​VV: Rritja e kabinetet qeveritar është kthim në kohën e PAN-it

Aktuale

​VV: Rritja e kabinetet qeveritar është kthim në kohën e PAN-it

Më: 3 korrik 2020 Në ora: 15:46
LVV

Lëvizja Vetëvendosje përmes një konference për media, ka kritikuar qeverinë Hoti, e cila sipas kësaj partie politike tash e një muaj u votua me vota të kontestuara.

VV-ja qeverinë Hoti vazhdon ta vlerësojë si jolegjitime dhe në shërbim të presidentit Hashim Thaçi.

Anëtarja e kryesisë së VV-së, Arbërie Nagavci tha se një ndër vendimet e para të qeverisë Hoti ishte heqja e reciprocitetit ndaj Serbisë, duke hequr dorë nga mundësia për t’u trajtuar si palë e barabartë në negociatat me Serbinë.

Nagavci: Serbia nuk e ka ndërpre fushatën kundër pavarësisë së Kosovës

“Sot kjo qeveri ka vetëm 59 vota, ndërsa dy votat e kontestuar i ka në procedurë në Gjykatën Kushtetuese. Kjo qeverie ri-funkionalizojë Listën serbe. Kjo qeveri sot varet nga secila prej dhjetë votave të deputetëve të Listës serbe dhe lehtësisht e kontrolluar nga Beogradi. Kjo qeverie e krijuar për t’i shërbyer presidentit Thaçi në negociatat me Serbinë u mundësua edhe me ndërhyrjen direkte të këtij të fundit. Një ndër vendimet e para të Hotit, ishte heqja e reciprocitetit ndaj Serbisë. Pra, vullnetarisht u hoq dorë nga mundësia për t’u trajtuar si palë e barabartë në negociatat me Serbinë. Kjo heqje dorë nga barazia është nënshtrimi i Kosovës ndaj Serbisë. Është gjunjëzim i Kosovës ende pa filluar procesi i dialogut. Shumë shpejt pasuan edhe goditjen e radhës, hoqën dorë për të aplikuar për anëtarësim në organizatat ndërkombëtare. Derisa Kosova po vazhdon të bëjë lëshimet karshi Serbisë, kjo e fundit nuk ka ndryshuar as kërkesat as veprimet e saj në raport me Kosovën. Serbia nuk e ka ndërprerë as fushatën kundër pavarësisë së Kosovës, sepse as që i është kërkuar një gjë e tillë”, theksoi Nagavci.

Deputeti i VV-së, Hajrullah Çeku theksoi se tashmë është fakt i ditur se Kosova ka qeveri jolegjitime, të paligjshme, të kontrolluar nga presidenti dhe të varur nga Lista serbe.

Deputeti Çeku tha se këta uzurpues të zyrave qeveritare u shquan edhe me pa aftësitë totale, sidomos në menaxhimin e pandemisë, në trajtimin e efekteve ekonomike dhe në procesin shkollor.

Pandemia në Kosovë, sipas tij, tashmë ka dalë jashtë kontrollit, duke nxituar Qeveria Hoti me heqjen e masave.

Ai shtoi se kapacitet në spitale janë në gjendje kritike, dhe humbja e jetëve të njerëzve është shndërruar në përditshmëri.

Çeku: Rritja e kabinetet qeveritar është kthim në kohën e PAN-it

“Natyrisht kulmi është kthimi i mendësisë së zhvatjes përmes rritjes së pa kontrolluar të kabinetit qeveritar. Kjo domosdoshmërisht do të sjell rritje të shpenzimeve, me më shumë mëditje, më shumë udhëtime, hotele, karburante, dreka, mbushje dhe të ngjashme. Rritja e kabinetet qeveritar është kthim në kohën e PAN-it. Numri i madh i zëvendës ministrave, i këshilltarëve, dhe plani i tyre për t’i kthyer koordinatorët nacional është vazhdimësi e mendësisë së zhvatjes së parasë publike përmes kapjes së shtetit dhe punësimeve familjare dhe partiake”, tha Çeku.

Ai foli edhe për rimëkëmbjen ekonomike, e cila nuk po ndodhë, ngase sipas tij, kjo qeveri ilegale nuk ka ide.

Sipas Çekut, kjo periudhë njëmujore ishte regres dhe kthim në pikën zero për të quar vendin në zgjedhje.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat