Bolton godet fort Thaçin: Ideja për shkëmbim territoresh është shty para nga Vuçiqi e Thaçi, jo nga unë!

Aktuale

Bolton godet fort Thaçin: Ideja për shkëmbim territoresh është shty para nga Vuçiqi e Thaçi, jo nga unë!

Më: 6 korrik 2020 Në ora: 22:40
Foto ilustrim nga "Bota sot"

Shkëmbimi i territoreve mes Kosovës dhe Serbisë si pjesë e marrëveshjes finale është shtyrë dhe promovuar nga liderët e të dyja vendeve.

Kështu ka thënë John Bolton, ish-këshilltar për siguri i presidentit amerikan Trump, sipas të cilit ky opsion mori hov në fillim të vitit 2018.

Kjo është periudha kur presidenti i Kosovës, Thaçi, kishte zhvilluar disa takime me homologun serb, Vuçiq, pas të cilave e lansoi idenë për korrigjim të kufijve

“Një nga gjërat që do të diskutonim ishte shkëmbimi i territoreve, por në Ballkan dhe Evropë u prit me kundërshtime për shkak të frikës se shkëmbimi i territoreve atje mund të ndodhte edhe në Evropë apo diku tjetër. Kjo ka ndodhur në histori, diçka me të cilën duhet të jetoni, ta pranoni.”

Më 26 gusht të vitit 2018, presidenti Thaçi, në forumin Alpbach me liderët e Ballkanit Perëndimor, kishte folur hapur për ndryshim kufijsh në Ballkan.

“Kemi diskutuar për pesë vite me presidentin Vuçiq dhe tani kemi vendosur që të eksplorojmë çdo opsion të mundshëm. Nga perspektiva ime, përfshirë korrigjimin e kufijve, në mënyrë që të bëhen përpjekje për arritjen e marrëveshjes. Vendet e rajonit dhe të tjerët nuk duhet të kenë frikë nga një marrëveshje e mundshme mes Kosovës dhe Serbisë, edhe nëse ajo marrëveshje implikon korrigjim të kufijve”.

Në të njëjtën vijë ishte edhe presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, i cili madje e sugjeronte Thaçin të mos thotë asgjë, derisa ai përsëriste se është në favor të korrigjimit.

“Po, dua të flas, … mund të them se po, une jam në favor të korrigjimit të kufirit”!

Thaçi po ashtu insistonte se nuk janë “djem problematikë”, teksa ndërkombëtarëve u kërkonte mos t’i pengojnë në finalizimin e marrëveshjes.

“Ne nuk jemi djem problematikë, ne po provojmë të arrijmë marrëveshje … po”!

Dy vjet më vonë do të tentohej arritja e marrëveshjes me ndërmjetësimin e SHBA-së. Por, takimi i planifikuar më 27 qershor në Shtëpinë e Bardhë dështoi, pasi prokurori i Gjykatës Speciale e bëri publike aktakuzën ndaj presidentit Thaçi.

Kundër tij dhe disa të tjerëve rëndojnë dyshime për rreth 100 vrasje të paligjshme.

Njohës të rrethanave thonë se pikërisht në vitin 2018 ndodhi kthesa e madhe ku ideja që tradicionalisht është shtyrë nga Serbia të bëhet e pranueshme edhe për Kosovën.

Përkundër zhvillimeve të reja, emisari amerikan, Richard Grenell, ka bërë të ditur se nuk do t’i ndalë përpjekjet për t’i çuar palët drejt marrëveshjes. Ai ka mohuar se në agjendë janë opsionet që implikojnë ndryshim kufijsh.

Teksa ka fajësuar Boltonin se për shkak të tij i është dashur t’i luftojë thashethemet për shkëmbim territoresh, Grenelli ka thënë se në fokus kryesor do të jetë marrëveshja për zonë të përbashkët ekonomike mes Kosovës dhe Serbisë.

Rrethanat që çuan në pezullimin e përkohshëm të dialogut pas komunikatës së Speciales kanë krijuar mundësinë për të ndalur një agjendë, e cila nuk ishte e njohur për Kosovën.”

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat