Pacientët me COVID-19 në QKUK po shoqërohen nga familjarët, mjekët të shqetësuar

Aktuale

Pacientët me COVID-19 në QKUK po shoqërohen nga familjarët, mjekët të shqetësuar

Më: 6 korrik 2020 Në ora: 20:04
Klinika Infektive, QKUK

Rrezik për përhapjen e virusit po paraqesin edhe personat që po shoqërojnë në Klinikën Infektive pacientët e prekur me COVID-19. Kështu deklarojnë profesionistët shëndetësorë, ndërsa familjarët e pacientëve thonë se ata kanë nevojë për asistencën e tyre.

Blerim Syla nga Federata e Sindikatave të Shëndetësisë tha se një praktikë e tillë nuk duhet të vazhdojë.

Sipas Sylës, vizita në Klinikën Infektive jo vetëm që paraqet rrezik për infektime të familjarëve të pacientëve por edhe të qytetarëve kontaktues të tyre.

“Mendoj se kjo nuk duhet të justifikohet. Kjo rreptësishtë duhet të ndalohet dhe të merren masa urgjente që të mos ndodhin raste të tilla që të ketë përcjellës të pacientëve. Kemi pasur raste kur dy bashkëshortët kanë qenë të prekur me COVID-19 dhe ajo është situatë tjetër. Mirëpo nëse vetëm njëri është pozitiv dhe shkon ndonjë përcjellës kjo është e patolerueshme”, deklaroi Blerim Syla.

Syla tha se duhet të rritet numri i personelit shëndetësorë dhe pacientët të jenë vetëm nën kujdesin e tyre.

Nga ana tjetër Arta Jashari ka qëndruar në QKUK për më tepër se një javë për t’u kujdesuar për babanë e saj të prekur me coronavirus. Sipas Jasharit prezenca e një familjari është e domosdoshme.

“E kam vërejtur edhe te pacientët e tjerë që më ka rënë me i pa se ata përjetojnë një gjendje ankthi të tmerrshme. Babi ka pasur nevojë shumë për prezencën time së paku psiqikisht e pastaj ai ka pasur nevojë edhe për trajtimin e simptomave tjera dytësore që lidhen me stendat apo me diabetin”, deklaroi Arta Jashari.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat