Mustafa: Jemi në një gjendje me shumë të panjohura, na duhen institucione të fuqishme

Aktuale

Mustafa: Jemi në një gjendje me shumë të panjohura, na duhen institucione të fuqishme

Më: 4 korrik 2020 Në ora: 21:55
Isa Mustafa

Për situatën e fundit politike të krijuar në Kosovë, ka folur edhe njëherë kreu i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa.

Ky i fundit, me anë të një postimi në Facebook, ka thënë se situata në Kosovë, është ndryshe nga ajo që ishte para 24 qershorit.

Sipas tij, Kosova tani është në një gjendje me shumë të panjohura që nuk determinon stabilitet.

“Jam i bindur se situata në vendin tonë është tjetër nga ajo që ishte para datës 24 qershor, kur Dhomat e Veçanta në Hagë lëshuan një lajmërim të pashembullt se kanë propozuar aktakuzë kundër z. Thaçi, President i Kosovës dhe z. Veseli, Kryetar i PDK-së. Tani jemi futur në një gjendje me shumë të panjohura, që nuk determinon stabilitet apo jo të Qeverisë por të të gjitha institucioneve të vendit. Parasëgjithash, ardhmërinë e shtetit të Kosovës”, ka shkruar ai.

Duke folur për aktakuzën e Speciales ndaj Thaçit e Veselit, Mustafa është shprehur se të gjithë në Kosovë duhet të jenë në një betejë të përbashkët.

Si rrjedhojë, Mustafa ka shtuar se Kosova ka nevojë për institucione stabile dhe të fuqishme.

Postimi i plotë i Mustafës në Facebook:

Jam i bindur se situata në vendin tonë është tjetër nga ajo që ishte para datës 24 qershor, kur Dhomat e Veçanta në Hagë lëshuan një lajmërim të pashembullt se kanë propozuar aktakuzë kundër z. Thaçi, President i Kosovës dhe z. Veseli, Kryetar i PDK-së. Tani jemi futur në një gjendje me shumë të panjohura, që nuk determinon stabilitet apo jo të Qeverisë por të të gjitha institucioneve të vendit. Parasëgjithash, ardhmërinë e shtetit të Kosovës.
Krime të luftës dhe krime kundër njerëzimit sikurse edhe dhunime dhe gjenocid në Kosovë kanë kryer forcat ushtarake dhe paramilitare serbe. Për fat të keq, paralajmërimi i Prokurorisë së Dhomave të Veçanta të Gjykatës Speciale flet për një betejë të gjatë të Kosovës me Serbinë, jo vetëm për tu gjykuar individë por për tu mbrojtur e vërteta historike.
Në këtë betejë duhet të jemi bashk, të gjithë ne në Kosovë. Themelet e pavarësisë së Kosovës janë vënë me luftën e UÇK-së, politikën vizionare të Ibrahim Rugovës dhe LDK-së si dhe me intervenimin e NATO-s për ta mbrojtur popullin e Kosovës nga zhbërja dhe deportimi.
Ne këto rrethana Kosova ka nevojë të sigurojë institucione stabile dhe të fuqishme, të mbështesë institucionet e drejtësisë, vendore dhe ndërkombëtare, një drejtësie të pavarur dhe të pandikuar, sikurse edhe të mbështesë njerëzit e saj që ballafaqohen me drejtësinë deri në përfundimin e saj, sepse deri atëherë fajësia e tyre është vetëm e presypozuar.
Në ditët në vijim do të bisedojmë me të gjithë që kanë gatishmëri, jo për të forcuar pushtetin individual apo partiak por, për të forcuar shtetin e Kosovës dhe funksionalitetin e tij.
Ata që Kosovë e duan si fushë të gladiatorëve, nuk besoj se ia duan të mirën këtij vendi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat