Intervistimi i Thaçit nga Specialja do të vazhdojë edhe të mërkurën

Aktuale

Intervistimi i Thaçit nga Specialja do të vazhdojë edhe të mërkurën

Më: 14 korrik 2020 Në ora: 08:20
Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi duke dalë nga objekti i Prokurorisë së Specializuar. Hagë, 14 korrik, 2020.

(E plotësuar) -  Zyrës së Prokurorit të Specializuar në Hagë nuk i kanë mjaftuar dy ditë për të përfunduar intervistën me Presidentin e Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi.

Media ka mësuar se intervista do të vazhdojë sërish nesër dhe nuk dihet se sa do të zgjatë.

Rikujtojmë se deri tani Thaçi u është përgjigjur prokurorëve në Hagë për 12 orë gjatë dy ditëve.

***

Ka përfunduar intervistimi i presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi nga Zyra e Prokurorisë së Specializuar.

Kjo ishte dita e dytë me radhë, që Thaçi u intervistua në Prokurorinë e Specializuar.

Pas intervistimit, që zgjati gjashtë orë, ai nuk u prononcua për mediat.

Ende nuk është e qartë nëse intervistimi i Thaçit do të vazhdojë edhe gjatë ditës së mërkurë.

Edhe të hënën, Thaçi u intervistua për gjashtë orë. Ai pas intervistimit tha se aty ishte biseduar për çështje teknike dhe sqaruese dhe kishte pasur interesim “fillestar të prokurorëve për Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës”.

Ndërkaq, para se të niste intervistimin të hënën, presidenti i Kosovës deklaroi se është i bindur se nga kjo sfidë do të dalë i suksesshëm, ndërsa aktakuzën për krime lufte e cilësoi si “çmim për lirinë”.

Më 24 qershor, Zyra e Prokurorit të Specializuar ka njoftuar se më 24 prill ka paraqitur një aktakuzë për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit kundër presidentit Thaçi, kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, dhe disa të tjerëve, emrat e të cilëve nuk janë bërë publikë.

Thaçi më herët ka deklaruar se do të japë dorëheqje nga posti i presidentit, nëse aktakuza kundër tij konfirmohet.

Gjykatësi i procedurës paraprake ka maksimum gjashtë muaj kohë, nga muaji prill, për të konfirmuar ose hedhur poshtë aktakuzën.

***

Ka përfunduar intervistimi i presidentit Hashim Thaçi për të dytën ditën radhazi nga prokurorët e Dhomave të Specializuara në Hagë.

Thaçi pak minuta më parë është larguar nga objekti i Speciales pa u deklaruar për media.

Gjashtë orë dje dhe gjashtë orë të tjera sot Thaçi është intervistuar në Hagë, pas propozim-aktakuzës kinse për krime lufte gjatë viteve 1998-1999.

Rreth gjashtë orë brenda Prokurorisë, vazhdon intervistimi i Hashim Thaçit - këto janë detajet e fundit nga Haga!

Po bëhen gjashtë orë prej kur ka nisur intervistimi i Presidentit Hashim Thaçi në Hagë nga prokurorët e specializuar pranë Gjykatës Speciale.

Sot është dita e dytë e intervistimit të Thaçit, ku edhe dje ai u mor në pyetje për më shumë se gjashtë orë, kinse për krime të kryera gjatë luftës së fundit në Kosovë.

Ndërsa para objektit ku ndodhen Zyrat e Prokurorit të Specializuar dhe Dhomat e Specializuara, po qëndrojnë disa qytetarë në shenjë proteste kundër këtij intervistimi.

Image

Ata në duar po mbajnë flamuj me emblemën e UÇK-së dhe pamflete ku shihen krimet e serbëve ndaj shqiptarëve.

Image

***

Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi po vazhdon të intervistohet për më shumë se 3 orë në ditën e dytë të qëndrimit të tij në Hagë.

Thaçi është paraqitur sot në ora 13:00 në Zyrën e Prokurorit të Specializuar.

Presidentit Thaçi dje qëndrimi në prokurori i ka zgjatur më shumë se gjashtë orë ku pasi doli tha se “ishin bërë vetëm këmbimet e teknikaliteteve midis avokatit dhe prokurorit të Hagës”.

Nis intervistimi i dytë i Hashim Thaçit në Hagë

Për të dytën ditë me radhë, presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi po intervistohet në Zyrën e Prokurorit të Specializuar. Para se të hynte në objektin e kësaj prokurorie, që gjendet në Hagë, Thaçi nuk u prononcua për mediat. Por, të hënën ai deklaroi se beson që do të dalë i suksesshëm nga kjo “sfidë e re”.

Gjatë ditës së djeshme, Thaçi është intervistuar nga prokurorë të Zyrës së Prokurorit të Specializuar në Hagë për plot gjashtë orë.

***

Presidenti i vendit Hashim Thaçi do të intervistohet edhe sot nga Prokurori Special në Hagë.

Burimet marrin vesh se intervistimi i Thaçit do të nisë, ashtu sikur dje, në orën 13:00.

Gjatë ditës së djeshme, Thaçi është intervistuar në Dhomat e Specializuara në Hagë për plot gjashtë orë.

Pas intervistimit, ai ka folur shkurt duke thënë se ka dëgjuar shkëmbime të teknaliteteve të ndryshme mes avokatit dhe prokurorëve.

”Ishte çështje sqaruese teknike, në të njëjtën kohë edhe ato fillestare të interesimit të Prokurorëve për UÇK-në, kështu që do të vazhdojë nesër”.

Në ndërkohë, para se të futet në Zyrën e Prokurorit të Specializuar, ish-Drejtori Politik i UÇK-së ka ripërsëritur që askush nuk mund ta rishkruajë historinë.

Thaçi, në mesin e brohoritjeve të shqiptarëve që kishin dalë ta mbështesin, tha se ky është çmimi për Pavarësinë.

“Sot jam këtu për të respektuar atë për të cilën kam ëndërruar dhe luftuar – një Kosovë të pavarur bazuar në të drejta të barabarta, shoqëri multi-etnike dhe sundim të ligjit. Jam gati të përballem me sfidën e radhës dhe t’ia dalë me sukses për djalin tim, familjen, njerëzit dhe vendin tim”.

“Askush nuk mund ta rishkruajë historinë. Ky është çmimi për lirinë”.

I pari i vendit ka deklaruar se beson në dialog dhe pajtim, derisa Kosovën e ka quajtur histori suksesi.

***

Intervista e presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi në Hagë, do të vazhdojë edhe gjatë ditës së sotme.

Gjatë së hënës, Thaçi qëndroi për rreth shtatë orë brenda ambienteve të Dhomave të Specializuara të Hagës, ndërsa pasi doli tha se “ishin bërë vetëm këmbimet e teknikaliteteve midis avokatit dhe prokurorit të Hagës”.

Para mbërritjes së Thaçit dhe gjatë gjithë kohës deri në largimin e tij nga objekti i Dhomave të Specializuara, te dyert e kësaj ndërtese kanë qëndruar një numër protestuesish shqiptarë.

Ata përpos që mbështetnin luftën e pastër të UÇK-së kërkonin edhe drejtësi për krimet e kryera në Kosovë gjatë luftës së fundit nga ushtria dhe policia serbe.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat