"Mbani syze, të shpëtoni nga ministri i shëndetësisë", "Ministri jurist Zezaj", reagimet nga VV ndaj Armend Zemajt pas deklaratës në Kuvend

Aktuale

"Mbani syze, të shpëtoni nga ministri i shëndetësisë", "Ministri jurist Zezaj", reagimet nga VV ndaj Armend Zemajt pas deklaratës në Kuvend

Nga: G.B Më: 13 korrik 2020 Në ora: 23:32
Armend Zemaj dhe Arbër Rexhaj

Përplasje verbale ka ndodhur sot në seancën e Kuvendit, në mes të ministrit të shëndetësisë Armend Zemaj dhe deputetëve të Lëvizjes Vetëvendosje.

Zemaj tha se pas datës 12 qershor që kur është mbajtur tubimi i VV-së në sheshin e Prishtinës, është përhapur në mënyrë marramendëse virusi Covid-19.

Madje, ministri tha se ka deputetë të VV-së në seancë të kuvendit që janë të infektuar dhe nëse e mbyllni seancën mund t’ua lexojë edhe me emra, duke shtuar se u vërehen nga sytë simptomat e koronavirusit.

“Ajo më e keqja që ka ndodhur, është ajo pas datës 12 qershor ku inkubimi është shpërndarë në mënyrë marramendëse. Mbyllne seancën për publikun edhe ua lexoj me emra anëtarë të afërm të juaj dhe aktivitet që janë të infektuar me Covid-19 pas datës 12 qershor. Mbyllni seancën për publikun ua lexoj me emra dhe mbiemra. Ju jeni të dyshuar dhe të infektuar, ju jeni persona kontakti. Shkoni bëni testet, ecni rend shkoni bëni testet. Pse po ikni nga testet. Ti je me simptoma, në sy shihesh që je me simptoma. Sytë të tregojnë që je me simptoma”, theksoi Zemaj.

Derisa për këtë ka reaguar nënkryetarja kuvendit të Kosovës, Arbërie Nagavci.

“Ministër të lutem kujdes me fjalorin nëse e dallon në bazë të syve që dikush i ka simptomat, t’i nuk je kompetent e as i thirrur për këtë. Të lutem të kesh kujdes për fjalorin që e përdorë me deputetët. Si e merr guximin një ministër i Shëndetësisë ti thotë deputetit të dallojë në sy që i ke simptomat”, tha ajo.

Përpos saj që i reagoi menjëherë në seancë, ka reaguar edhe shefi i GP të VV-së, Rexhep Selimi, i cili kërkoi nga ministri që ta thoshte një emër nga protesta e VV-së që është i infektuar me koronavirus.

“Ju dhe eprori juaj, Hoti, keni thënë se keni evidenca dhe emrat e aktivistëve. Ma thoni një emër që është infektuar, edhe privatisht, një person që është infektuar në atë protestë. Habitem që flasim për Qeverinë Kurti, ministrin Vitia dhe protestën e 12 qershorit. Meqë kjo protestë paska ndikuar të rritet numri e të infektuarve, a nënkupton kjo që si pasojë e kësaj edhe të gjithë këta kolegë këtu janë infektuar. Nuk po arrini ta tejkaloni veten dhe kohën për përgjegjësinë që keni. Po thoni se fajin Vitia dhe Qeveri Kurti që gjendja është pothuajse në kolaps”, deklaroi ai.

Reagime të shumta nga Lëvizja Vetëvendosje ka pasur në Facebook, ndaj ministrit Zemaj, derisa e kanë quajtur ministri jurist Zezaj.

Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Fitore Pacolli, ka reaguar ndaj ministrit të shëndetësisë, Armend Zemaj, duke thënë se deputetë e zyrtarë të LDK-së, po testohen pa simptoma bashkë me familje, ndërsa qytetarët nuk testohen edhe pse kanë simptoma, përcjell Bota sot.

"Ministri jurist Zezaj tha pse po i ikni nga testimi shkoni bëni teste. Deputetë e zyrtarë të LDKsë me familjet e tyre testohen me e pa simptoma. Por, shumë qytetarë me simptoma mbesin pa u testuar", ka shkruar ajo.

Ndërsa, në një tjetër postim, ajo ka ironizuar duke thënë se më s’ka nevojë të bëhen teste, pasi ministri jurist Zezaj e di sapo ju sheh në sy, a jeni me Covid a jo.

“S'keni më nevojë të bëni teste Ministri Jurist Zezaj posa t'iu shikoj në sy e din a jeni me COVID-19 a jo...”, ka shkruar ajo.

Kurse, zyrtari i VV-së, Adnan Rrustemi, përmes një postimi në Facebook, ai ka thënë se para syve të ministër Zeza për ditë vdesin dhjetëra njerëz e qindra infektohen, ndërsa ai bën shikimin testues të dështakut, përcjell Bota sot.

"Para syve të ministër Zeza përditë regjistrohen mbi 200 të infektuar, po vdesin dhjetëra, klinikat janë mbipopulluar e stafi mjekësor është dërrmuar, kurse ky bën shikimin testues- të dështakut", ka shkruar Rrustemi.

Në anën tjetër, zyrtari i VV-së, Arbër Zaimi, ka thënë se maskën duhet ta mbani për të shpëtuar nga virusi, ndërsa syzet që të shpëtoni nga ministri i shëndetësisë.

"Mbani maska, të shpëtoni nga virusi. Mbani syze, të shpëtoni nga ministri i shëndetësisë. Është në gjendje të lexojë botët tuaja të brendshme me një shikim të vetëm në sy. Kot nuk thonë: sytë vitrinë e shpirtit. Mos u vishni hollë, se u ftoh koha", ka shkruar Zaimi në Facebook.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat