më kokë.
Njoftohet shtyrja e mbledhjes së dy qeverive në Shkodër
“Jemi dakordësuar për të përcaktuar nëj afat të ri për mbajtjen e mbledhjes së dy qeverive në Shkodër me shpresën që situata jo e lehtë lidhur me COVID të na mundësojë në gjysmën e dytë të shtatorit
Hoti nis vizitën në Shqipëri, pritet me ceremoni shtetërore nga Edi Rama
Kryeministri i Shqipërisë, ka pritur në takim kryeministrin e Kosovës, Avdullah Hoti.
Ceremonia e pritjes është bërë në Pallatin e Brigadave, përcjell Bota sot.
Të dy pritet të mbajnë konferencë në ora 11:30.
Kjo është vizita e parë zyrtare e kryeministrit Hoti në Republikën e Shqipërisë.Pas takimit, Hoti e Rama do të mbajnë konferencë për medie.
I pari i Qeverisë do të qëndrojë në takime pune gjatë gjithë ditës në Shqipëri, ku do të takohet edhe me presidentin Ilir Meta dhe më liderët e tjerë politik të Shqipërisë.
Hoti viziton sot Shqipërinë, kjo është agjenda e tij
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Avdullah Hoti, sot do të qëndrojë për një vizitë në Republikën e Shqipërisë, me ftesë të kryeministrit shqiptar Edi Rama.
Gjatë vizitës zyrtare në Shqipëri, kryeministri Hoti fillimisht do të pritet nga kryeministri Rama në Pallatin e Brigadave në ora 10:00. Pas takimit është paralajmëruar konferencë e përbashkët për shtyp e dy kryeministrave shqiptarë.
Në ora 13:00 është paraparë takim me Presidentin e Republikës së Shqipërisë, Ilir Meta në Presidencë.
Më pas, Hoti do të takohet me kryetarin e Kuvendit të Shqipërisë, Gramoz Ruçi, në zyrën e këtij të fundit në ora 14:00.
Në ora 14:45 do të ketë takim me mes kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj dhe kryeministrit Hoti në Bashkinë e Tiranës.
Ndërsa në fund të ditës, Hoti do të takojë edhe kryetarin e Partisë Demokratike, Lulzim Basha në selinë e partisë në ora 15:30.