​Mbyllet Qendra e Regjistrimit Civil, tollovi e madhe dhe nuk ka distancë

Aktuale

​Mbyllet Qendra e Regjistrimit Civil, tollovi e madhe dhe nuk ka distancë

Më: 6 korrik 2020 Në ora: 13:40
Tollovi e madhe dhe nuk ka distancë

Që nga mëngjesi e deri në mesditë janë parë radhë të gjata të qytetarëve që po qëndronin para objektit të Qendrës së Regjistrimit Civil në Prishtinë. E po në mesditë ende pa kryer punë, ata u njoftuan se Qendra e Regjistrimit të Automjeteve dhe Qendrën për Pajisje me Dokumente janë mbyllur, pasi disa zyrtarë të kësaj qendre kanë rezultuar pozitivë me COVID-19.

Ky lajm i cili iu erdhi nga pjesëtarë të Policisë së Kosovës i nervozoi shumë qytetarët të cilit po prisnin që nga mëngjesi.

Para qendrës për Regjistrim Civil në Prishtinë, përveç tollovisë së madhe nuk u respektuan as distanca e rekomanduar nga institucionet përgjegjëse të shëndetësisë në Kosovë, teksa ka edhe qytetarë që nuk mbanin maska.

Për të shpërndarë qytetarët në vendin e ngjarjes erdhën edhe pjestarë policor të njësisë speciale.

Ismet Gashi nga fshati Mramor i Prishtinës nga ora 08:00 e mëngjesit ka pritur për një vulë apostile e cila po i duhet djalit të tij për të siguruar vendin e punës. Por ai nuk e mori këtë vulë, pasi që qendra u mbyll derisa ai po priste në radhë.

E për këtë situatë, Gashi fajtor kryesor e ka konsideruar pushtetin qendror.

Madje sipas tij, as masat e rekomanduara nuk po respektohen.

Gashi: Është për keqardhje fajtori kryesor është pushteti qendror

“Prej orës 08;40 qitu, ka pasur edhe prej orës 07:00 që kanë ardhur në radhë, edhe tash e mbyllën para e me dal këta të Qendrës së Regjistrimit Civil me na njoftua se nuk punohet e kanë shti policinë tash po thonë me ja njoftua përmes medieve. Kam ardhur me marr një certifikatë të lindjes për djalin, vulë apostile i duhet urgjent atje sigurisht tash do ta humb edhe vendin e punës mund edhe ta kthejnë edhe prej shtëpisë krejt….Kjo është për keqardhje fajtori kryesor është pushteti qendror pse nuk e autorizon komunën…Për COVID19 virusin këtu po thotë 2 metra ne nuk jemi as 20 centimetra njëri me tjetrin shumë njerëz mund të infektohen”, tha ai.

I mllefosur me gjendjen e krijuar është edhe Ibrahim Murati, i cili thotë për KosovaPress, se për shkak të moskujdesit që janë duke e bërë institucionet e Kosovës ndaj qytetarëve po rritet numri i rasteve me COVID në vend.

Edhe Murati ka pritur nga mëngjesi për një vulë apostile por as ai nuk arriti të kryej punë.

Murati: Qeveritarët janë katastrofa e zotit, moskujdesi ndaj qytetarëve por rrit rastet me COVID19

“Këtu jemi prej orës 08:00mëngjes..për një vulë apostile..këta janë katastrofa e zotit nuk thonë asgjë, thonë çka iu thotë ai hajni i madh…Këtu nuk ka të bëjë me virus asgjë kjo është një rren e tyre, na populli marum duke hjekur, njerëzit nuk po mund të vinë po na dërgojnë neve me marr diçka me kry punë ….Moskujdesi ndaj qytetarëve është tmerr për qata është rritur edhe numri, këta po e bëjnë edhe vetë, a e po e shihni kallabllakun mos kujdesi i tyre ndaj qytetarëve është tmerrësisht i pakuptimit”, u shpreh Murati.

Nga Rahoveci për një vulë apostile ka ardhur edhe Xhafer Morina, i cili thotë se ka javë që është duke pritur dhe nuk kanë asnjë informatë.

Morina: Jemi duke pritur me javë dhe nuk kemi asnjë informatë

“Po presim për një vulë apostile në Ministri të Punëve të Brendshme, jemi duke pritur me javë kur duan as nuk ke informata, as asgjë, kurrfarë rregulli nuk ka” , tha Morina.

Izet Krasniqi thotë se ka ardhur nga Austria për të rregulluar letërnjoftimin por për shkak të mbylljes së Qendrës ai nuk mundi të bëjë zgjidhje ende.

Krasniqi: Nga Austria kam ardhur me rregulluar një letërnjoftim, nuk po mund të bëjë zgjidhje

“Erdha sot nuk kemi afat, pa afat pa asgjë, kam ardhura nga Austria me e rregulluar letërnjoftimin, por nuk po mundem gruaja më ka mbetur atje edhe kam mbetur më vonë ta shohim”, tha ai.

E gjatë ditës së sotme Ministria e Punëve të Brendshme dhe Administratës Publike përmes një njoftimi për media ka njoftuarse për shkak të rrezikut nga përhapja e COVID-19, është marrë vendim që Qendra për Regjistrimin e Automjeteve dhe Qendra për pajisje me Dokumente në Prishtinë të vazhdojë pezullimin në ofrimin e shërbimeve me palë.

Në këtë njoftim janë bashkangjitur edhe informacionet se ku mund t’i marrin këto shërbime qytetarët e Kosovës.

“Deri në përfundimin e procesit të testimit të stafit të këtyre dy qendrave, të gjitha shërbimet e Regjistrimit të Automjeteve do të bëhen në Qendrat e Regjistrimit të Automjeteve të rajonit 01 në komunat: Fushë Kosovë, Obiliq, Podujevë, Graçanicë, Lipjan dhe Drenas. Gjithashtu, aplikimet e rasteve për pajisje me dokumente mund të bëhen nëpër Qendrat për Pajisje me Dokumente të komunave më të afërta, në përjashtim të rasteve mjekësore dhe tërheqjes së dokumenteve të gatshme, të cilat vazhdojnë të kryhen në QPD-në Prishtinë, ndërsa shërbimet për vula apostile/verifikuese ofrohen vetëm për raste mjekësore dhe emergjente”, thuhet në njoftim.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat