Shpend Ahmeti: Shtimi i numrit të infektimeve janë pasojë normale e hapjes

Aktuale

Shpend Ahmeti: Shtimi i numrit të infektimeve janë pasojë normale e hapjes

Nga: E.B Më: 5 korrik 2020 Në ora: 14:23
Shpend Ahmeti

Kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti, ka shkruar për rastet dhe vdekjet e fundit nga virusi korona.

Kryetari ka thënë se 200 persona të shtrirë në QKUK mund të menaxhohet po jo 1200 persona.

Gjithashtu, ka shkruar se vdekjet do të ndodhin por çdo jetë është e vlefshme, por për këtë ai thotë se dallon vdekja nga sëmundja nën përkujdesin e mjekëve, dhe vdekja pse nuk ka pasur krevat, oksigjen dhe mjekë, shkruan Bota Sot.

Ahmeti ka shtuar se edhe në vende tjera që nuk është ndërruar qeveria ka raste më shumë të infektimeve. 

Kryetari Ahmeti thotë se mungojnë informatat dhe strategjia në vendin tonë dhe që ende po bëhen pak teste në ditë.

Kurse, shtimi i numrit të infektimeve i quan si pasojë normale e hapjes. Ahmeti përfundon duke shkruar se në qoftë se kjo është luftë ping pongu në mes të qeverisë e opozites atëherë përnime qytetarëve i mbeten vetëm maskat.

Postimi i plotë:

Prej fillimit, çdo shtet vetëm një qëllim e ka pas - ngadalësimin e përhapjes në mënyrë që sistemi me pas mundësi me u përball me virusin që nuk e njeh. 

Në fillim, masat ishin më të rrepta derisa u kuptua pak më mirë virusi dhe deri sa sistemet shëndetësore kishin mundësi të riorganizohen dhe furnizohen për tu përball deri në hapjen e ekonomive. 

Edhe sot qëllimi është i njejtë, të ngadalësohet përhapja që mos të ketë më shumë pacientë se sa kapacitete. Pra 200 të shtrirë në QKUK është e menaxhueshme, 1200 JO.  Një pjesë bazohet në përgjegjësinë e qytetarëve.  Distanca dhe maskat nuk e vrasin virusin, por e ngadalësojnë përhapjen. 

Vdekjet do të ndodhin dhe çdo jetë është e vlefshme.  Por dallon vdekja nga sëmundja nën përkujdesin e mjekut dhe me kushte, nga vdekja pse dikush nuk ka pas krevat, oksigjen e mjekë. E në atë drejtim po shkojmë.

Ka dallim në mes të fazes së mbylljes dhe fazes se hapjes.  Këtë mund ta shohim në krejt shtetet ku nuk është ndërru qeveria, por është hapur shoqëria.  Pra, janë shtuar rastet.  Mjafton të shohim Serbinë, Kroacinë, Maqedoninë e Shqipëri.

Por ajo që po mungon në Kosovë janë informata, strategjia, dhe skenaret e ndryshme.  Dhe kur nuk i ke informatat, politikat ose mungojnë ose nuk janë të bazuara në informatë.  Politika të tilla janë ad-hoc.  Politikat ad-hoc nuk e kanë efektin e duhur dhe lënë hapësirë edhe për tu sulmuar edhe për tu keqinterpretuar. Por më së keqi kanë pasoja në shëndet.

Ende jemi me 300 teste në ditë, ende nuk kemi profil të komplikimeve dhe ende nuk kemi studim epidemiologjik të zhvillimit të semundjes në Kosovë.  Plotë gjana mund të bëhen pa u kthy masat e plota restriktive.

Shtimi i numrit të infektimeve janë pasojë normale e hapjes, rrjedhimisht edhe shtimi i infektimeve të personave të rrezikuar.  Rrjedhimisht edhe vdekjet nga Covidi janë shtuar. 

Por, numri i vogël i testeve nuk është pasojë.  Mungesa e hulumtimeve ku marrin pjesë edhe institucionet private nuk është pasojë e hapjes. E të tjera, e të tjera.

Askush nuk pret nga qeveria të jenë ekspertë të luftes ndaj covidit.  Por po ashtu presim qê disa çeshtje të adresohen.  Në qoftë se kjo është luftë ping pongu në mes të qeverisë e opozites (keqmenaxhimi vs, papërgjegjësia me protesta) atëherë përnime qytetarëve i mbeten vetëm maskat.

Nuk është marre me kërku ndihmë qeveria, e as nënshtrim me i ndihmu dikush nga opozita. 

Marre është me vdek më shumë njerëz për shkak se nuk keni bërë dicka që e keni ditur se duhej bërë. 

P.S.  FALENDERIMI EDHE ME TUTJE I SHKON MJEKËVE E PERSONELIT SHËNDETËSOR QË JANË LODH E STËRLODH, KANË RREZIKUAR VETEN E FAMILJET DHE VAZHDOJNË.  MOS TI SHKOJ MENDJA DIKUJT ME I FAJËSU ATA PËR SITUATEN.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat