Specialja për kohëzgjatjen e intervistimit të Thaçit: Ai është i vetmi burim informacioni për këtë çështje

Aktuale

Specialja për kohëzgjatjen e intervistimit të Thaçit: Ai është i vetmi burim informacioni për këtë çështje

Më: 13 korrik 2020 Në ora: 09:11
Hashim Thaçi

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi do të paraqitet para Prokurorit të Specializuar në Hagë për t’i dëgjuar dhe për t’iu përgjigjur pyetjeve të tij lidhur me akuzat e rënda të publikuara rreth 3 javë më parë.

Chris Bennett nga Zyra e Prokurorit të Specializuar ka thënë se për këtë çështje, burim i vetëm i informacionit është Hashim Thaçi dhe se Zyra e Prokurorit të Specializuar nuk ka dhënë dhe nuk do të japë asnjë informacion për këtë.

“Burimi i vetëm i informacionit për këtë çështje është Hashim Thaçi. Zyra e Prokurorit të Specializuar nuk ka dhënë asnjë informacion dhe nuk do të japë”, thuhet në përgjigjen e Zyrës së Prokurorit të Specializuar.

Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS) ua ka paraqitur Dhomave të Specializuara të Kosovës (DHSK) një aktakuzë me dhjetë pika për shqyrtim nga Gjykata, ku Hashim Thaçi, Kadri Veseli dhe të tjerë akuzohen për një sërë krimesh kundër njerëzimit dhe krime lufte, ndër të cilat vrasje, zhdukje e detyruar të personave, përndjekje dhe tortura.

Prokurori i Specializuar pretendon se Thaçi, Veseli dhe të dyshuarit e tjerë janë penalisht përgjegjës për afërsisht 100 vrasje. Krimet e paraqitura në aktakuzë përfshijnë qindra viktima të identifikuara shqiptarë, serbë dhe romë të Kosovës, si dhe kundërshtarë politikë.

Në një deklaratë për shtyp, Prokurori i Specializuar kishte thënë se aktakuza është vetëm një padi penale e cila është rezultat i një hetimi të gjatë dhe dëshmon vendosmërinë se mund t’i provojë të gjitha akuzat jashtë dyshimit të arsyeshëm.

Prokurori i Specializuar e kishte vlerësuar të domosdoshme nxjerrjen e njoftimit publik për akuzat për shkak të, siç thuhet, përpjekjeve të përsëritura të Thaçit dhe Veselit për pengimin dhe sabotimin e punës së Dhomave të Specializuara.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat