Rishikimi i buxhetit pritet të kalojë me votat e PDK-së - Bota Sot
Rishikimi i buxhetit pritet të kalojë me votat e PDK-së

Aktuale

Rishikimi i buxhetit pritet të kalojë me votat e PDK-së

Më: 13 korrik 2020 Në ora: 07:57
PDK

Ministrja e Financave dhe Transfereve, Hykmete Bajrami, të premten para deputetëve paraqiti dhe arsyetoi Projektligjin për plotësimin dhe ndryshimin e ligjit me nr. 07L001 mbi ndarjet buxhetore për buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2020.

Sipas saj, propozimi është përgatitur në linjë me zhvillimet e fundit që janë krijuar nga situata me COVID-19, duke dashur që të merren parasysh dhe të adresohen çështjet sfiduese të krejt kësaj situate, sidomos rënia e të hyrave. Ajo tha se miratimi i këtij projektligji, do t’i japë mundësi më të madhe rimëkëmbjes ekonomike të vendit.

Në vazhdim të seancës, përfaqësues të grupeve parlamentare dhe deputetë të tjerë, paraqiten qëndrimet e tyre pro dhe kundër projektligjit.

Deputeti Hekuran Murati nga GP i VV-së, konsideroi se projektligji ka mangësi dhe madje, sipas tij, bie edhe në kundërshtim me ligjet në fuqi. Ai numëroi disa nga mangësitë që janë hasur në të dhe aspekte të tjera që sipas tij, nuk mund të realizohen në terren. Rrjedhimisht, ai paraqiti qëndrimin e grupit të tij parlamentar kundër miratimit të këtij projektligji.

Nga GP i LDK-së, deputeti Shkelzen Hajdini theksoi përkrahjen e plotë për miratimin e këtij projektligji, i cili, siç tha ai, do ta ndihmonte Qeverinë që të adresojë sfidat e shkaktuara nga pandemia COVID-19.

Në anën tjetër, nga GP i PDK-së, deputeti Bedri Hamza tha se ky buxhet nuk garanton rimëkëmbje ekonomike e as mbijetesë, ngase, sipas tij, është paraqitur në mënyrë dëshirore.

Gjatë debatit për rishikimin e buxhetit, Hamza tha se tha se PDK me gjithë vërejtjet dhe shqetësimet që i ka, siç tha për një dokument të keq të punuar me shumë defekte, do ta japë votën për dhe do të bëjë përpjeke që mes dy leximeve të korrigjohet.

Ish-ministri i Financave tha po ashtu se për hir të bllokadës që është bërë në këtë kohë pandemie për bizneset, punëtorët dhe kategoritë e sociale, do të mbështesin këtë rishikim.

Gazmend Abrashi nga GP i AAK-së, u shpreh se ky projektligj ka ardhur si domosdoshmëri në situatën në të cilën ndodhet vendi, andaj, sipas tij, buxheti i Kosovës duhet të reflektojë mbi këtë situatë dhe t’i adaptohet nevojave aktuale.

Ndërsa, nga GP i 6+, deputeti Fikrim Damka tha se ky grup parlamentar do ta përkrahin projektligjin, përderisa kërkesat e tyre do t’i adresojnë në komisionin funksional, para shqyrtimit të dytë.

Debati vijoi me diskutime të deputetëve të tjerë, të cilët, varësisht nga pozicionet politike të tyre dhe grupet parlamentare që përfaqësonin, shprehnin qëndrimet e në mbështetje ose në kundërshtim të projektligjit.

Po ashtu, u dhanë edhe një sërë propozimesh për projekte të ndryshme që, sipas deputetëve, duhet zënë vend në planifikimin buxhetor për pjesën e dytë të vitit.

Kryeparlamentarja Osmani e detyrua të ndërpresë seancën, pas tensionimit të situatës nga ana e disa deputetëve, të cilët u afruan te vendi i kryetares, e cila po drejtonte seancën.

Ndërkohë, Kryesia e Kuvendit, në një mbledhje menjëherë pas ndërprerjes së seancës, vendosi që seanca të vazhdojë të hënën, në orën 14:00.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat