Armend Berisha zgjedhet kryetar i Gjykatës në Pejë, Nikollë Komani i asaj në Gjakovë

Aktuale

Armend Berisha zgjedhet kryetar i Gjykatës në Pejë, Nikollë Komani i asaj në Gjakovë

Më: 3 korrik 2020 Në ora: 15:11
Nikollë Komani dhe Armend Berisha

Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGJK), në mbledhjen e tij të 235-të, ka zgjedhur drejtuesit e ri të Gjykatës Themelore në Gjakovë dhe asaj në Pejë.

Kryetar i Gjykatës Themelore në Gjakovë është zgjedhur gjykatësi Nikollë Komani, i cili deri më tani këtë funksion e ka kryer si ushtrues detyre, ndërsa kryetar i Gjykatës Themelore në Pejë është zgjedhur gjykatësi Armend Berisha.

Berisha më parë ishte anëtar i KGJK-së, ndërsa gjatë muajt nëntor të vitit të kaluar ai kishte dhënë dorëheqje nga kjo pozitë.

Pas dorëheqjes, për “Betimi për Drejtësi”, ai kishte bërë të ditur se arsyeja e dorëheqjes nga pozita e anëtarit të KGJK-së ishte fakti se, në rast aplikimit për pozitën e kryetarit të Gjykatës Themelore në Pejë, mos të jetë pjesë e hartimit të rregullave.

“Konkursi për Kryetar të Gjykatës Themelore në Pejë ende nuk është shpallur. Është nxjerrë vetëm vendimi për shpalljen e konkursit. Unë mandat të anëtarit në KGJK kam deri në shkurt të vitit të ardhshëm. Arsyeja pse kam dhënë dorëheqje nga kjo pozitë është për shkak se nëse potencialisht kandidoj për këtë pozitë, mos të jem pjesë e hartimit të rregullave të garës. Për këtë arsye, jam tërhequr tërësisht nga pozita e anëtarit në KGJK”, kishte thënë Berisha.

Ndryshe Komani dhe Berisha nuk kishin kundër kandidat për garën për kryetar të këtyre gjykatave.

Për gjyqtarin Berisha kanë qenë shtatë vota për, një abstenim dhe një votë e pavlefshme. Ndërsa për gjyqtarin Komani kanë qenë tetë vota për dhe një abstenim.

Të njëjtit, për këto pozita do të kenë mandat 5 vjeçar. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat