​Oda Amerikane përshëndet themelimin e Gjykatës Komerciale deri në vjeshtë

Aktuale

​Oda Amerikane përshëndet themelimin e Gjykatës Komerciale deri në vjeshtë

Më: 8 korrik 2020 Në ora: 15:52
​Oda Amerikane

Duke pasur parasysh rëndësinë që fuqizimi i sundimit të ligjit dhe i drejtësisë komerciale në veçanti kanë për investimet e jashtme dhe të brendshme, Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë mirëpret angazhimin e Ministrisë së Drejtësisë për shtyrjen përpara të iniciativës së rishikimit funksional të sektorit të sundimit të ligjit.

Përmes një komunikate për media thuhet se Oda Amerikane i sheh si inkurajuese deklaratat e Ministrisë së Drejtësisë për finalizimin e legjislacionit për themelimin e Gjykatës Komerciale deri në vjeshtë të vitit 2020, për shkak të efikasitetit momentalisht të ulët dhe vonesave në trajtimin e rasteve të natyrës komerciale, me të cilat ballafaqohet sektori privat në Kosovë.

Oda Amerikane konsideron se ofrimi i një mekanizmi të shpejtë dhe profesional për zgjidhjen e kontesteve të bizneseve do të përmirësonte zbatueshmërinë e kontratave dhe do të rriste sigurinë e të bërit biznes, duke përmirësuar rrjedhimisht edhe imazhin e Kosovës para investitorëve të huaj.

Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë i mirëpret edhe planet për krijimin e një divizioni të veçantë për trajtimin e kontesteve të investitorëve të huaj, gjë që pashmangshëm do të ndikonte në rritjen e investimeve të huaja dhe përshpejtimin e rritjes ekonomike të Republikës së Kosovës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat