PDK votoi rishikimin e buxhetit për t`u dalë në ndihmë qytetarëve në pandemi

Aktuale

PDK votoi rishikimin e buxhetit për t`u dalë në ndihmë qytetarëve në pandemi

Më: 13 korrik 2020 Në ora: 15:13
Bedri Hamza

Partia Demokratike e Kosovës ka deklaruar votën pro rishikimit të buxhetit të shtetit, për tu dalë në ndihmë qytetarëve të vendit në këtë kohë pandemie.

Deputetetët e PDK-së gjatë diskutimeve në Parlament theksuan faktin e dështimeve të qeverisë së kaluar të Albin Kurtit dhe qeverisë aktuale të Avdullah Hotit për tu dalë në ndihmë qytetarëve dhe mijëra bizneseve të rrezikuara në kohë pandemie.

Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Bedri Hamza, gjatë debatit për rishikimin e buxhetit ka thënë se ky Grup Parlamentar me gjithë vërejtjet dhe shqetësimet që i ka, siç tha ai, për një dokument të keq të punuar me shumë defekte, do ta japë votën për dhe do të bëjë përpjeke që mes dy leximeve të korrigjohet.

“Sot ndodhemi në një situatë me zgjedhë mes dy të këqijave, me votua një buxhet me shumë defekte apo mos me votua një buxhet. Dhe ne kemi vendos si Parti Demokratike me jep votën për në leximin e parë të buxhetit. Këtë me qëllim që t’i hapet mundësi përmirësimeve edhe pse s’është e lehtë, është bukur e vështirë. Në draftin që është propozuar është bukur-bukur vështirë, por do ta bëjmë maksimumin që të korrigjojmë me qëllim që mos të bllokohet situata e cila është bllokuar me improvizime, me mungesë të vendimmarrjes, me inate politike dhe njerëzit që presin pagesat, edhe punëtorët e sektorit privat, edhe bizneset, edhe familjet në asistencë sociale, edhe kategoritë tjera të kenë mundësi me i realizua. Prandaj, GP I PDK-së me gjithë vërejtjet dhe shqetësimet që i ka për një dokument të keq të punuar me shumë defekte, do ta jep votën për dhe do të bëjë përpjekje që mes dy leximeve të korrigjohet”, tha Hamza.

Ndërsa, kundër buxhetit të shtetit është deklaruar Grupi Parlamentar i Vetëvendosjes dhe nuk mori pjesë fare në votim.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat