Analisti i Ballkanit: BE-ja do të gëzohet që u anuluan bisedimet në Washington

Aktuale

Analisti i Ballkanit: BE-ja do të gëzohet që u anuluan bisedimet në Washington

Më: 4 korrik 2020 Në ora: 18:22
James Ker-Lindsay

James Ker-Lindsay, njohës i çështjeve të Ballkanit Perëndimor dhe profesori në Shkollën për Ekonomi dhe Shkenca Politike të Londrës, thotë se Kosovës dhe Serbisë i duhet një marrëveshje përfundimtare dhe jo vazhdim i dialogut në formatin që planifikon Bashkimi Evropian. Por sipas tij, BE-ja do të gëzohet që bisedimet në Washington u anuluan.

Vlerëson gjithashtu se ndërmjet SHBA-së dhe BE-së nuk ka pasur bashkëpunim për procesin e dialogut, pasi të dyja palët kanë udhëhequr procese paralele në këtë drejtim. Sipas tij, procesi tash është në një rrëmujë të plotë dhe kjo situatë është duke e lënë Serbinë, por në veçanti Kosovën, në një situatë të paqartë.

Sipas Lindsayt, siç thotë në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, SHBA-ja dhe BE-ja po mundohen të paraqesin qëndrim të njëjtë në opinion por në realitet, thotë ai, janë parë si dy procese shumë të ndryshme që janë zhvilluar ndërmjet Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara.

“Ata po mundohen të paraqesin një qëndrim se kinse dëshirojnë të punojnë së bashku, se nuk duan të jenë kundër njëri-tjetrit. Të paktën publikisht ata po mundohen të duken se nuk kanë ndasi të mëdha. Por, në realitet ajo që kemi parë, janë dy procese shumë të ndryshme që janë zhvilluar ndërmjet Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara. Por, po e them prapë, problemi më i madh është se nuk e dimë se çfarë po ndodh”, thotë Lindsay.

Ai vlerëson se dialogu i udhëhequr nga evropianët gjatë viteve të fundit ka ngecur.

“Më lejoni të them se, tash për tash, është një rrëmujë. Një rrëmujë e plotë. Askush nuk e di se çfarë po bëjnë ata (BE-ja dhe SHBA-ja). Gjithçka ka qenë e organizuar keq, nuk ka pasur bashkëpunim. Ka munguar një analizë më e thellë se çfarë duan të arrijnë”, tha ai.

Propozim-aktakuzën nga Prokuroria e Specializuar në Hagë, Lindsay e ka vlerësuar si “një njoftim shokues”.

“Ka pasur shumë spekulime. Disa thoshin se ndoshta evropianët në njëfarë mënyrë e kanë shtyrë prokurorin të bëjë njoftimin, pasi nuk kanë dëshiruar që të mbahen bisedimet në SHBA. Disa të tjerë kanë thënë se ndoshta vetë amerikanët e kanë bërë për të ushtruar presion ndaj presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi. Unë nuk mendoj se kjo përmban diçka reale. Nga këndvështrimi im, prokurori ka qenë i shqetësuar se mund të ketë një marrëveshje për ndonjë lloj amnistie të mundshme, dhe ka dashur të sigurohet se diçka e tillë të hiqet nga tryeza. Por, gjithçka që ai ka arritur të bëjë është përmbysja e një procesi të paqes. Megjithëse ne nuk e dimë se çfarë në fakt ka ndodhur, disa mund të gëzohen shumë që bisedimet janë anuluar. Bashkimi Evropian do të gëzohet shumë që bisedimet u anuluan. BE-ja nuk ka qenë e lumtur për këto bisedime në Washington. Në anën vjetër, mendoj se Washingtoni është shumë i hidhëruar për atë çfarë ka ndodhur”, tha Lindsay.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat