Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi intervistohet nga Prokuroria Speciale në Hagë

Aktuale

Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi intervistohet nga Prokuroria Speciale në Hagë

Më: 13 korrik 2020 Në ora: 09:24
Hashim Thaçi

Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi në një aktakuzë ende të pakonfirmuar akuzohet nga Prokuroria Speciale me seli në Hagë “për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit”.

Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi udhëtoi për në Hagë ku të hënën me (13.07) ai intervistohet nga Prokuroria Speciale e cila funksionon në kuadër të Dhomave të Specializuara. Presidenti Thaçi, akuzohet nga Prokuroria Speciale për Krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, ndonëse aktakuza ndaj tij deri të dielën (12.07) në mbrëmje nuk është konfirmuar nga gjykatësi i procedurës paraprake. Thaçi, për në Hagë udhëtoi nga aeroporti Nënë Tereza në Tiranë dhe nga aty tha, se ai "është nisur drejt Hagës për të filluar e fituar një betejë të re, kësaj here  me drejtësinë ndërkombëtare”. Në një intervistë për mediumin shqiptar Top Chanel,  Thaçi tha se  "sikur të gjithë bashkëluftëtarët e tjerë të UCK-s që i janë përgjigjur pozitivisht thirrjes të Dhomave të Specializuara edhe ai i është përgjijgur njejtë.  

"Do të sillem në përgjegjësi të plotë me rrethanat e krijuara me obligimet tona qytetare, obligimet tona kushtetuese dhe ligjore. E di se ka qenë një padrejtësi historike kur janë themeluar këto dhoma të specializuara, por dua të theksoj edhe sot se ka qenë një vendim shumë i rëndë i Kuvendit të Republikës së Kosovës por një vendim strategjikisht i drejtë”, tha presidenti Thaçi.

Para se të nisej për në Hagë, në Kosovë, Thaçi vizitoi kompleksin e varrezave të familjes Jashari dhe varrin e ish-presidentit Ibrahim Rugova, duke kujtuar siç tha "të gjithë ata që kontribuan dhe dhanë jetën për lirinë e Kosovës”.

"Me këtë respekt e mirënjohje do të nisem për në Dhomat e Specializuara që i krijuam vet si vendim strategjik si besim, respekt ndaj SHBA-së, NATO-s dhe BE-së, për t'u kthyer kurdo qoftë prej andej me gjithë pastërtinë e pohuar edhe të bashkëluftëtarëve të tjerë botërisht dhe jetës sime për Kosovën e lirë dhe demokratike”, tha Thaçi.

Më 24 qershor Prokuroria Speciale me Seli në Hagë publikoi një aktakuzë ende të pakonfimuar nga gjykata ndaj presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, kryetarit të PDK-së, Kadri Veseli  dhe disa të tjerëve, të cilët akuzohen për  krime kundër njerëzimit dhe krime lufte. Krimet e dyshuara përfshijnë: vrasje të paligjshme, zhdukje me detyrim të njerëzve, përndjekje dhe tortura. Pas prezantimit të kësaj aktakuze, presidenti në një adresim publik, siç tha "njoftimin e prokurit special për aktakuzë ndaj tij e cilësoi si një "ngutje e rrufeshme”,  dhe "shkelje flagrante e rregullave të një procesi të drejtë e të pavarur gjyqësor”. Prezantimi i aktakuzës ndaj presidentit Thaçi, ndodhi në kohën që ai ishte rrugës për në Shtëpinë e Bardhë në Uashington për  ta rifilluar dialogun Kosovë-Serbi, ku do të takohej me presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuciq. Sipas Thaçit, "komunikata e prokurorit”, e pamundësoi takimin në Shtëpinë e Bardhë,  që organizohej  nga i ngarkuari i presidentit amerikan për dialogun, Richard Grenell.    

"Ajo komunikatë hodhi në erë dhe pamundësoi takimin shumë të rëndësishëm në Shtëpinë e Bardhë, duke i dhënë goditje të fortë mundësisë së arritjes së paqes Kosovë-Serbi. Prandaj apeli me të cilin dua ta mbyll ketë mesazh është: Kosova duhet të sigurojë funksionimin stabil të institucioneve shtetërore, në çdo rrethanë. Në këtë kapitull të ri e të vështirë vetëm të bashkuar mund të ecim përpara, si në rrafshin kombëtar, ashtu edhe në atë ndërkombëtar”, pati thënë presidenti Thaçi, duke shtuar se ai "do të konsultohet me liderët politikë për hapat e mëtejmë”.

"Ju siguroj edhe një herë, me drejtësinë nuk do të përballem nga kjo zyrë. Nëse aktakuza konfirmohet, unë menjëherë do të jap dorëheqje si President i juaji dhe do të përballem me akuzat”, tha Thaçi.

Edhe udhëtimi për në Hagë i Thaçit  për t‘u intervistuar nga Prokuroria Speciale të hënën (13.07) ndodh në kohën kur rifilloi dialogu Kosovë-Serbi, me një takim vitual të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian, ndërsa të enjten (16.07) në Bruksel takohen kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq.

Gjykata Speciale i cila përbëhet nga Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Specializuar e Prokurorisë e që e ka selinë e saj në Hagë, është themeluar me këmbëngulësinë e bashkësisë ndërkombëtare në vitin 2015, ku kuvendi i Kosovës miratoi ndryshimet kushtetuese për këtë Gjykatë. Të gjithë gjykatësit dhe prokurorët e Gjykatës Speciale janë ndërkombëtar. Ideja për themelimin e Gjykatës, pasoi hetimet e pretendimeve të të dërguarit të Këshillit të Evropës, Dick Martty, për përfshirjen e ish-drejtuesve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, në krime të luftës dhe të pasluftës në Kosovë. Që nga viti 2019 mbi 200 ish- pjesëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës janë marrë në pyetje nga prokurorët  e Prokurorisë së Specializuar. Në mesin e të intervistuarve nga Prokuroria Speciale si i dyshuar për krime lufte ishte edhe ish-kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj. / DW

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat