Edhe një përçarje në LDK: Lutfi Haziri i del sërish Avdullah kundër Hotit

Aktuale

Edhe një përçarje në LDK: Lutfi Haziri i del sërish Avdullah kundër Hotit

Më: 11 korrik 2020 Në ora: 15:57
Lutfi Haziri dhe Avdullah Hoti

Kreu i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri ka dalë edhe një herë kundër kryeministrit Hoti, kësaj radhe për shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme.

Në takimin mes Hotit dhe Asociacionit të Komunave, kryeministri ka bërë të ditur se i ka njoftuar kryetarët e komunave për nevojën e shpalljes së gjendjes së jashtëzakonshme, bazuar në shifrat e të prekurve dhe se ka marrë përkrahjen e shumicës prej tyre.

Mirëpo, me sa duket jo edhe përkrahjen e Lutfi Hazirit, i cili as nuk kishte qenë prezent në takimin virutal mes Hotit e kryetarëve të komunave.

Dora e djathtë e Lutfi Hazirit në Komunë, nënkryetari Arbër Ismajli, i cili në takim zëvendësoi Hazirin, ka njoftuar se nga kjo komunë kanë bërë kërkesë imediate që të mos shpallet gjendje e jashtëzakonshme, për shkak të implikimeve të mëdha socio-ekonomike në vjeshtën e vonshme, si në biznese, po ashtu, edhe tek qytetarët bazuar në gjendjen e përgjithshme të rënduar ekonomike.

Kjo nuk është hera e parë që kreu i Gjilanit, Lutfi Haziri del haptas kundër kryeministrit dhe nënkryetarit të LDK-së, Avdullah Hoti duke shtuar aludimet për përçarje përbrenda partisë.

Haziri kishte dalë kundër Hotit qysh para se ai të niste punën në Qeveri. Një ditë para votimit të Qeverisë Hoti, Haziri kishte thënë se nuk është angazhuar aspak për këtë qeveri, pasi siç ishte shprehur ai, po formohet një Qeveri të cilës ai nuk i beson.

“Kohëve të fundit jam më pak i angazhuar, sepse po ndërtohet një qeveri të cilës unë nuk i besoj. Një qeverie që i kam besuar më shumë, nuk arriti suksesshëm me e përballu mandatin”, ishte shprehur Haziri atë kohë.

Ndërkaq në një deklarim të mëparshëm, Haziri e kishte quajtur Qeverinë e tanishme, qeveri të zorit duke aluduar po ashtu se do të jetë Qeveri jetëshkurtër.

Zërat për përçarje përbrenda LDK-së janë shtuar pas shkarkimit nga organet e partisë të Vjosa Osmanit, për çka Haziri po ashtu doli kundër partisë duke njoftuar se ka votuar kundër.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat