“Një surprizë për shumë njerëz në Kosovë”, ja çka shkruan “Al Jazeera” për aktakuzën ndaj Thaçit

Aktuale

“Një surprizë për shumë njerëz në Kosovë”, ja çka shkruan “Al Jazeera” për aktakuzën ndaj Thaçit

Nga: A.Zh Më: 4 korrik 2020 Në ora: 15:45
Presidenti Hashim Thaçi komandoi UÇK-në gjatë luftës [Fotografia: Michele Tantussi / Getty Images]

Lajmi për aktakuzën e ngritur ndaj presidentit të Kosovës Hashim Thaçi nga Gjykata Speciale, për krime lufte, ka bërë jehonë edhe në mediat ndërkombëtare.

Kështu “Al Jazeera” shkruan se aktakuza ndaj Thaçit dhe ish-kryeparlamentarit Kadri Veseli, për shumë njerëz në Kosovë ishte një surprizë, përcjell Bota sot.

Mediumi i njohur raporton se gjykatësi i procedurës paraprake ka gjashtë muaj kohë për të konfirmuar ose hedhur poshtë akuzat për afro 100 vrasje ndaj Thaçit dhe Veselit.

"Deri më tani nuk kemi parë një praktikë të tillë që SPO lëshon një deklaratë të tillë para se të konfirmohet aktakuza ”, shkruan “Al Jazeera”.

Raportimi i plotë:

Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi dhe nëntë persona të tjerë janë paditur nga një gjykatë që po heton krimet e luftës të kryera gjatë dhe pas luftës së pavarësisë së Kosovës me Serbinë.

Një deklaratë e lëshuar të mërkurën e kaluar nga Zyra e Prokurorit Special (SPO) në Hagë, Holandë, tha që Thaçi dhe të dyshuarit tjerë janë "përgjegjës penalisht për afro 100 vrasje" të shqiptarëve, serbëve dhe romëve të Kosovës.

Akuza të tjera përfshijnë zhdukjen me forcë, persekutimin dhe torturimin.

Aktakuza është "rezultat i një hetimi të gjatë dhe pasqyron vendosmërinë e SPO se ai mund të vërtetojë të gjitha akuzat përtej një dyshimi të arsyeshëm", tha zyra në një deklaratë.

Thaçi ka komanduar luftëtarët në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) gjatë luftës në vitet 1998-1999.

Grupi i akuzuar përfshin edhe Kadri Veselin, ish kryetari i Parlamentit dhe drejtuesi i Partisë Demokratike të Kosovës.

Thaçi po përgatitej për një samit në Shtëpinë e Bardhë të Shtunën me homologun serb, Aleksandar Vuçiq, dhe raportet e mediave lokale sugjeruan se ai tashmë ishte nisur për në SHBA.

Por i dërguari special i SHBA-së për Serbinë dhe Kosovën Richard Grenell, i cili organizoi takimin e Shtëpisë së Bardhë, tha në një postim në Twitter se Thaçi kishte anuluar shkuarjen në samit pas akuzave në Hagë.

"Unë e respektoj vendimin e tij për të mos marrë pjesë në diskutime derisa çështjet ligjore të atyre pretendimeve të zgjidhen", tha Grenell, duke shtuar se bisedimet tani do të shkojnë përpara me Kryeministrin e ri të Kosovës Avdullah Hotin.

“Një surprizë për shumë njerëz në Kosovë”

Duke raportuar nga Prishtina, Avni Ahmetaj i Al Jazeera-s, tha se Thaçi është ballafaquar shumë herë në të kaluarën në lidhje me pretendimet për krime lufte, por gjithmonë ka mohuar çdo keqbërje.

"Lajmi erdhi si surprizë për shumë njerëz në Kosovë", tha Ahmetaj. "[Veteranët e UÇK-së] thonë se UÇK-ja nuk bëri asnjë krim, se ata po mbronin familjet e tyre gjatë luftës dhe e vetmja ushtri që kreu krime lufte gjatë luftës në 1999 ishte ushtria serbe".

Aktakuza e lëshuar, ishte e para nga Gjykata Speciale me qendër në Hagë. Gjykata funksionon që nga viti 2015 dhe ka marrë në pyetje qindra dëshmitarë.

Sipas deklaratës, aktakuza po shqyrtohet nga një gjyqtar i procedurës paraprake, i cili do të vendosë nëse do të konfirmojë akuzat.

Prokurori akuzoi Thaçin dhe Veselin për përpjekje të përsëritura "për të penguar dhe minuar punën" e gjykatës.

"Thaçi dhe Veseli besohet se kanë realizuar një fushatë të fshehtë për të rrëzuar ligjin për krijimin e Gjykatës dhe të pengojnë punën e Gjykatës në përpjekje për të siguruar që ata të mos përballen me drejtësinë", thuhet në deklaratë.

"Duke ndërmarrë këto veprime, Z. Thaçi dhe Z. Veseli kanë vendosur interesat e tyre personale përpara viktimave të krimeve të tyre, sundimit të ligjit dhe të gjithë njerëzve të Kosovës", shtoi deklarata.

Bekim Blakaj nga Qendra për të Drejtën Humanitare në Prishtinë, i tha Al Jazeera-s se gjykatësi i procedurës paraprake ka gjashtë muaj kohë për të konfirmuar ose hedhur poshtë akuzat, duke shtuar se njoftimi është i pazakontë pasi "deri më tani nuk kemi parë një praktikë të tillë që SPO lëshon një deklaratë të tillë para se të konfirmohet aktakuza ”.

Lufta la më shumë se 10,000 të vdekur dhe 1.641 janë akoma të pa gjetur. Ajo përfundoi pas një sulmi ajror 78-ditor të NATO-s.

Serbia nuk e njeh shpalljen e pavarësisë së Kosovës në vitin 2008. Serbia dhe Kosova janë angazhuar në negociatat të ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian që nga viti 2011 për të normalizuar marrëdhëniet si kusht për anëtarësimin në bllok.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat