“Përfshirja e Kurtit në fushatën zgjedhore të Maqedonisë së Veriut – politikë e gabuar” - Bota Sot
“Përfshirja e Kurtit në fushatën zgjedhore të Maqedonisë së Veriut – politikë e gabuar”

Aktuale

“Përfshirja e Kurtit në fushatën zgjedhore të Maqedonisë së Veriut – politikë e gabuar”

Më: 12 korrik 2020 Në ora: 23:41
Albin Kurti

Tre ditë para se të mbahen zgjedhjet parlamentare në Maqedoninë e Veriut, kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, është përcaktuar që ta mbështesë Koalicionin e Aleancës së Ziadin Selës dhe Afrim Gashit.

Mirëpo disa analistë politikë konsiderojnë se ky përcaktim i Albin Kurtit është politikë e gabuar për arsye se Kosova duhet të jetë e paanshme karshi forcave politike shqiptare në vendet fqinje.

Në një prononcim, publicisti Nexhmedin Spahiu ka thënë se nuk është e hijshme që politikanë nga Kosova të përzihen në garat zgjedhore të shteteve fqinje siç është rasti në Maqedoninë e Veriut.

“E shumta çka mund të bëjnë është të thërrasin për unitet siç është rasti i Luginës së Preshevës dhe jo t’i shprehin preferencat e tyre për një forcë politike apo tjetër”.

“Kosova e ka për obligim t’i mbështesë shqiptarët e Maqedonisë, Malit të Zi dhe ata të Luginës së Preshevës, por jo të shkaktojë përçarje mes atyre forcave politike. Kushdo që të zgjidhet në parlament nga partitë shqiptare, duhet ta gëzojë përkrahjen e shtetit të Kosovës. Tek e fundit, Maqedonia është një vend mik i Kosovës dhe Kosova duhet të sillet konform këtij fakti”.

“Mendoj se është një politikë e gabuar e Kurtit, për shkakun se Kosova duhet të jetë e paanshme karshi forcave politikë shqiptare në Maqedoni, Mal të Zi dhe Luginë”.

Edhe analisti politik Petrit Zogaj e sheh këtë përfshirje të Albin Kurtit në zgjedhjet e brendshme të Maqedonisë së Veriut si një veprim të gabuar.

Madje, ai ka shtuar se një ndërhyrje e tillë mundet të krijojë një aversion edhe ndërmjet maqedonasve dhe shqiptarëve në shtetin fqinj.

“Lëvizja Vetëvendosje dhe lideri i saj, Albin Kurti, prej kohësh kanë treguar interesim që të përfshihen në një formë apo tjetër në jetën politike në Shqipëri dhe në Maqedoninë e Veriut. Diçka që në fakt e kemi parë edhe nga liderët tjerë shqiptarë, siç ishte rasti i Thaçit në vitin 2013 dhe ai i Berishës”.

“Mirëpo, çka e dallon LV-në dhe Kurtin është që ky subjekt dhe vet Kurti janë të përfshirë shumë më direkt në jetën politike në Maqedoninë e Veriut. Kishim rastin kur LV kishte mbështetur Blerim Rekën si kandidat për president, pastaj bashkëpunimin me Aleancën e Selës e kështu me radhë. Pra, ka një tendence që LV të ndikojë me aq sa mundet në përcaktimin e shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut në të gjitha zgjedhjet atje”.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat