Hoti tregon a do ta shpallin gjendjen e jashtëzakonshme

Aktuale

Hoti tregon a do ta shpallin gjendjen e jashtëzakonshme

Më: 5 korrik 2020 Në ora: 16:50
Kryeministri Avdullah Hoti

Kryeministri Avdullah Hoti nuk ka dhënë detaje se çka ka ndodhur saktësisht në Klinikën Infektive mbrëmë, ku kanë vdekur 4 persona, ndërsa ka folur rreth asaj nëse do të shkarkojë ministrin e Shëndetësisë Armend Zemaj pas gjendjes së krijuar në vend me pandeminë COVID-19.

Hoti doli i vetëm në konferencën për media pas takimit me përfaqësuesit e institucioneve shëndetësore, ku nuk u shoqërua as nga ministri i Shëndetësisë dhe drejtori i IKSHPK-së siç ndodhte në të kaluarën.

Ai tha se stafi shëndetësor është duke e bërë maksimumin për t’iu dalë në ndihmë qytetarëve dhe për të shpëtuar jetë, ndërkohë që tha se nëse ka pasur ndonjë lëshim organet përkatëse do të merren me këtë çështje.

Hoti: Stafi shëndetësor është duke bërë maksimumin

“Ne bashkëndjejmë me familjet e atyre personave. Unë e di që stafi shëndetësor atje është duke e bërë maksimumin për t’iu dalë në ndihmë dhe për të shpëtuar jetë, dhe nëse ka pasur çfarëdo lëshimi organet përkatëse janë marrë dhe do të merren më këtë çështje. Ndërkohë që ministri bashkë me të gjithë profesionistët shëndetësorë tani janë duke e kthyer këtë diskutim që e prezantova unë në vendim të qeverisë... Sigurisht që është shqetësuese, nëse e shihni në këndvështrim tjetër gaboheni edhe në këndin njerëzor dhe moral...Unë e di që personeli shëndetësor po bën maksimumin aty dhe gjithashtu mund t’iu garantoj që organet përkatëse do të shohin nëse ka pasur çfarëdo lëshimi, por garancitë që i kam është që është bërë maksimumi për të ruajtur jetën e qytetarëve në Klinikë”, tha ai.

I pyetur se a ka pasur problem me pajisjet mbrëmë në Klinikën Infektive që kanë shkaktuar vdekjen e pacientëve, Hoti tha se nuk i komenton ato që përfliten në opinion.

Hoti: Nuk mund të komentoj ato që fliten

“Nuk mund të komentoj ato që fliten, organet përkatëse do ta bëjnë punën e tyre dhe çfarëdo që do të identifikojnë organet përkatëse do të merren veprimet në përputhje me ato gjetje. Por, atë që unë kam kërkuar dhe që jam siguruar është që personeli shëndetësor është duke e bërë maksimumin për t’iu dal në ndihmë qytetarëve në nevojë”, tha Hoti.

I pyetur se a do të shkarkojë ministrin e Shëndetësisë Armend Zemaj, Hoti tha se janë duke e bërë maksimumin për të menaxhuar me situatën dhe se ministri është në krye të detyrës.

Hoti: Po bëjmë maksimumin për të menaxhuar me situatën

“Po bëjmë maksimumin për të menaxhuar me situatën, jemi në krye të detyrës, edhe ministri edhe gjithë stafi shëndetësor”, tha ai.

Ndërsa, tha se në momentin që personeli shëndetësor do t’i sugjerojë për ta shpallur gjendjen e jashtëzakonshme, ai do ta bëjë një gjë të tillë.

Hoti: S’do të hezitoj të shpall gjendjen e jashtëzakonshme nëse ajo kërkohet

“Në atë moment që personeli shëndetësor, përgjegjësit e institucioneve shëndetësore më sugjerojnë mua si kryeministër që duhet shpallur gjendjen e jashtëzakonshme, nuk do të hezitoj në asnjë moment të shpall gjendjen e jashtëzakonshme”, tha ai.

Në orët e hershme të mëngjesit të ditës së sotme kanë vdekur të paktën katër pacientë në Klinikën Infektive që kanë qenë duke u trajtuar me COVID-19, ku është raportuar se vdekja e tyre ka ndodhur për shkak të problemeve të aparaturave me oksigjenin qendror.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat