Ismajli: Qeveria Kurti dhe Qeveria Hoti refuzuan Pakon Ekonomike, rezultati do të ishte ndryshe

Aktuale

Ismajli: Qeveria Kurti dhe Qeveria Hoti refuzuan Pakon Ekonomike, rezultati do të ishte ndryshe

Nga: E.B Më: 10 korrik 2020 Në ora: 20:59
Uran Ismajli

Ish-ministri i Shëndetësisë, Uran Ismajli, ka shkruar se PDK i ka kërkuar qeverisë Kurti dhe qeverisë Hoti që ta mbështesin Pakon Ekonomike të propozuar nga PDK.


Deputeti ka thënë se po ta kishin votuar rezultati do të ishte ndryshe, dhe do të kishin 320  milionë euro për ta ringjallur ekonominë e vendit, shkruan "Bota Sot".


Ismajli ka thënë se PDK edhe sot ka shumë kritika, sepse Buxheti i Kosovës, i votuar në Qeverinë Kurti, e i rishikuar tash në Qeverinë Hoti, vazhdon të mos ketë përgjigje për nevojat e qytetarëve.


Postimi i plotë:


I kemi kërkuar edhe Qeverisë Kurti, edhe Qeverisë Hoti, që ta mbështesin Pakon Ekonomike të propozuar nga PDK, për t’i ndihmuar qytetarët në pandemi. Po ta kishin bërë këtë, rezultati do të ishte tjetër. Do ta kishim Pakon me 320 milionë euro për ta ringjallur ekonominë, prej të cilave 300 euro në muaj për sektorin privat. Dhe po ta kishin përkrahur propozimin tonë, të bërë para tre muajsh, deri më sot sektori privat do t’i kishte marrë 900 euro për person. Por, refuzuan me kryeneçësi këtë plan konkret dhe bashkëpunimin me PDK-në. Qeveria Kurti dhe Qeveria Hoti, ndërkaq, ua kanë ndarë vetëm nga 170 euro për një muaj. Kaq sa për krahasimin dhe përgjegjësinë e treguar. 


PDK edhe sot ka shumë kritika, sepse Buxheti i Kosovës, i votuar në Qeverinë Kurti, e i rishikuar tash në Qeverinë Hoti, vazhdon të mos ketë përgjigje për nevojat e qytetarëve. Shpresoj që ky Buxhet të vihet në shpëtim të familjeve dhe ndërmarrësve, e nuk do të keqpërdoret në emër të tyre. Mirëpo, ne i tejkaluam inatet politike dhe për hir të qytetarëve, që janë në pasiguri shëndetësore dhe ekonomike, vendosëm ta votojmë Buxhetin. Ky Buxhet duhet të jetë për qytetarët dhe vota jonë ishte për qytetarët.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat