Testi për coronavirus do të bëhet edhe në laboratorët e Qendrave të Mjekësisë Familjare

Aktuale

Testi për coronavirus do të bëhet edhe në laboratorët e Qendrave të Mjekësisë Familjare

Më: 5 korrik 2020 Në ora: 19:21
Foto ilustrim

Ministria e Shëndetësisë dhe Instituti Publik i Shëndetësisë së Kosovës (IKSHPK), ka paraparë decentralizimin e testimeve për coronavirus.

Ditëve të fundit në Kosovë numri i vdekjeve dhe i të infektuarve me koronavirus është rritur dukshëm.

Duke e parë që tashmë nuk janë duke u bërë testet siç janë bërë në të kaluarën dhe duke e parë që IKSHPK-ja është duke punuar jashtë kapaciteteve të saja, Komuna e Prishtinës, ka propozuar që t’iu lejohet që të bëhet testi për koronavirus edhe në laboratorët e Qendrave të Mjekësisë Familjare.

Këtë e ka konfirmuar, Muhedin Nushi, nënkryetar i Komunës së Prishtinës, i cili theksoi se, decentralizimi i testimeve do ta ndihmonte shumë IKSHPK-në.

“E kemi diskutuar si çështje dhe e kemi marrë një lloj aprovimi ose pëlqimi nga ana e kryeministrit dhe ministrit të Shëndetësisë edhe nga ana e IKSHPK-së. Po ju rikujtoj Komuna e Prishtinës i ka 16 laboratorë, i kemi laborantët e aftë për me e krye këtë punë. Kjo thjeshtë është një analizë të cilën secili prej nesh e ka bërë deri më tash, do me thënë s’po besoj që dikush që nuk i ka bërë këto analiza. Pse mos t’i bëjmë. Pse mos t’i angazhojmë do me thënë këto 16 laboratorë. Kjo është çështja e dytë e kësaj pakos që e kemi propozuar prej tetë pikësh. Do me thënë, decentralizimi i testimeve. Në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare në Prishtinë merren mostrat por nuk bëhen analizat dhe ato dërgohen në IKSHPK ose në Klinikën Infektive dhe Klinika Infektive i përfundon testimet. Ne jemi duke kërkuar që bëhet decentralizimi, t’iu jepet mundësia edhe QMF-ve por edhe klinikave private të licencohen shpejt e shpejt për këtë lloj të testimeve dhe të krijojmë testime masive dhe qytetarëve t’ua heqim brengën dhe të mos rrinë vetëm para televizorit dhe vetëm në mbrëmje të kuptojnë cili numër po del. Edhe e kemi pikën e tretë që është prapë me rëndësi shumë. Me rastin e decentralizimit nuk kemi nevojë të mbingarkojmë QKUK-në këtu sepse jemi veç në situatë kur gati se janë të mbingarkuara. Edhe mbi ngarkesa dhe kapaciteti i tyre me shtretër por edhe kapaciteti me burime njerëzore të tyre është maksimal. Kemi punëtor që ndoshta që dy javë, po flas për Klinikë Infektive dhe IKSHPK që nuk e kanë vizituar familje dhe është pak jo korrekte nga ana jonë si institucione që mos me ju dalë në ndihmë”, ka thënë Nushi javën e kaluar në një intervistë.

Në anën tjetër nga Ministria e Shëndetësisë i kanë thënë se kjo ministri dhe IKSHPK-ja janë përgjegjës për strategjinë e testimeve.

Nga MSH-ja kanë thënë se janë duke e hartuar një plan të veprimit për decentralizimin e testimeve dhe se ky plan pritet të jetë i gatshëm shumë shpejtë.

“Institucion përgjegjës për strategjinë e testimeve në Kosovë është MSH dhe IKSHPK. MSH, sipas Programit qeverisës 2020-2023 është duke bërë një Plan veprimi për testimet virolgjike dhe testimet serologjike në Kosovë dhe i njëjti parasheh edhe decentralizimin e testimeve në Qendra Rajonale të Shëndetësisë Publike dhe institucioneve të tjera. Ai do të jetë i gatshëm si dokument brenda pak ditësh”, thuhet në përgjigjen e MSH-së.

E një gjë të tillë e konfirmoi edhe kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, të dielën në një konferencë për medie pas takimit me përfaqësuesit e institucioneve shëndetësore.

Theksojmë se deri më tani në Kosovë janë testuar 24 mijë e 921 persona si të dyshuar dhe 3 mijë e 356 prej tyre kanë rezultuar pozitivë me koronavirus.

Fatkeqësisht betejën me koronavirus e kanë humbu 70 persona, kurse 1 mijë e 874 kanë arritur që të shorohen.

Në bazë të këtyre të dhënave të IKSHPK-së, në Kosovë janë 1 mijë e 416 raste aktive.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat