Ndërpret seanca e Kuvendit për shkak të këtij rreziku - Bota Sot
Ndërpret seanca e Kuvendit për shkak të këtij rreziku

Aktuale

Ndërpret seanca e Kuvendit për shkak të këtij rreziku

Më: 9 korrik 2020 Në ora: 07:52

(E plotësuar) -  Seanca e Kuvendit të Kosovës ka përfunduar në për shkak të mungesës së kushteve, konkretisht mungesës së ajrosjes.

Kryetarja e Kuvendit, Vjosa Osmani tha se për shkak të ajrosjes është bërë rrezik të vazhdohet seanca e cila do të vazhdojnë nesër në orën 11:00

Kurse, seanca për ku do të raportojë kryeministri Hoti dhe debat parlamentar lidhur me menaxhimin e pandemisë COVID-19, do të mbahet nesër në orën 16:00.

***

109 deputetë të Kuvendit të Kosovës kanë votuar për zgjedhjen e një kandidati për anëtar jo ekzekutiv të Bordit të BQK-së.

Në raundin e parë të votimit shumicën e votave e fituan dy kandidatë, për të cilët do të  votohet përsëri

Arben Mustafa 29 vota

Mimoza Mustafa 29 vota

Avni Sahiti 17 vota

Valdrin Kasumaj 17 vota

Veton Zeqiraj 15 vota

***

Derisa deputetët diskutonin për rezolutën për unitet politik në mbrojtje të vlerave të popullit të Kosovës, një debat i ashpër ka ndodhur në mes kryesueses së kuvendit, Arbërie Nagavci dhe deputetit Endrit Shala.

Debati nisi rreth grupit parlamentar, ku Nagavci e prezantoi Endrit Shalën si deputet të pavarur.

Nagavci: Endrit Shala si deputet i pavarur

“Ka kërkuar fjalën deputeti Endrit Shala nga Nisma- AKR, në fakt deputeti Endrit Shala si deputet i pavarur sepse koalicioni Nisma-AKR nuk ekziston më“, ka thënë ajo.

Menjëherë ka reaguar Endrit Shala.

Shala: Jeni mundu me vota të Serbisë mos ta leni Nismën këtu

“Nuk jam i pavarur unë, mos jep komente ti, nuk mundësh të më tregosh mua a jam i pavarur apo nuk jam dhe kur të folësh me mua ke kujdes, ju nuk keni të drejt të më jepni mua mbiemra tjerë. Unë jam Endrit Shala dhe jam deputet i Nismës, pikë, mësohu se e di që je mundu me vota të Serbisë mos ta leni Nismën këtu”, tha ai.

Ndërsa, Nagavci e falënderoi duke i thënë se është deputet i Nismës pa grup parlamentar.

Haxhiu-Vetëvendosjes: Ish-deputetët tuaj sponsorizuan raporte kundër UÇK-së

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Bekim Haxhiu ka adresuar akuza ndaj Lëvizjes Vetëvendosje se ish-deputetë të kësaj partie kanë sponsorizuar raporte kundër Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).

Në seancën e sotme plenare të Kuvendit të Kosovës, ku po diskutohet për votimin e propozim-rezolutës për mbrojtjen e vlerave të popullit të Kosovës, Haxhiu tha se raportet e tilla, përveç shërbimit serb, janë bërë edhe nga shqipfolës në Kosovë.

Haxhiu: Specialja, ‘produkt’ i disa ish-deputetëve të VV që sponsorizuan raporte kundër UÇK-së

“Gjykata Speciale ka ardhur produkt i disa ish-deputetëve të juaj që kanë sponsorizuar raporte anti-UÇK, raporte anti-Kosovë dhe janë paguar prej kontove private të tyre që kanë bërë raporte të tilla. Libri dhe raporti i Dick Martyt është sponsorizuar prej shërbimit serb dhe disa shqipfolësve në Kosovë”, tha deputeti Haxhiu.

***

Katër ditë para se të intervistohet presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi nga Prokuroria Speciale në Hagë, deputetët e Kuvendit të Kosovës në seancën e sotme plenare kanë votuar rezolutën për unitet politik dhe qytetar në mbrojte të vlerave të luftës së UÇK-së.

Kjo rezolutë u përkrahë nga të gjitha partitë politike, përveç grupit parlamentar të Vetëvendosjes. Deputetët e kësaj të fundit insistonin që kjo rezolutë të harmonizohet dhe bashkërendohen edhe me grupin parlamentar të tyre. Por një gjë e tillë nga inicuesja deputetja e AKR-së, Mirlinda Sopi-Krasniqi insistojë që kjo të votohet sot.

Shefi i grupit parlamentar të LVV-së, Rexhep Selimi duke kërkuar harmonizim në tekstin e rezolutës, tha se deputetët që e kishin votuar Gjykatën Speciale tash po përdorin standarde të dyfishta.

Selimi: Pse nuk kërkuat unitet edhe në 2015 për të mbrojtur pastërtinë e luftës së UÇK-së,

“Pse nuk kërkuat unitet edhe në 2015 për të mbrojtur pastërtinë e luftës së UÇK-së, por kërkonit unitet për të kundër për të votuar Gjykatën Speciale. A nuk ishte UÇK-së e pastër edhe kur kërkonit që kjo gjykatë do të pastrojë luftën e drejt të UÇK-së. Pra nuk e sollëm vet këtë gjykatë që tash po ankohemi. Nuk do të duhej të kishte standarde të dyfishta askush kur bëhet fjalë për një gjë kaq të rëndësishme, sidomos kur bëhet fjalë për luftën e drejtë”, tha ai.

E, Selimit i reagoi, inicuesja e rezolutës, Mirlinda Sopi-Krasniqi e cila i kërkoi atij të bëhen bashkë në raport në Serbinë.

Krasniqi-Sopi: Ejani të bëhemi bashkë dhe unik kur të bëhet fjalë për çështjen kombëtare në raport me Serbinë

“Po kërkojë nga ju sot që të bëheni ferë dhe t’i leni fjalët boshe. Hajdeni të bëhemi bashkë dhe unik kur të bëhet fjalë për çështjen kombëtare në raport me Serbinë”, tha ajo.

Ndërkaq, deputeti i AAK-së, Daut Haradinaj tha se pas propozim-aktakuzave ndaj dy liderëve të UÇK-së është mundësi e fundit për unitet për të dëshmuar bashkimin karshi Serbisë.

Haradinaj: Është moment historik të bashkojmë forcat

“Sot nuk mendoj që është momenti më i përshtatshëm që të hedhim gurë nga njëri tjetër se kush ka më shumë faj, apo meritë në këtë situatë që jemi. Një aktakuzë, apo tendencë për me u ngritë, nga një prokurorë i cili e publikon akoma pa u konfirmuar është shkelje flagrante. Ky kuvend e ka përgjegjësinë me trajtu këtë sjellje, po ashtu edhe ftesa që i ka ardhur presidentit është në të njëjtën kohë, pasi është dorëzuar aktakuza, edhe këtu ka shkelje... është moment historik të bashkohemi forcat të dëshmojmë se jemi unik përballë Serbisë sepse drejtpërdrejt kemi punë me Serbinë”, tha ai.

Pro kësaj rezolute u shpreh edhe shefi i grupit parlamentar të PDK-së, Bedri Hamza.

Hamza: Uniteti është i nevojshëm

“Uniteti është i nevojshëm dhe kurrë nuk është i tepërt dhe kurrë nuk është vonë të kërkohet unitet për çështje të caktuara. Prandaj ashtu siç e përkrahëm për t’u futur në rend të ditës, GP i PDK-së do të përkrahë edhe në votim”, tha ai.

Por reagimeve kundër LVV-së iu kundërpërgjigj, deputeti i kësaj partie, Liburn Aliu i cili tha se janë të gatshëm gjithherë për një rezolutë në mbrojtje të UÇK-së.

Aliu: Jemi të gatshëm të sjellim rezolutë që kemi pasur përherë

“Unë po ju sigurojë që LVV-ja edhe deputetët e saj dhe unë personalisht jemi të gatshëm që në këtë kuvend të sjellim rezolutë në frymë që e kemi pasur përherë. Në lidhje me luftën e UÇK-së dhe Gjykatës Speciale”

Bogujevci e zemëruar: Kush e ka pru UÇK-në në këtë gjendje që me mbrojtë, ju as viktimat e luftës si keni mbrojtur

Deputetja nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Saranda Bogujevci në seancën e sotme duke folur për propozim-rezolutën “Për unitetin politik e qytetar në mbrojtje të vlerave të popullit të Kosovës” ka thënë se deputetët që votuan Gjykatën Speciale janë ata që e kanë sjellë në këtë gjendje UÇK-në.

Bogujevci e indinjuar është shprehur e indinjuar me mos pajtimin e e propozueses së kësaj rezolute që të mos harmonizojnë atë.

Ajo tha se “Kush e ka pru luftën  e UÇK-së në këtë gjendje që na duhet më mbrojt, hajdeni folni?

Duhet me iu ardh marre! Nëse tani me të vërtet pa asnjë prapavijë doni me qu këtë çështje përpara hajdeni të ulemi e të bëjmë harmonizimin”

“Është e pakuptim pse po ka kundërshtim në harmonizim të rezolutës. Kisha kërku një  përgjigje se ku është problemi me u ul edhe me i dhanë mendimet tona në këtë rezolutë.

Situatën që jemi ne sot këtu është si rezultat i të bëmave të juve nëse doni me fol prej 2008 e edhe më herët çka ëstë ba e çka nuk është ba në aspektin e adresimit dhe luftës në Kosovë është e bame e juve.

Është e pakuptim që kur ju konvenon me dal me shit patriotizëm.

Kush e ka pru luftën  e UÇK-së në këtë gjendje që na duhet më mbrojt, hajdeni folni?

Duhet me iu ardh marre! Nëse tani me të vërtet pa asnjë prapavijë doni me qu këtë çështje përpara hajdeni të ulemi e të bëjmë harmonizimin.

Ju jeni ata përgjegjës që e keni pru UÇK-në në këtë deregje, e nuk jeni në gjendje as një kërkim falje me ba.

Jo vetëm UÇK-në por edhe mos mbrojtjen e të gjitha viktimave të luftës që ka bë Serbia në Kosovë.

Sot e kemi edhe Listën Srpska këtu . Se di qysh kanë fytyrë me fol, kur e mbrojtë një vend që i ka kryer gjitha ato krime në Kosovë”, tha ajo.

***

 Shefi i grupit parlamentar nga Lëvizja Vetëvendosje, Rexhep Selimi, në seancën plenare të Kuvendit të Kosovës ka thënë se në vitin 2015, Presidenti Hashim Thaçi (atëkohë kryeministër) thoshte se Gjykata Speciale po bëhet për ta pastruar luftën e drejtë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Sipas tij, në atë kohë Qeveria e Kosovës ka qenë sponzorizuese e Gjykatës Speciale.

“Nëse keni menduar që 3 gushti i vitit 2015 sjell diçka tjetër, e keni pasur gabim sepse gjykatat për këtë punë krijohen. Kam pyetje për sponzorizuesit, për atë që trajton pika e parë në draft rezolutë, a nuk e keni ditur edhe atëherë që Serbia ka kryer spastrim etnik në Kosovë?”.

“A nuk ishte UÇK e pastër atëherë kur thoshit se kjo gjykatë do ta pastrojë luftën e drejtë të UÇK-së?. A nuk e  sollëm vet këtë gjykatë për të cilën tani po ankohemi?”.

“Në atë kohë Qeveria e Kosovës ka qenë sponzorizuese, në atë kohë ishte Thaçi kryeministër. A nuk iu thoshte se kjo gjykatë s’ka të bëjë me UÇK-në, por me individët”.

“Nëse nuk e keni ditur se gjykata themelohet për të gjykuar e keni pasur gabim, ata nuk ishin gjykatës që mund të shkarkohen nga pronto, është e kundërta, ata edhe të shkarkojnë”, tha Selimi.

 Rexhep Selimi përplaset me Memli Krasniqin për Gjykatën Speciale

Në Kuvendin e Kosovës është duke u diskutuar rreth projekt-rezolutës për mbrojtjen e vlerave të popullit.

Deputetët e Kuvendit të Kosovës janë duke diskutuar për votim rreth projekt-rezolutës për mbrojtjen e vlerave të popullit.

Për këtë rezolutë është duke pasur përplasje mes Lëvizjes Vetëvendosje dhe Partisë Demokratike të Kosovës.

Shefi i grupit parlamentar të LVV-së, Rexhep Selimi, ka bërë të ditur edhe një herë që nuk do ta votojnë këtë projekt-rezolutë nëse sillet ashtu siç është.

Ai ka thënë se qëndrimin për Gjykatën Speciale, Vetëvendosje e ka thënë më 3 gusht të vitit 2015 kur ka votuar kundër themelimit të saj.

Selimi ka deklaruar se nëse dëshirojnë votën e Vetëvendosjes atëherë, duhet ta ndryshojnë tekstin e projekt-rezolutës dhe të bashkëpunojnë me ta.

“Pse po kërkoni bashkëpunim e po refuzoni harmonizim dhe këtë s’po e kuptoj dhe po ashtu po kërkoni unitet pa bashkëpunim. Me këtë rezolutë, nuk shlyhet vota për Gjykatën Speciale në vitin 2015. Prandaj ne si LVV mbetemi në pozita të njëjta siç kemi qenë në 2015. Nëse na e sillni këtë rezolutë kështu siç është ne nuk lëvizim nga pozicioni i 2015-s. Dhe prandaj kërkova që ta ndryshoni, nëse edhe dëshironi të ndryshojmë pozicion nga 2015-a…. nuk e di pse po duhet kaq shumë me e ri-fol qëndrimin e LVV-së që nga 3 gushti i 2015. Nuk e di pse ndryshon kjo rezolutë nga ajo që keni votuar më 2015”,deklaroi Selimi.

I menjëhershëm ka qenë reagimi i deputetit të PDK-së, Memli Krasniqi, i cili e ka ftuar Vetëvendosjen që të mos ndahet nga grupet e tjera parlamentare dhe ta votojnë këtë projekt-rezolutë.

“Ne nuk i ndërrojmë qëndrimet tona. Qëndrimet tona janë të ditura. Sot rezoluta ka diçka që shkon përtej asaj vote. Sot kjo rezolutë ka nevojë për një unitet për popullin. Ju mund të keni rezervat e juaj dhe ju ftoj që ju të mos ndaheni nga grupet e tjera parlamentare dhe mendoj se është rezolutë dhe tekst mjaftë i mirë”, deklaroi Krasniqi.

Mirëpo, Selimi përsëri replikoi ndaj deklaratës së deputetit Krasniqi.

“Zotëri Krasniqi ju po na ftoni të mos ndahemi. Zotëri Krasniqi, jemi ndarë më 2015”, deklaroi Selimi.

Haradinaj fton deputetët ta votojnë rezolutën për mbrojtjen e vlerave të luftës: S’është momenti për hedhje gurësh mbi njëri-tjetrin

Shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Daut Haradinaj, ka ftuar të gjithë deputetët e Kuvendit që të votojnë për rezolutën e propozuar nga deputetja e AKR-së, Mirlinda Sopi Krasniqi, për mbrojtjen e vlerave të luftës.

Haradinaj ka thënë se tash më shumë se kurrë është e nevojshme mbrojtja e vlerave të luftës, kur ato po cenohen nga Gjykata Speciale.

Ai tha se duhet unitet dhe jo gjuajte gurësh në këtë kohë.

“Kam qenë kundër dhe jam kundër kësaj gjykate. Sot nuk mendoj që është momenti të hedhim gurë ndaj njëri-tjetrit se kush ka faj”, tha ai.

Deputeti dhe shefi i deputetëve të AAK-së tha se Specialja po bën shumë shkelje.

“Publikimi i një letre politike nga Specialja, është shkelje e llojit të vet. Të gjithë ata që kanë votu kundër e kanë pasur mirë, të gjithë ata që kanë votu për po e shohin që e kanë pasur gabim. Duhet t’ju dalim zot njerëzve që kanë nevojë sot”, tha ai.

Haradinaj pati edhe një porosi për ata që sipas tij provojnë të fitojnë poena politik në këto rrethana.

“Të gjithë ata që dëshirojnë sot me fitu poena, iu them se po dëshirojnë me fitu fuqi politike në kurriz të të tjerëve. Ta votojmë këtë rezolutë dhe të dëshmojmë që jemi kundër Serbisë sepse drejtpërdrejtë jemi kundër Serbisë”, tha ai.

Hamza: Votojmë pro rezulotës për mbrojtjen e luftës së UÇK-së, uniteti i nevojshëm!

Shefi i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratikë të Kosovës, Bedri Hamza ka thënë se partia e tij do ta votojë rezulotën për ta mbrojtur luftën çlirimtare të UÇK-së dhe popullit të Kosovës, duke ritheksuar faktin se Kosova edhe sot përballet me Serbinë.

“Ashtu siç e përkrahëm që ta fusim të rend të ditës, ashtu do ta përkrahim edhe në votim”, u shpreh Hamza.

Tutje ai tha që uniteti është i nevojshëm dhe kurrë nuk është i tepërt.

“Uniteti është i nevojshëm dhe kurrë nuk është i tepërt, e as nuk është vonë”, përfundoi ai.

Time Kadriaj: Gjykata Speciale po vepron siç i konvenon Serbisë e Rusisë

Deputetja e AAK-së, Time Kadriaj në seancën e Kuvendit të Kosovës ka thënë se Gjykata Speciale nuk po i kontribon drejtësisë.

Ajo më tutje ka shtuar se kjo gjykatë po punon për interesa të Serbisë e Rusisë.

“Prokuroria e Dhomave të Specializuara ka nisur punën në mënyrën më të keqe të mundshme. Kjo prokurori ka devijuar nga misioni për drejtësi nëse kjo ka qenë ndonjëherë mision i saj. Kur Kosovës i rrezikohet stabiliteti i saj, brenda po vazhdojnë lojëra politike, kur Kosovës do t’i mungojnë luftëtarët që mund të thirren në këtë gjykatë. Përndjekja politike e kësaj gjykate mund t’i ndodh secilit. Kjo gjykatë është e politizuar. Gjykata Speciale e votuar me vota të këtij Kuvendi nuk i jep llogari dhe nuk i shërben institucioneve të Kosovës dhe vepron siç i konvenon Serbisë e Rusisë, duke tentuar që kasaphanen e Serbisë në Kosovë ta paraqesë sikur krimet më të mëdha në këtë luftë i ka kryer Kosova dhe jo Serbia. Dëmi që po i bëhet imazhit të UÇK-së e dëmton drejtpërdrejt subjektivitetin ndërkombëtar të Kosovës”, tha Kadriaj.

Image
Time Kadrijaj

Seanca e Kuvendit: Hoti paralajmëron shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme, Osmani i tregon kush mund ta bëjë atë

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti ka thënë se nuk do të ketë kurrfarë hezitimi nga që ta kërkojë shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme.

Kryeministri Hoti theksoi se nuk do të hezitojë ta bëjë një gjë të tillë, nëse ia kërkon Ministria e Shëndetësisë dhe Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik.

Derisa Hoti në seancën sotme parlamentare i është referuar projektligjit për pandeminë, të cilën Qeveria e ka konsideruar të panevojshëm, tha se janë duke e menaxhuar situatën, trendi është në rritje sië është në rritje edhe në regjion edhe më gjerë.

Hoti: Ligji për pandeminë nuk e zgjidhë problemin

“Sot kemi trajtuar në mbledhje të Qeverisë projektligjin që ka ardhur nga Kuvendi për menaxhimin e pandemisë. Vlerësimi i ekspertëve ligjorë të Qeverisë është se ky ligj nuk e zgjidh problemin, sepse nuk mundet me ligj të kufizohen të drejtat elementare, siç ka ndodhur me vendimet e Qeverisë së kaluar të cilat u shpallën jokushtetuese. Pra, e vetmja zgjidhje nëse duhet shkohet në ekstreme të kufizimit të lëvizjeve në nivel vendi, duhet ta shpallim gjendje të jashtëzakonshme”, theksoi Hoti.

Ndërkohë, kryeparlamentarja Vjosa Osmani ia ka rikujtuar kryeministri Hoti se propozimin për gjendje të jashtëzakonshme e jep vetëm presidenti.

Osmani: Propozimin për gjendje të jashtëzakonshme nuk ka të drejtë ta japë Kryeministri

“Po detyrohem sërish të jap një sqarim. Propozimin për gjendje të jashtëzakonshme në përputhje me Kushtetutën tonë nuk ka të drejtë ta japë Kryeministri, por vetëm Presidenti. Shikoni nenin 131, 84 të Kushtetutës. Shikoni kompetencat e Qeverisë. Presidenti vërtet e konsulton Kryeministrin para se ta lëshojë dekretin. Por në këtë Kuvend nuk mund të vijë propozim, ose akt i qeverisë për gjendje të jashtëzakonshme, por vetëm i Presidentit. Pra është mirë t’i keni të qarta kompetencat që i keni”, tha Osmani.

Deputetët vazhdojnë me debatin për pyetje parlamentare jashtë rendit të ditës. 

Nuk kalon rezoluta e Osmanit për shkarkimin e Rakiq

Rezoluta për shkarkimin e zëvendëskryeministrit, Goran Rakiq nuk ka marrë votat e nevojshme që të hyjë në rend të ditës në seancën e sotme. Partitë në pushtet në krye me LDK-në nuk morën pjesë në votim.

Iniciuesja e kësaj rezolute, kryeparlamentarja Vjosa Osmani duke arsyetuar atë tha se qeveria duhet të shkarkojë të gjithë anëtarët që bëhen pjesë kërcënuese ndaj shtetit të Kosovës.

Osmani: Çdo thirrje për mbështetje të Serbisë, kërcënon shtetin e Kosovës

“Ky kuvend ka miratuar edhe rezoluta për tema të ndryshme përfshirë për çështjen dialogut, për deklaratat e ministrave të Listës Serbe edhe në të kaluarën, rrjedhimisht duke u bazuar në atë praktikë propozojë që të hynë në rend dite ky propozim-rezolutë, të cilën do ta lexoj tani: Kuvendi i Kosovës në mbështetje të nenit 65 të Kushtetutës dhe nenit 52 të Rregullores së Kuvendit propozon këtë rezolutë: Pika 1, Kuvendi i Kosovës ri konfirmon se Kushtetuta e Kosovës, karakteri unitar i Republikës së Kosovës, sovraniteti shtetëror dhe integritetit territorial janë të pa cenueshme. Çdo thirrje për mbështetje të pozicionit politik e diplomatik të Serbisë kundër Kosovës është thirrje kundër rendit kushtetues, kundër sovranitetit të vendit tonë dhe kërcënon themelet e shtetit të Kosovës”, tha Osmani.

Ajo shtoi se me pikën 2, Kuvendi i Kosovës rikonfirmon se të gjitha subjektet politike qofshin në qeveri apo opozitë, kanë për obligim të punojnë në përputhje me Kushtetutën e vendit duke mos rrezikuar pozicionin dhe interesat shtetërore të Kosovës karshi Serbisë.

Osmani: Qeveria të shkarkojë të gjithë ata që bëhen pjesë kërcënuese ndaj Kosovës

“Pika 3, Kuvendi fton qeverinë që të mos lejojë asnjë anëtar të saj që të jetë i përfshirë apo i angazhuar aktivisht në fushatën diplomatike e politike të Serbisë kundër shtetësisë së Kosovës. Rrjedhimisht Kuvendi kërkon nga qeveria që të shkarkojë të gjithë ata anëtarë të qeverisë që bëhen pjesë e përpjekjeve të tilla. Dhe pika 4, nëse qeveria nuk largon këta anëtarë brenda një afati prej një javësh, do të iniciohet mocion mosbesimi ndaj anëtarëve individualë që kanë cenuar rendin kushtetues dhe sovranitetin e vendit”, theksoi ajo.

Osmani në fund tha se propozim-rezoluta ka të bëjë me një deklaratë specifike të kryetarit të Listës Serbe, Goran Rakiq, zëvendës kryeministër i Qeverisë së Kosovës, ku ai thotë: “Që i përkrah përpjekjet politike dhe diplomatike të presidentit Vuçiq për ta kthyer sipas tyre Kosovën dhe Metohinë”.

Musliu-Shoshi pyet ministrin e Arsimit: Sa është numri i mësimdhënësve me probleme të rënda shëndetësore

Çështja e mësimdhënësve , të cilët kanë probleme shëndetësore të mëdha e duhen të punojnë, ka disa vjet që mbetet një problematikë në vete, e  të cilët sot e trajtoi në Kuvend deputetja nga radhët e PDK-së, Ariana Musliu-Shoshi. 

Musliu –Shoshi në kuadër të pyetje parlamentare, i ka parashtruar këtë problematik ministrit të Arsimit, Ramë Likaj.

Ajo ka kërkuar  të dinte numrin e saktë të mësimdhënësve e të cilët përballen me probleme shëndetësore e që duhet të punojnë. Po ashtu Musliu-Shoshi ka kërkuar të dinte se cila është mënyra që kjo ministri synon ta zgjidhë këtë problem.

“Janë mbi 300 mësimdhënës të cilët janë me sëmundje të rënda, sëmundje të kancerit, të zemrës, probleme dëgjimi e shikimi , të cilët detyrohen të shkojnë në punë edhe përkundër pamundësisë së tyre shëndetësore.  Aktualisht pensionimi i parakohshëm për mësimdhënës për arsye shëndetësore nuk është i rregulluar ligjërisht. Nëse një mësimdhënës nuk mund ta vijojë punën, ai e ka vetëm një mundësi, që të marrë pension invalidor në shumën prej 75 eurosh e kjo shumë nuk  ua siguron asnjë zgjidhje për trajtim të sëmundjes dhe shpenzimeve të tjera themelore”, theksoi Musliu-Shoshi.

E ministri Likaj, ka treguar se  sipas informacioneve jo zyrtare, numri i  mësimdhënësve me probleme të theksuara shëndetësore sillet nga 200 deri në 230.

“Në bazë të informacioneve jo zyrtare, ekzistojnë diku 200 deri në 230 mësimdhënës në tërë Kosovës që kanë probleme të theksuara shëndetësore, kemi pasur takime edhe me sindikatën e arsimit dhe ata potencojnë që një numër i tillë sillet diku rreth 300. Zgjedhja e këtij problemi është rrjedhojë e ligjeve që janë të zbatueshme momentalisht në Kosovë, për pensionim të parakohshëm. Mirëpo kjo nuk ka të bëj vetëm me mësimdhënësit por me të gjithë punëtorët në sektorin publik”, ka theksuar ministri Likaj.

 Likaj ka thënë se ky problem duhet të zgjidhet përmes një ligji të veçantë, e i cili do të mundësonte që këta mësimdhënës të marrin 70 për qind të pagës së tyre bazë. Mirëpo kjo mund të arrihet duke bashkëpunuar  me Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale dhe Ministrinë  e Shëndetësisë.

“MAShTI në vazhdimësi ka kërkuar një trajtim të veçantë dhe një ligji për pensionim të parakohshëm të kësaj kategori, ku rreth 70 për qind të pagës bazë ata do ta merrnin. Por  sipas informacioneve që kam edhe pse kemi bërë një kërkesën javën e kaluar në komisionin për buxhet kjo nuk ka kaluar, arsyeja ka qenë se këta janë shërbyes civil ndërsa një e drejtë e tillë, i takon Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale, dhe nuk është aprovuar si kërkesë. Në vazhdimësi jemi duke kërkuar dhe kemi në planë qeveritar një qasje të tillë, por kompetenca mbetet Ministrisë së Shëndetësisë.”, tha Likaj.

Ai tha se qasja e Qeverisë së Hotit është  për t’u ndihmuar këtyre personave meqë problemet e tyre shëndetësore dhe mungesat që më pas ata po i shkaktojnë në vendet e tyre të punës po reflekton edhe në cilësinë e sistemit arsimor.

***

Deputetët e Kuvendit të Kosovës nuk kanë votuar projekt-rezolutën e Lëvizjes Vetëvendosje për dialogun me Serbinë.

Me 31 vota për, 60 kundër dhe 1 abstenim nuk ka kaluar projekt-rezoluta e prezantuar nga shefi i Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Rexhep Selimi.

Vjosa Osmani: Nuk kalon rezoluta e propozuar

“Me 31 vota për, 60 kundër dhe një abstenim nuk kalon rezoluta e propozuar. Me këtë i mbylli punimet e kësaj seance”, ka thënë kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani.

​Osmani-Hotit: Në Kuvend nuk ka ardhur asnjë platformë për dialogun

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti tha se në seancën e kaluar në fjalimin e tij ka prezantuar platformën e Qeverisë për procesin e dialogut dhe se kishte kërkuar që të formohet një komision i veçantë parlamentar, por me këtë nuk është pajtuar kryeparlamentarja Vjosa Osmani.

Ajo në seancën e sotme të Kuvendit të Kosovës, tha se seanca e kaluar parlamentare kur Hoti tha se ka prezantuar platformën e tij, ishte debat dhe jo prezantim i platformës, pasi që ajo vjen në formë të shkruar.

Hoti: Unë e kam prezantuar para juve platformën e qeverisë për dialog

“Unë e kam prezantuar para juve platformën e qeverisë për proces të dialogut, duke përfshirë edhe parimet dhe vijat e kuqe, edhe gjitha çështjet e nevojshme. Unë kam prezantuar që të formohet një komision parlamentar për dialog, në përputhje me procedurat parlamentare për të mbikëqyrur nga afër procesi I dialogut. U pa që disponimi është që mos formohet komisioni i veçantë parlamentar. Por unë po raportoj rregullisht, para dhe pas çdo raundi të dialogut drejt në Kuvend”, ka deklaruar Hoti.

Hoti ka propozuar që projekt-rezoluta e LVV-së për dialogun të shtyhet për një ditë tjetër.

Ndërkohë, Osmani tha se seanca e kaluar ishte thjesht debat, jo prezantim i platformës pasi që ajo vjen në formë të shkruar.

Osmani: Në Kuvend nuk ka ardhur asnjë platformë për dialogun

“Në Kuvend nuk ka ardhur asnjë platformë për dialogun. Në Kuvend ka pasur debat, nuk ka ardhur deri në këto momente ndonjë platformë. Krijimi i komisioneve të tjera ad-hoc mund të bëhet vetëm me propozim të deputetëve të Kuvendi të Kosovës. Proceduralisht në qoftë se deputetët kanë vullnetin e tillë, e mirëpresim”, ka deklaruar Osmani.

Edhe shefi i Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Rexhep Selimi, tha se nuk ka platformë të shkruar.

***

Lëvizja Vetëvendosje ka prezantuar në Kuvend të Kosovës një projekt-rezolutë me katër pika për dialogun, e cila ndër të tjera kërkon hapjen e rrugës për një proces zgjedhor, siç thuhet, të lirë dhe demokratik nga i cili do të dilte një qeveri legjitime dhe do të kishte legjitimitet për përfaqësimin e vendit në dialog me Serbinë.

Shefi i Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Rexhep Selimi tha në seancën e Kuvendit të Kosovës, se kjo rezolutë nuk e ka humbur aktualitetin përkundër tërheqjes së PDK-së nga rezoluta e propozuar.

Selimi ka kërkuar mbështetjen e deputetëve që të votohet kjo projekt-rezolutë.

Selimi: Në asnjë rrethanë të mos jetë çështje sovraniteti i vendit

“Kuvendi i Republikës së Kosovës rithekson se karakteri unitar i Republikës së Kosovës është i paprekshëm dhe i pacenueshëm. Duke marrë parasysh faktet e konfirmuara në lidhje me temën e trajtuar gjatë dialogut të deritanishëm, atë të shkëmbimit të territoreve, të cilat janë në kundërshtim me obligimin kushtetues për ruajtjen e integritetit dhe sovranitetit të Kosovës, Kuvendi i Kosovës kërkon nga institucionet përgjegjëse që në temën e dialogut në mes Kosovës dhe Serbisë në asnjë rrethanë, nivel, dhe në asnjë format nuk mund të jenë çështje që lidhen me sovranitetin e vendit, dhe integritetin territorial apo që synojnë krijimin e pushtetit të tretë administrative”, ka deklaruar Selimi.

Në këtë projekt-rezolutë, Selimi tha se kërkojnë zgjedhje të lira, nga e cila do të dilte një qeveri legjitime për përfaqësim të vendit në dialogun me Serbinë.

Selimi: Kuvendi i Kosovës para çfarë do takimi të miratojë platformë për dialog

“Kuvendi i Republikës së Kosovës para çdo takimi në kuadër të dialogut me Serbinë duhet të miratojë platformën për dialog e cila platformë do të përfshijë parimet bazë në bazë të të cilave do të zhvillohet dialogu dhe e njëjta do të votohet me 2/3 e votave të të gjithave deputetëve të Kosovës. Kuvendi i Kosovës kërkon hapjen e rrugës për një proces zgjedhor të lirë dhe demokratik nga i cili do të dilte një qeveri legjitime dhe e cila do të kishte legjitimitetin për përfaqësimin e vendit në dialog me Serbinë”, u shpreh ai. 

***

Ministrja e Financave, Hykmete Bajrami ka kërkuar nga deputetët që sa më shpejt të kalojë amendamenti i rregullores së kuvendit, që t’u mundësohet deputetëve të votojnë edhe nga shtëpitë e tyre.

Pas dështimit të aprovimit të marrëveshjeve financiare ndërkombëtare, Bajrami tha se implementimi i pakos për rimëkëmbje ekonomike vjen nga financimi i jashtëm, që kërkon 2/3 e votave të deputetëve në parlament.

Bajrami: Iu bëjë thirrje që sa më shpejt të kalojë amendamenti i rregullores së kuvendit që deputetët të votojnë nga distanca

“Iu bëjë thirrje që sa më shpejt të kalojë amendamenti i rregullores së kuvendit që deputetëve t’iu mundësohet të votojnë edhe nga shtëpitë e tyre, në mënyrë që të bëjmë të mundshme aprovimin e këtyre huave ndërkombëtare tani më në pritje për tu ratifikuar. E që kjo të mundësojë aplikimin e pakos fiskale emergjente, por edhe fondin për rimëkëmbjen ekonomike. Sepse qytetarët I kemi në pritje”, tha ajo.

Ajo gjatë mbajtjes së seancës plenare tha se këto ligje janë shumë të rëndësishme për jetën e qytetarëve, të cilët janë duke pritur që të marrin parat nga pako fiskale.

Bajrami: Kemi diskrepancë të madhe mes të hyrave dhe shpenzimeve buxhetore

“Tani për shkak të paraqitjes të disa rasteve pozitive unë po e shoh që sot ka mungesë të deputetëve dhe si rezultat i saj në fakt nuk kaluan marrëveshjet financiare ndërkombëtare. Ju bëjë me dije që sot gjithashtu në agjendë të kuvendit në seancën e tretë me procedurë urgjente është edhe rishikimi I ligjit të buxhetit. Ne kemi diskrepancë mes të të hyrave dhe shpenzimeve buxhetore jashtëzakonisht të madhe. Pjesa më e madhe e tyre sidomos pjesës që ka të bëjë me implementimin e pakos për rimëkëmbje ekonomike vjen pikërisht nga financimi I jashtëm të cilat kërkojnë 2/3 të votave të deputetëve të Kuvendit të Kosovës”, ka theksuar ajo. 

PDK tërheq draft-rezolutën për dialog

Partia Demokratike e Kosovës ka tërhequr nga votimi draft-rezolutën për dialog, të cilën e kishin prezantuar në seancën e kaluar për raportimin e Avdullah Hotit në kuvend për dialogun. Kjo meqë sipas tyre pas propozim-aktakuzës ndaj Thaçit e Veselit tashmë ka ndryshuar konteksti politik në Kosovë.

Deputeti i PDK-së, Memli Krasniqi tha se nuk do të mbështesin asnjë rezolutë tjetër, pasi sipas tij tashmë dialogu kërkon një trajtim në kuadër të kontekstit politik në Kosovë.

Krasniqi: Ne e tërheqim nga votimi draft-rezolutën për dialog

“Ne e tërheqim nga votimi dhe diskutimi draft-rezolutën të cilën e kemi propozuar në seancën në fjalë. Ne besojmë që duhet të ketë një rezolutë tjetër më gjithëpërfshirëse që përfshin këto që i thash. Në emër të PDK-së shpreh qëndrimin që nuk do të mbështesim asnjë lloj rezolutë tjetër, sepse qëndrimi ynë edhe për rezolutën që kemi propozuar fillimisht nuk është më i njëjtë karshi ndryshimit të kontekstit politik”, u shpreh ai.

Sipas Krasniqit ditën kur është mbajtur seanca për raportimin e kryeministrit Avdullah Hotit për dialogun, në Kosovë ishte situatë tjetër.

Krasniqi: Dialogu kërkon një trajtim në kuadër të kontekstit politik

“Kjo ishte para se të ndodhte deklarimi i Prokurorisë Speciale në lidhje për pretendimet për aktakuzë ndaj presidentit Thaçi, dhe kryetarit Veseli. Dy nga udhëheqësit e UÇK-së. Dhe normalisht që një çështje e tillë e rëndësishme siç është dialogu, kërkon një trajtim në kuadër të kontekstit politik. Ky kontekst politik nuk është i njëjtë, sikur në ditën kur e bëmë atë debat dhe propozuam një draft-rezolutë. Arsyeja ndërlidhej me takimin e paralajmëruar dhe përgatitur për kohë të gjatë që duhet që duhet të mbahej mes përfaqësuesve të Kosovës dhe Serbisë në Shtëpinë e Bardhë në Uashington. Tashmë të gjithë e dimë që ai takim është anuluar dhe nga informatat që dihen deri më tash nuk është përcaktuar që të mbahet. Kemi potencialisht një ndryshim të qasjes dhe ndoshta edhe një përfshirje tjetër për sa i përket ShBA-ve, gjë që do të ndikonte drejtpërdrejt për mendimin tonë në potencialin e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë”, tha ai.

Rezolutat e miratuara deri më tani tha se kanë pasur më shumë karakter teknik se politik.

Krasniqi: Është e domosdoshme e që të shohim platformën e qeverisë

“Ne besojmë që është shumë e domosdoshme të shohim platformën e qeverisë, propozimet e qeverisë dhe të kryeministrit dhe të shohim mundësitë që të ecim përpara për të saktësuar dhe siguruar rolin final të Kuvendit të Kosovës në këtë proces. Sepse besojmë që nëse dëshirojmë vërtetë një sukses në pajtim me kushtetutën, edhe me deklaratat e rezolutat e miratuara më herët nga kuvendi, është tepër e domosdoshme që të kemi një kohezion politik të gjerë sa të jetë e mundshme”, shtoi ai. 

***

Partia Demokratike e Kosovës është tërhequr nga draft- rezoluta të cilin e kishin prezantuar në seancën e kaluar për raportimin e kryeministrit Hoti në kuvend për dialogun.

Kjo draft- rezolutë ishte parapa që të votohej sot, por deputeti i PDK-së, Memli Krasniqi ka thënë se do të tërhiqen nga kjo rezolutë, pasi tashmë kemi një situatë tjetër politike.

“Ne ditën kur kishim seancën e raportimit të kryeministrit për dialogun në Kosovës ishte një situatë politike tjetër, se ishte para se të ndodhte deklarimi i Prokurorisë për aktakuzë ndaj Thaçit e Veselit. Normalisht se një çështje e rëndësishme siç është dialog. Dhe ky kontest tashme nuk është i nyejt dhe ne propozuam një draft-rezolutë. Arsyeja ishte me takimin e paralajmëruar që duhej të mbahej me Kosovës dhe Serbisë në SHBA. Tash e dim që ai takim është anuluar. Pra kemi potencialisht edhe një ndryshim të qasjes. Ky proces që ka filluar kohë më parë pa dyshim që ka rëndësi të madhe dhe normalisht që një shtet serioz, e para së gjithash Kuvendi si institucioni më i lartë në vend nuk mun të rri anash dhe nuk mund të jetë vetëm një vend ku raportohet para dhe pas vizitave. Rezoluta që ne kemi propozuar më shumë ka pas teknik se politik. Qëllimi ka qenë që të behët një far lloj obligimi ky raportim. Ne besojmë që Kuvendi duhet të këtë një qasje më gjithëpërfshirëse në kuptimin e mbikëqyrjes së këtij procesi. Në këtë kuptim ne e tërheqim nga votimi dh diskutimi draft[rezolutën që e kemi propozuar në seancën në fjalë, dhe besojmë që duhet të jetë një rezolutë tjetër me ato që i thash”, ka thënë Krasniqi. 

***

Ka dështuar miratimi i pesë marrëveshjeve ndërkombëtare financiare në Kuvend në mungesë të kuorumit. Kjo është hera e tretë që po dështon miratimi i këtyre marrëveshjeve ndërkombëtare financiare.

Të pranishëm në Kuvend ishin vetëm 75 deputetë.

Këto ishin marrëveshjet që ishin paraparë të votohen sot në Kuvend.

– Projektligji për ratifikimin e Marrëveshjes për financim ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Asociacionit Ndërkombëtar për Zhvillim për Projektin e Fuqizimit të Sektorit Financiar,
– Projektligji për ratifikimin e Marrëveshjes për Hua ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim për Projektin e Zhvillimit të Ujërave të Zeza në Gjilan,
– Projektligji për ratifikimin e Marrëveshjes për Financimin e Projektit për Kadastër të Patundshmërisë dhe Infrastrukturë Gjeohapësinore ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Asociacionit Ndërkombëtar për Zhvillim,
– Projektligji për ratifikimin e Marrëveshjes ndërmjet Bashkimit Evropian dhe Republikës së Kosovës mbi Pjesëmarrjen e Kosovës në Programin e Bashkimit “Dogana 2020”, dhe
– Projektligji për ratifikimin e Marrëveshjes ndërmjet Bashkimit Evropian dhe Republikës së Kosovës mbi Pjesëmarrjen e Kosovës në Programin e Bashkimit “Fiskalis 2020”

Osmani-deputetëve: Nëse nuk e mbani distancën, nuk e mbaj seancën

Po mbahet seanca e Kuvendit të Kosovës, me mungesë të madhe të deputetëve, për shkak të të cilëve nuk kaluan marrëveshje financiare ndërkombëtare.

Deputetët po mbajnë maska dhe po qëndrojnë në distancë nga njëri, por pati një rast që nuk u respektua dhe menjëherë reagoi kryetarja e Kuvendit, përcjell Bota sot.

Vjosa Osmani u tha që ta mbajnë distancën, ndryshe nuk do ta vazhdojë mbajtjen e seancën.

Ajo qysh në fillim të seancës u bëri thirrje atyre që të respektojnë masat për mbajtjen e maskave dhe distancës nga njëri tjetri.

***

Seanca e kuvendit ka nisur punimet për vazhdimin e seancave të kaluara.

Shefi i grupi parlamentar të PDK-së, Bedri Hamza tha se do t’i votojnë marrëveshjet financiare ndërkombëtare.

“PDK asnjëherë nuk ka qenë kundër këtyre marrëveshjeve ndërkombëtare, për më tepër një pjesë të tyre i kemi negociuar dhe i kemi nënshkruar ne. Jemi mirënjohjes ndaj këtyre që kanë shpreh gatishmëri për bashkëpunim me Kosovën. Për dallim prej herëve tjera ku besoj që qeveria e ka kuptuar që duhet te ndërtoj ura të bashkëpunimit për tema të rëndësishme”, ka thënë Hamza.

***

Ka filluar senaca e Kuvendit të Kosovës. 

Kryetarja e Kuvendit, Vjosa Osmani, ka nisur seancën duke kërkuar që të respektohen masat për mbrojtje nga koronavirusi, derisa kërkoi nga deputetët që të mbajnë maskat, të mbajnë distancën nga njëri-tjetrit për 2 metra dhe u tha që të flasin nga vendi dhe të përdorin sa më pak foltoren e Kuvendit, përcjell Bota sot.

Ajo shtoi se do të ketë pauza për të dezinfektuar foltoren dhe gjithë sallën.

Ajo u kërkoi deputetëve që kanë simptoma që të mos marrin pjesë në seancë dhe të izolohen për 14 ditë.

***

Deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë filluar të vijnë në sallën ku do të mbahen sot seancat.

Në rendin e ditës votimi i pesë marrëveshjeve të rëndësishme ndërkombëtare, pro të cilave dje ka shprehur mbështetjen Partia Demokratike e Kosovës (PDK).

​Mblidhet Kuvendi, vazhdojnë punimet e dy seancave dhe mbahet një tjetër e re

Deputetët e Kuvendit të Kosovës do të kenë një ditë të ngjeshur sa i përket punës së legjislativit.

Për shkak të dështimit të sigurimit të votave në mbledhjet e kaluara, sot para ligjvënësve në ora 10:00 do të jenë serish në rendin e ditës votimi i pesë marrëveshjeve të rëndësishme ndërkombëtare, pro të cilave dje ka shprehur mbështetjen Partia Demokratike e Kosovës (PDK).

Deputetët do të votojnë projektligjin për ratifikimin e marrëveshjes për financim ndërmjet Kosovës dhe Asociacionit ndërkombëtar për zhvillim për projektin e fuqizimit të sektorit financiar.

Po ashtu do të shqyrtohet projektligji për ratifikimin e marrëveshjes për hua ndërmjet Kosovës dhe BERZH për projektin e zhvillimit të ujërave të zeza në Gjilan, projektligji për ratifikimin e Marrëveshjes për Financimin e Projektit për Kadastër të Patundshmërisë dhe Infrastrukturë Gjeohapësinore ndërmjet Kosovës dhe Asociacionit Ndërkombëtar për Zhvillim, projektligji për ratifikimin e marrëveshjes BE-Kosovë mbi pjesëmarrjen e Kosovës në Programin e Bashkimit “Dogana 2020”, si dhe Projektligjin për ratifikimin e marrëveshjes BE-Kosovë mbi pjesëmarrjen e Kosovës në Programin e Bashkimit “Fiskalis 2020”.

Vazhdim të seancës plenare të Kuvendit do të ketë në ora 10:30 me pikën e vetme të rendit të ditës – votimi i Propozim-rezolutës nga raportimi i kryeministrit të Kosovës dhe debati parlamentar lidhur me dialogun Kosovë-Serbi.

Seanca e re plenare e Kuvendit do të fillojë në ora 11.00, në të cilën pritet zgjedhja e një kandidati për anëtar jo ekzekutiv të Bordit të BQK-së, zgjedhja e anëtarëve të Bordit të Drejtorëve të Ndërmarrjes KOSTT, formimi i Komisionit Hetimor Parlamentar lidhur me procesin e privatizimit në Kosovë.

Po ashtu, do të shqyrtohet raporti i Autoritetit Rregullator për Shërbimet e Ujit (ARRU) për vitin 2019, kërkesa e Komisionit Hetimor Parlamentar në lidhje me menaxhimin e pandemisë COVID-19 nga ana e Qeverisë së Kosovës, për miratimin e buxhetit.

Pika e tetë e rendit të ditës do të jetë formimi i Komisionit Ad-hoc për përzgjedhjen e kandidatëve për 7 anëtarë të Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil, derisa pika e nëntë dhe e fundit do të jetë ajo për formimin e Komisionit Ad-hoc për përzgjedhjen e kandidatëve për dy anëtarë të Bordit të Ankesave të Komisionit të Pavarur të Mediave.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat