Publikohen fotografitë e takimeve të ndara të Borell me Hotin e Vuçiqin

Aktuale

Publikohen fotografitë e takimeve të ndara të Borell me Hotin e Vuçiqin

Më: 16 korrik 2020 Në ora: 18:18
Avdullah Hoti dhe Josep Borell

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, sot në Bruksel me ndërmjetësim të Josep Borell dhe Mirosllav Lajçak, është duke marrë pjesë në takimin me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Para takimit të dy liderët kanë zhvilluar takime të ndara me Përfaqësuesin e Lartë të BE-së, Josep Borell.

Fotografitë e këtyre takimeve të ndara i ka publikuar zëdhënësja e Nabila Massrali.

Para nisjes së takimeve ka folur para mediave Përfaqësuesi i Lartë i BE-së, Josep Borell, i cili ka thënë se është i lumtur që palët i janë rikthyer negociatave dhe që BE ka marrë timonin e negociatave.

“Më vjen mirë që shoh se BE-ja është kthyer dhe ka marrë në dorë timonin e këtij procesi. Presidenti i Serbisë dhe Kryeministri i Kosovës janë sot me ne këtu në Bruksel për takimin e parë fizik  dhe duke u takuar për të dytën herë brenda javës, dy liderët treguan angazhimin e tyre të plotë për dialogun e ndërmjetësuar nga BE midis tyre”, u shpreh Borrell në deklaratën para takimit mes dy udhëheqësve të Serbisë dhe Kosovës.

“Sot kam pritshmëri për një dialog konstruktiv për elementin e parë të bisedimeve tona, i cili do të kontribuojë në një normalizim domethënës të marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë. Inkurajoj të dyja palët që të kenë një qasje për bisedimet e sotshme nën një frymë kompromisi dhe pragmatizmi dhe të kenë të ardhmen e BE për popullin e tyre në mendje”, theksoi Borrell.

Takimi i nivelit të lartë Hoti-Vuçiq ka nisur në orën 16:00. Pas takimit do të flasë Mirsollav Lajçak.
 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat