Daut Haradinaj flet për aktakuzën ndaj Thaçit dhe Veselit nga Gjykata Speciale

Aktuale

Daut Haradinaj flet për aktakuzën ndaj Thaçit dhe Veselit nga Gjykata Speciale

Më: 14 korrik 2020 Në ora: 21:39
Daut Haradinaj

Shefi i Grupit Parlamentar të AAK’së, Daut Haradinaj, ka thënë se aktakuza ndaj Presidentit Hashim Thaçi dhe kryetarit të PDK’së, Kadri  Veselit sulmon në mënyrë direkte lirinë e Kosovës. Sipas tij Thaçi dhe Veseli kanë qenë në krye të UÇK’së dhe luftës për liri.

Haradinaj ka theksuar se kjo aktakuzë është goditja më e madhe ndërkombëtare ndaj shtetit të Kosovës.

“Kur je në krye të shtetit, të përgjegjësisë institucionale, natyrisht se efekti i tejkalon kompetencat e presidentit, është goditje për shtetin e Kosovës. Domethënë është një dëm kolateral, nuk është vetëm në individ siç po pretendohet të quhet”, është shprehur Haradinaj në Rubikon.

“Këto janë më shumë humor i zi, nuk është thirrur si individ, nuk është thirrur si rast i izoluar ashtu siç pretendohet. Është thirrur si kreu i luftës, janë thirrur njerëzit e Shtabit të Përgjithshëm, ata nuk janë intervistuar për pjesëmarrje aktive fizike, por për përgjegjësi, në këtë rast mendoj se është një goditje direkt ndaj lirisë së Kosovës, jo vetëm individi ose ish kryeparlamentari në këtë rast, mendoj që është goditja më e lartë që ka ndodhur pas luftës nga drejtësia ndërkombëtare, është direkt e nxitur nga armiqtë e Kosovës”, shtoi ai.

“Pjesëmarrja e Thaçit dhe Veselit por edhe atyre që nuk u janë publikuar emrat në luftën e Kosovës nuk ka qenë asgjë tjetër përveç përpjekje për çlirim. Realizimi i lirisë së Kosovës lidhet direkt me krerët e luftës. Thaçi dhe Veseli kanë bartur përgjegjësi në atë kohë dhe si rezultat e kemi fituar lirinë, e kemi larguar Serbinë prej këtu dhe e kemi shpallur pavarësinë e Kosovës”, ka thënë Haradinaj.

Ai ka potencuar se UÇK’ja e as Hashim Thaçi nuk kanë kryer krime.

“Prandaj nuk mendoj që është një goditje në individ dhe nuk besoj që Thaçi është pjesë e atyre krimeve që pretendon prokuroria speciale. Kushdo që e njeh mirë Kosovën, luftën e Kosovës, është një shpifje absurde t’i thuhet Thaçit ti je përgjegjës për 100 vrasje. Prandaj shqiptarët duhet të jenë unik sepse është një rrezik permanent që i kanoset Kosovës, këtu po shihet edhe ndikimi rus dhe ndikimi serb edhe tek raporti i Dick Martyt edhe tek procedurat e tjera pastaj”, tha Haradinaj.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat