Reagon Ministrja e Jashtme: Nuk planifikoj të ndalem nga raportimet tendencioze dhe shpifëse

Aktuale

Reagon Ministrja e Jashtme: Nuk planifikoj të ndalem nga raportimet tendencioze dhe shpifëse

Më: 6 korrik 2020 Në ora: 23:41
Meliza Haradinaj-Stublla

Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Meliza Haradinaj-Stublla ka reaguar pas raportimeve se një zyrtare në këtë ministri është graduar jashtëligjshëm.

“Shkrimi dhe lajmi në Grupin Koha për kinse “gradimet e paligjshme” janë raportim tendencioz dhe shpifës. Artikulli dhe storia televizive shpërfaqin njëanshmëri totale dhe janë qëllimshëm të pasakta, duke tentuar njollosjen e MPJD-së dhe shërbimin e jashtëm të Kosovës”, ka shkruar ajo.

Sipas saj, vendimi i gradimit të përmendur është marrë duke u bazuar në Ligjin për Shërbimin e Jashtëm, sipas propozimit të Komisionit për Grada dhe Disiplinë, i cili rekomandon vetëm njëherë për gradë të njejtë, dhe jo dy apo tre herë siç është aluduar në artikull.

“Vendimet e mia, janë kryekëput të bazuara tek hierarkia e institucionit dhe të rekomanduara me procedura të rregullta, legjitime dhe ligjore, dhe kështu do të vazhdoj çdo detyrim e angazhim institucional timin”, ka theksuar Haradinaj-Stublla.

Tutje ajo ka thënë se nuk është hera e parë, që shpifet ndaj saj nga agjenda të tilla politike.

“Në emër të respektimit të fjalës së lirë, nuk kam marrë veprime ligjore, por në rastin konkret do ta konsiderojmë një të tillë, meqë nuk bëhet fjalë për vetën e parë, por për pjesëtarë të dinjitetshëm të Shërbimit të Jashtëm të Kosovës, që janë në MPJD mbi një dekadë dhe që përfaqësojnë shtetin tonë në misionet me rëndësi strategjike për vendin. Diplomacia e Kosovës do të mbrohet dhe respektohet me ligj dhe Kushtetutë, dhe se presioni politik medial nuk do të ketë sukses në pengimin e rikthimit të ligjshmërisë në MPJD, si dhe marrjen e vendimeve në interes të shërbimit të jashtëm dhe interesit strategjik të Kosovës. Njoftoj Grupin Koha që nuk planifikoj të ndalem në këtë mision”, ka shkruar në fund ministrja.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat