Gjykata Speciale, roli dhe funksioni i saj në Kosovë

Aktuale

Gjykata Speciale, roli dhe funksioni i saj në Kosovë

Më: 13 korrik 2020 Në ora: 10:56
Gjykata Speciale

Gjykata Speciale është pjesë e sistemit gjyqësor të Kosovës, por me vendndodhje në Hagë (Holandë), dhe në përbërje të saj janë gjygjtarë dhe prokurorë të huaj. Ajo heton krimet e pretenduara të pjesëtarëve të ish-Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), ndaj pakicave etnike dhe rivalëve politikë në periudhën janar 1998, dhjetor 2000, të cilat përmenden në raportin e Këshillit të Evropës në vitin 2011, mbajtur nga senatori zviceran Dick Marty.

Në raportin e Marty-it, përmendet ndër të tjera edhe emri i presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, si drejtues i “Grupit të Drenicës”.

Gjykata është formuar në vitin 2015 me vendimin e Kuvendit të Kosovës, me këmbënguljen e bashkësisë ndërkombëtare. Ajo kryesisht financohet nga Bashkimi Evropian.

Prokurori i Specializuar, amerikani Jack Smith, më 14 shkurt, ka dorëzuar aktakuzat e para në gjykatë, të cilat, gjykatësi i procedurës paraprake, ka afat 6 muaj për t’i konfirmuar ose për t’i hedhur poshtë.

Sipas Organizatës së Veteranëve të Luftës së UCK-së, rreth 270 persona janë marrë në pyetje deri më sot në Hagë qoftë në cilësinë e të dyshuarve, qoftë në cilësinë e dëshmitarëve.

Deri më tani janë intervistuar ish-kryeministri Ramush Haradinaj, si dhe udhëheqësit tjerë të UÇK-së, Azem Syla, Sami Lushtaku, Rrustem Mustafa, etj. Ndërkaq në fillim të dhjetorit të vitit 2019, për intervistim është ftuar edhe Kadri Veseli, kryetar i Partisë Demokratike të Kosovës dhe ish-kryetar i Kuvendit të Kosovës.

Presidenti i Kosovës, Thaçi, në fund të vitit të kaluar i ka dërguar një letër Sekretarit të Shtetit Amerikan Mike Pompeo ku ka shprehur bindjen e tij se Gjykata e Hagës po e bën të kundërtën e asaj që ishte parashikuar në fillim.

Thaçi ka theksuar që qëllimi për formimin e Gjykatës Speciale ka qenë që të mundësohet ngritja e kornizës ligjore dhe institucionale kombëtare të besueshme, e cili do të hetonte dhe do të procedonte krimet e pretenduara se janë kryer gjatë viteve 1998-2000 në Kosovë.

Sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo, në përgjigjen e tij, kishte siguruar Thaçin që puna e Gjykatës Speciale nuk ishte drejtuar në mënyrë specifike kundër asnjë grupi etnik, lëvizje, force apo njësie dhe ka shtuar që SHBA-ja pret nga të gjithë liderët e Kosovës që t’ju përmbahen obligimeve të dhëna qytetarëve dhe bashkësisë ndërkombëtare, si dhe që të bashkëpunojnë plotësisht me gjykatën.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat