Policia po e heton vdekjen e 6 të infektuarve me COVID-19 në Klinikën Infektive

Aktuale

Policia po e heton vdekjen e 6 të infektuarve me COVID-19 në Klinikën Infektive

Më: 6 korrik 2020 Në ora: 11:27
Foto Ilustrim

Policia e Kosovës po e heton rastin e 6 vdekjeve të djeshme të pacientëve të infektuar me koronavirus që po trajtoheshin në Klinikën Infektive të QKUK-së.

Dje u raportua për rreth 5 viktima të koronavirusit, ndërsa në mbrëmje Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK) konfirmoi se ishin 6 persona që kishin vdekur në Infektivë.

Përmes raportit 24 orësh, Policia thotë se trupat e pajetë të 6 personave me urdhër të prokurorit janë dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore (IML) për obduksion, ndërsa thonë se rasti po hetohet.

“Prishtinë 05.07.2020 – 01:00. Raportohet se në Kliniken Infektive në Prishtinë kanë vdekur gjashtë persona që të gjithë kosovar. Me vendim të prokurorit, trupat e pa jetë të viktimave dërgohen në Institutin e Mjekësisë Ligjore për Obduksion. Rasti është duke u hetuar”, thuhet në raportin e Policisë.

Qysh në mëngjes, Policia dje e rrethoi Klinikën Infektive me shiritë të sigurisë, ndërsa prishja e respiratorëve të Infektivës po dyshohej se mund të ishte prishur pas mesnate dhe të jetë bërë shkak për vdekjen e disa personave.

Me urdhër të prokurorit, Policia ka shkuar në këtë klinikë për të verifikuar nëse mosfunksionimi i respiratorëve kishte të bënte me defekt teknik apo me ndonjë prishje të qëllimshme.

Nga hetimet e para, vdekjet e fundit janë trajtuar si të dyshimta dhe Policia është duke zhvilluar hetime.

Ndërkohë, drejtoresha e Klinikës Infektive në QKUK, Lindita Ajvazaj, dje tha për media se për këtë rast do të përgjigjet vetëm prokuroria dhe kjo është vendosur me urdhër të kësaj të fundit.

Policia e Kosovës dje nuk ka dhënë version për vdekjet në Infektivë dhe hetimet që kishin nisur.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat