​PDK kërkon hetim për aferat në Telekomin e Kosovës

Aktuale

​PDK kërkon hetim për aferat në Telekomin e Kosovës

Më: 17 korrik 2020 Në ora: 17:34
Sejdi Hoxha

Partia Demokratike e Kosovës po kërkon hetim të prokurorisë për aferat në Telekom, derisa akuzojnë Lëvizjen Vetëvendosje se nuk ka bërë asgjë në këtë aspekt gjatë kohës sa ishte në pushtet, pavarësisht se kishin njoftuar për bllokim fondesh.

Deputeti i kësaj partie, Sejdi Hoxha ka akuzuar madje edhe LVV se të tjera fjalë po thotë sa është në opozitë e të tjera kur po e merr pushtetin sa i përket temës së Telekomit.

Sipas tij, PDK po përcjell me shqetësim zhvillimet e fundit në Telekomin e Kosovës. Derisa ka shtuar se kjo ndërmarrje dikur ishte profitabile, ndërsa sot buzë shkatërrimit.

Hoxha: Një veprim i tillë rrezikon mirëqenien ekonomike 3500 familjeve

“Ditë më parë përmbaruesi privat i paguar nga Z-mobile e që doli të jetë vëllai i deputetes së Lëvizjes Vetëvendosje, Fatmir Kollçakut, ka bllokuar llogaritë bankare të Telekomit të Kosovës, duke e sjellë atë buzë falimentimit, ndërsa vetë pret t’i fitojë qindra mijëra euro nga ky proces. Një veprim i tillë rrezikon mirëqenien ekonomike të rreth 3500 familjeve, ndërsa kërcënon edhe sigurinë nacionale përmes ndërprerjes së komunikimit të institucioneve të sigurisë kombëtare në Kosovë”, tha Hoxha.

PDK ka kërkuar hetim të hollësishëm nga prokuroria për këtë proces dhe vënien para përgjegjësisë të të gjithë atyre që kanë shkaktuar këtë gjendje në Telekomin e Kosovës.

Hoxha në një konferencë për media të premten tha se Lëvizja Vetëvendosje gjatë kohës sa ishte në opozitë, në vitin 2018, kishte iniciuar dhe aprovuar një rezolutë në Kuvendin e Kosovës për Telekomin e Kosovës, por sipas tij kjo parti kur erdhi në pushtet asnjë nga pikat e kësaj rezolute që e kishte propozuar vetë nuk e zbatoi.

Hoxha: Qëllimi i qeverisë Kurti nuk ishte krijimi i stabilitetit të kësaj ndërmarrje

“Qeveria Kurti e kishte mundësinë për ta ndihmuar këtë ndërmarrje sa ishte në pushtet, por nuk e bëri një gjë të tillë. Sepse, qëllimi i Qeverisë Kurti nuk ishte krijimi i stabilitetit në këtë ndërmarrje, e as shpëtimi i saj, por ishte politizimi dhe kapja e kësaj ndërmarrjeje, duke filluar nga bordi, menaxhmenti e deri te përzgjedhja e përmbaruesit privat. Ish-Ministrja Rozeta Hajdari dhe Qeveria Kurti, me mosveprimet e tyre, duke mos ndërmarrë hapa ligjorë dhe duke mos bërë asnjë veprim që do ta parandalonte një dëmtim kaq të madh financiar të Telekomit të Kosovës, mundësuan që pastaj edhe përmes përmbaruesit, vëllait të Deputetes së Vetëvendosjes, Fatmire Kollçakut, ta realizojnë këtë transaksion prej rreth 30 milionë eurosh, duke e gjunjëzuar kështu Telekomin, e duke përfituar familjaret e saj”, ka shtuar Hoxha.

Ndër tjerash, ai ka theksuar se është me rëndësi për opinionin publik të dihet se trekëndëshi i përbërë nga bordi i Qeverisë Kurti, menaxhmenti politik i kësaj ndërmarrjeje, si dhe operatori Z-mobile, jo rastësisht në mesin e qindra përmbaruesve zgjodhën në këtë lëndë vëllain e deputetes së Vetëvendosjes, i cili do të përfitojë qindra mijëra euro nga buxheti i kësaj ndërmarrje.

Hoxha: A ka përqindje vëllau i Fatmire Kollçakut nga kjo kontratë?

“Sa do të paguhet vëllai i deputetes Fatmire Kollçaku nga kjo pagesë në kurriz të Telekomit dhe punëtoreve të kësaj ndërmarrjeje? A ka ai përqindje përfitimi nga kjo kontratë? Si është e mundur që nga qindra përmbarues qe janë në Kosovë në këtë lëndë të përfitojë pikërisht familjari i Deputetes së VV-së? Për me shumë se 100 ditë qeverisje, Albin Kurti e Vetëvendosje patën harruar krejtësisht që ekziston mbiemri Devolli. Prandaj, si ka mundësi që pikërisht nga bordi i tyre, drejtorët e tyre dhe përmbaruesit e tyre, sot të rrezikohet përfundimisht ekzistenca e Telekomit të Kosovës?”, ka deklaruar Hoxha.

Deputeti Sejdi Hoxha deklaroi se Lëvizja Vetëvendosje ka ndërtuar teori të mashtrimit në emër të çrrënjosjes së krimit, ndërsa me veprimet e saj të instalimit të njerëzve politikë në ndërmarrje publike, ku sipas tij, ka kontribuar në dështim të menaxhimit në këto ndërmarrje, duke kurdisur raste të cilat i çojnë ndërmarrjet drejt falimentimit.

Kështu ai ka përmendur edhe KEK-un , ku sipas tij, jo rastësisht ushtrues detyre i kryeshefit është zgjedhur Luigj Imeri, i cili ka lidhje familjare me deputeten e Vetëvendosjes, Fitore Pacolli.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat