​Veseli kujton vëllezërit Bytyçi

Aktuale

​Veseli kujton vëllezërit Bytyçi

Më: 8 korrik 2020 Në ora: 22:48
Kadri Veseli

Kryetari i PDK-së Kadri Veseli, me rastin e 21-vjetorit të vrasjes të tre vëllezërve Yll, Agron dhe Mehmet Bytyçi nga forcat kriminale serbe, ka kujtuar me nderim të thellë përkushtimin e tyre atdhetar, familjes Bytyçi dhe diasporës tonë, e cila nuk kurseu asgjë për lirinë e Kosovës.

Ylli, Agroni e Mehmeti me atdhedashurinë e pashoqe, me besim në idealet, iu bashkuan Batalionit “Atlantiku”, krenarisë sonë në luftën çlirimtare, e cila erdhi nga djepi i lirisë, Amerika.

“Ne nuk do të ndalemi së kërkuari drejtësi për krimet e rënda që shteti i Serbisë kreu kundër qytetarëve të Kosovës. Në këtë përvjetor të rënies së tyre, të gjithë ata që planifikuan dhe ekzekutuan krimin makabër, duhet të dalin para drejtësisë”, shkruan Veseli në Facebook.

“Lavdi e përjetshme për vëllezërit heronj, Yll, Agron dhe Mehmet Bytyçi. Kosova nuk ju harron kurrë”, ka shtuar ai.

Vëllezërit Bytyqi, tre shqiptarë nga Prizreni me shtetësi amerikane, u vranë në korrik 1999 në Serbi.

Tre vëllezërit Bytyçi në prill 1999 udhëtuan nga Amerika në Kosovë për t’iu bashkuar batalionit “Atlantiku” të UÇK-së, pranë të cilit luftuan deri në qershor 1999 kur përfundoi lufta në Kosovë.

Ata u arrestuan më 23 qershor 1999 nga policia serbe pasi mendohet se aksidentalisht e kaluan kufirin me Serbinë përderisa ishin duke i ndihmuar disa fqinjë nga një familje rome, të cilët u kishin kërkuar që t’i shoqëronin deri te kufiri për të kaluar në Serbi.

Pas arrestimit vëllezërit u akuzuan për kalim ilegal të kufirit dhe Gjykata për Kundërvajtje në Prokuple të Serbisë i dënoi me 15 ditë burgim. Por pas vuajtjes së dënimit, vëllezërve Bytyçi u humbën gjurmët dhe më vonë u gjetën të vrarë në mënyrë barbare.

Ndonëse kanë kaluar 21 vjet nga vrasja e tyre, deri sot nuk ka asnjë të dënuar për këtë krim.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat