‘Luftë për pragun e shtëpisë’ – Flasin mbështetësit e Thaçit në Hagë

Aktuale

‘Luftë për pragun e shtëpisë’ – Flasin mbështetësit e Thaçit në Hagë

Më: 13 korrik 2020 Në ora: 19:28
Pamje nga video

Teksa presidenti i Kosovës Hashim Thaçi hyri në dyert e Gjykatës Speciale në Hagë për t’u marrë në pyetje nga prokurorët lidhur me akuzën e ngritur së fundmi, një grup i vogël mbështetësish të UÇK i shoqëruan hapat e tij me këngë patriotike dhe thirrje në mbrojtje të luftës çlirimtare.

Një pjesë e tyre kishin udhëtuar nga Kosova, ndërsa pjesa tjetër jetonin në shtetet europiane fqinje. Korrespondeti i Euronews Albania, Ernest Bunguri pyeti disa prej tyre lidhur me arsyen që i kishte nxitur ata të ishin të pranishëm aty.

“Kemi ardhur këtu për të shprehur një pakënaqësi me diçka që na ka bërë bashkësia ndërkombëtare.  UÇK ka qenë ushtri çlirimtare, ka mbrojt interesat e popullit shqiptar... Jemi këtu për t’i treguar botës se Hashim Thaçi dhe ushtarët e ushtrisë çlirimtare të Kosovës janë të pafajshëm,” tha për Euroneës Albania, Visar Moni, ish-ushtar i UÇK në zonën e Dukagjinit.

Duke mbajtur në duar një pankartë me mbishkrimin “Çfarë duhet t’i themi fëmijëve të prindërve të humbër nga regjimi i Millosheviçit?”, një tjetër veteran lufte i tha Euroneës Albania se ishte aty për të theksuar pabarazinë me të cilën po trajtonte Gjykata popullin e Kosovës.

“[Gjykata] ka bërë një seleksionim brutal ndaj vlerave tona çlirimtare. Këta po mundohen që ne të na fajësojnë ndërsa palën serbe ta lënë sikur ka qenë e sulmuar,” deklaroi ish-luftëtari i brigadës 113, Fitim Gjoshi.

“Është e kundërta, ne kemi qenë në vendin tonë, jo populli serb,” shtoi ai, ndërsa tha se e shihte gjyqin ndaj Thaçit me qëllime politike për të njollosur UÇK dhe simbolin e shtetit të Kosovës.

Rrezet e diellit ndërsa prisnin për rreth një orë në dyert e Gjykatës Speciale i duruan edhe disa qytetarë të Kosovës nga qytete të ndryshme të vendit.

Nazmi Shyti i tha gazetarit Bunguri se ishte i pakënaqur ndaj padrejtësive që po i bëheshin njerëzve të merituar të Kosovës, “të cilët kanë bërë luftë të drejtë në vendin dhe trojet e veta”.

“Jam përkrahës i luftës së Kosovës, pa këtë ushtri nuk e kishim gëzuar këtë liri sot se askush s’do kishte ardhur me na ndihmuar ne. Jemi thellë të indinjuar më këto raste që po ndodhin, nuk janë raste të individëve por kundër Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës 100%,” tha qytetari i Skënderajt, Bajram Qitaku.

“Më shumë se katërqind masakra ekzistojnë në Kosovë, akoma kriminelët e Beogradit nuk i kanë sjellë para gjyqeve dhe këta merren më çlirimtarët tanë, të cilët kanë luftuar në vendin e vet, në pragun e shtëpisë së vet, kanë mbrojtur trojet e veta, të parëve të vet, nuk kanë bërë masakra askund, por kanë mbrojtur familjet e veta,” deklaroi Qitaku.

Aktakuzat e bëra publike kundër presidentit të Kosovës Hashim Thaçi dhe kryetarit të PDK, Kadri Veseli kanë tërhequr një stuhi reagimesh në mbrojtje të ish-veteranëve, ku shumë prej tyre i shohin ato si të motivuara politikisht.

Një gjykatë e procedurës paraprake në Hagë nuk ka marrë ende një vendim nëse do të procedojë apo jo me akuzat.

Thaçi ka deklaruar se nëse do të ngrihen akuza ndaj tij do të japë dorëheqjen nga posti i presidentit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat